Emigrantët, votim online, jo në ambasada

Ish-Kryeministri Berisha deklaroi dje në Parlament se ka vetëm një rrugë për votimin e emigrantëve dhe kjo është ajo e votimit online, ndërsa kundërshtoi votimin në ambasada. “Ka një rrugë dhe ajo është vota online, elektronike. Dhe këtë rrugë që ju e përqeshni ka të paktën 12 vjet që e përdorin vendet Balltike, dhe është një sistem absolutisht shumë i thjeshtë, por ju doni që t’ja u kontrollojnë ambasadat votën. Po kjo nuk është votë. Hajde urdhëroni të vendosim këtu votën elektronike, të vendosim këtu edhe në shenjë respekti ndaj emigracionit”, tha Berisha.
Gjatë fjalës së tij ish-Kryeministri Berisha ka debatuar edhe me deputetin Blushi për mundësinë e votimit të emigrantëve. Ndërkohë që, Berisha mbron idenë e dixhitalizimit të procesit të votimit nga emigrantët. Ai u shpreh kundër votimit nëpër ambasada. Berisha iu drejtua Blushit, duke i thënë se po kërkonte të bënte hapësirë përmes relativizimit, ndërkohë që për të, paralelizmi i përdorur nga deputeti i “Libras” është fals. Ish-Kryeministri u shpreh se është për votën e emigrantëve, por ashtu siç përpjekjet bëhen për të mbrojtur votën brenda në Shqipëri, e njëjta gjë duhet të ndodhë edhe me votën e emigrantëve.
Votimi nëpër ambasada nuk garanton një proces të lirë dhe të besueshëm. Ky lloj votimi kompromenton procesin dhe nuk i jep integritet atij. Për zotin Berisha e vetmja rrugë është votimi online. “Ka një rrugë dhe ajo është vota online, elektronike”, ka thënë Berisha. Ai vazhdoi se kjo rrugë që nuk po merrej seriozisht në Parlament ka të paktën 12 vjet që e përdorin vendet Balltike, dhe është një sistem absolutisht shumë i thjeshtë, ndërkohë që të majtët kërkojnë ta kontrollojnë procesin përmes ambasadave. Megjithatë për Berishën kjo nuk është votë.
Më pas, ai bëri thirrje për të vendosur për votën elektronike në vend që të vazhdohet të humbet më shumë kohë. Hajde urdhëroni të vendosim këtu votën elektronike, tha zoti Berisha, të vendosim këtu edhe në shenjë respekti ndaj emigracionit. Ju shtroni problem se ç’do të thotë kjo. Merreni seriozisht këtë se, në mënyrë absolute është plotësisht e mundshme”.
Sa për justifikimet për faktorin kohë, Berisha tha se koha është e mjaftueshme dhe metodat e lejojnë.
Britania e Madhe është e tëra në dixhital dhe po ashtu janë me dhjetëra vende. India, 1 miliard e ca votues sot votojnë në dixhital. Duke përmendur fakte të tilla, Berisha bëri thirrje që ta hedhin propozimin në votim sa më parë në vend të vazhdimit me fjalë boshe. Ai gjithashtu hodhi idenë e hartimit të memorandumit të forcave politike opozitare dhe gjysmë opozitare. Kjo ka rëndësi të plotë. Gjithashtu ish-Kryeministri solli sërish në kujtesë se kanë qenë vetë ata që qeverisin sot që e kishin kërkuar një gjë të tillë kur ishin në opozitë. Edhe pse e kërkuan me shumë vonesë, qeveria e atëhershme mori çdo masë, kontraktoi kompani dhe fakt është se u zhvillua një test. Ndërkohë, tani jemi 6 muaj para dhe ka kohë plotësisht për ta aplikuar në mbarë vendin si për votimin, numërimin dhe çdo gjë. Mund të kushtojë pak më shumë, por është shumë herë më i lirë se sa problemi që zgjidh!

