Basha: 2017 viti i pranverës së ndryshimit për shqiptarët

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka paralajmëruar dje se kjo do të jetë pranvera e ndryshimit për Shqipërinë dhe shqiptarët. Zoti Basha i bëri këto deklarata përpara zhvillimit të mbledhjes së Kryesisë së Partisë Demokratike dhe një ditë përpara nisjes së tij për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku do të marrë pjesë në ceremoninë e presidentit të ri, Donald Trump. “Ky dimër i ashpër fizik, i cili edhe në këto momente shkakton vështirësi për qytetarët, padyshim do apo nuk do Edi Rama, do t’i lërë vendin pranverës. Ky dimër 3-vjeçar politik do t’i lërë vendin një pranvere politike ndryshimesh të mëdha për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ne së bashku do t’i prijmë këtij ndryshimi”, tha Basha.

Zgjedhjet e lira

Motoja e PD këtë vit do të jetë garantimi i zgjedhjeve të lira dhe me standardet që aplikojnë të gjitha vendet e Bashkimit Europian. Alpha dhe omega e zhvillimit të një vendi, sipas Bashës, është garancia që çdo votë të shkojë atje ku e mendon qytetari dhe si zgjidhje për të parandaluar fenomenet e zgjedhjeve të mëparshme. Kreu i PD ofron si alternativë votimin elektorik. Madje kjo ishte dhe tema e diskutimit ditën e djeshme me krerët e partive aleate, ku siç lajmëroi kreu i opozitës është nënshkruar dhe një memorandum mes palëve. “Mbledhja e sotme i dedikohet tërësisht përgatitjes të strukturave të Partisë Demokratike për një proces të ndershëm dhe të lirë zgjedhor, dhe për fushatën fituese të PD dhe opozitës, në zgjedhjet e ardhshme, në zgjedhjet e ndryshimit të madh që pret dhe dëshiron çdo shqiptar.. Në raport me përgatitjet e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, sot në këtë sallë opozita e bashkuar ka nënshkruar një memorandum, i cili trajton çështjen më të rëndësishme për Shqipërinë dhe shqiptarët, jo vetëm për opozitën: Lirinë e votës, pamundësinë për ta vjedhur apo tjetërsuar atë. Sepse të gjithë e dimë që problemi më i madh në këtë vend është shitblerja e votës dhe me mazhorancën aktuale, kjo është kthyer në një industri të vërtetë. Dhe në propozimet tona kryesore ku hyjnë: zbatimi i ligjit të dekriminalizimit, mospërdorimi i mjeteve, resurseve shtetërore në fushatë, kriminalizimi i resurseve shtetërore në fushatë, aksesi mediatik i barabartë, masat për t’iu kundërvënë sjelljeve të paligjshme të shtetit, në veçanti segmenteve të kriminalizuara të policisë dhe shërbimeve të tjera shtetërore; spikat, propozimi ynë për votim elektronik dhe numërim elektronik. Një propozim tashmë i bërë