Qeveria të shpallë gjendjen e emergjencës

“Unë, tha zoti Berisha, jam dakord me të gjithë ata që diskutuan se problem më themelor, më kapital se sa problemi i zgjedhjeve nuk ka. Por do të kërkoj pak mirëkuptimin, pasi do të ndalem pak në një problem tjetër, i cili sot, në këto çaste, në këto momente është imediat, i gjithfuqishëm, po vepron me egërsi dhe pa mëshirë nga Jugu në Veri të vendit, ka zhytur në mungesë uji, në mungesë dritash, mungesë buke, ushqimi, ilaçesh me mijëra e mijëra familje shqiptare, kurse qevera krihet, ka marrë dheun nëpër magazinat e Italisë dhe Europës ose del për gjah. Kjo është e vërteta”.
Në fjalën e tij në Parlament ish-Kryeministri është ndalur në gjendjen ku ndodhet vendi sot për shkak të këtij dimri të egër. Ai tha se nëse kjo qeveri, nëse kjo mazhorancë do të kishte ndjeshmërinë më të vogël ndaj kësaj situate tepër të rëndë, një i ftohtë me temperatura me akuj që s’është parë në dekada, nuk do të mund kurrë të qëndronte pa shpallur gjendjen e emergjencës.
Deputetët e opozitës dhe vetë zoti Berisha tha se, kishin marrë me dhjetëra e dhjetëra sms. “Sot, vazhdoi ai, Edvin Kristaq Rama ishte në Tamarë për fushatë. Ja ku kam mesazhin që thotë se s’kanë ç’të hanë, se u janë mbaruar rezervat ushqimore. Dhe kjo është e vërteta, nuk thotë kot ai”.
Ish-Kryeministri ka ironizuar deklaratat e Ramës se janë shpërndarë 100 tonë ndihma për zonat e bllokuara. Për Berishën, një shifër e tillë është qesharake. Në fakt 100 tonë janë dy kamiona dhe ka mundësi t’i japë një organizatë, nga ato më të voglat. Propozimi i bërë nga kryetari i PD për të shpallur gjendjen e emergjencës jo vetëm që nuk u vlerësua, por u hodh poshtë me cinizëm nga Edi Rama. Gjendja është e rëndë. Njerëzit janë në kufijtë e mbijetesës. Për Berishën, kjo është vërtetë situatë emergjence ku njerëzit nuk kanë ujë, nuk kanë bukë, nuk kanë ndihmë mjekësore? Po vdesin në qytetet tona ditë për ditë njerëz të braktisur, ndërkohë që Berisha ngre pyetjen se si e ka zgjidhur qeveria? Dhe jep edhe përgjigjen: “Në mënyrën më cinike. Qytetarëve të Tiranës ju bëj një thirrje: i pyesni fëmijët tuaj se si ishin sot në klasat. Që të gjithë në klasat publike mbërdhinë së ftohti, kurse kreu i Bashkisë, që ka vjedhur paratë e ngrohjes së shkollave, del e u thotë pafytyrësisht se nga 200 shkolla vetëm 2 janë pa ngrohje, në një kohë kur dy vjet më parë nga 200 shkolla vetëm dy kishin ngrohje. Po a ka pafytyrësi më të madhe?!”
Për Berishën, vetëm një njeri që s’di se çfarë është fëmija, çfarë është shkolla e që s’di ç’është njeriu i lejon vetes të flasë në këtë mënyrë. Kurse Edi Rama del e thotë se mungesa e energjisë ka qenë më e pakta këtë vit, paçka se ka zona të tëra që kanë 7 ditë pa energji. Në këtë situatë, në këto ngrica edhe fijet këputen, edhe shtyllat shemben, janë të zakonshme këto. “Po, thotë Berisha, ka drita në Surrel, ka drita që ja paguan qeveria në Surrel. Po Teatri Kombëtar nuk jep dot shfaqje, për shkak të dritave dhe të ngrohjes, ka pezulluar aktivitetin”.

Shkollat pa ngrohje, sytë e pushtetit të veshur nga paraja

Pas një mbyllje dyjavore më në fund u hapën edhe shkollat. Në fjalën e tij në Parlament ish-Kryeministri ka folur edhe për gjendjen e shkollave në këtë dimër të acartë. Ai është shprehur i sigurtë që qeveritarët nuk i shohin ato, pasi sytë e tyre janë të veshur nga paraja. Për atë, kjo situatë është një gjë e turpshme, e paimagjinueshme. Kjo seancë duhet t’i kushtohej gjendjes emergjente. Në gjendje emergjente jo vetëm që qeveria përcakton fonde dhe destinacione, por dhe mobilizon mbi bazën e ligjit të saj resurse për të ndihmuar ata që kanë nevojë. Ai ka pyetur drejtpërdrejt deputetët e Durrësit se sa ditë ka ngelur Durrësi pa drita dhe pa ujë, ndërkohë që në qytete të tjerë thonë se kanë një javë pa ujë. Ka patur raste që kanë shkuar për të thyer akullin e rrugës për ta shkrirë që të marrin ujë.
“Po si mund të ketë gjendje emergjente, ka thënë Berisha, kur në Surrel energjia nuk mungon se e ka me lidhje të trefishtë? Si mund të ketë gjendje emergjente, kur kreu i Bashkisë me pafytyrësi del dhe thotë se vetëm në dy shkolla nga 200 nuk ka ngrohje?” Në të gjitha shkollat në fakt nuk ka ngrohje dhe për këtë, ai i ftoi deputetët që të shkojnë e ta shohin situatën nga afër, duke shkelur nëpër shkolla.
Gjendja e mediave është e nderë. Kryebashkiaku ua ka mbyllur gojën. Shkollat ja u mbyllën dyert mediave, duke patur frikë të tregojnë se ç’ndodh. Kjo është një situatë shumë e rëndë dhe për këtë arsye, Berisha e sheh si domosdoshmëri shpalljen e gjendjes së emergjencës.
Në këtë gjendje alarmante nuk mund të përjashtohet as biznesi. Ai ndodhet në një gjendje alarmante. Nuk mund të pretendohet se janë kushte normale për të bërë biznes në zonat e Veriut sidomos dhe zoti Berisha mori si shembull rrethin e Peshkopisë. Ai në fakt jo vetëm bëri thirrje për shpallje të gjendjes së emergjencës, por i bëri thirrje qeverisë që të përjashtojë bizneset nga taksat për sa kohë që ndodhen në një situatë të tillë.

Redin HAFIZI

Exit mobile version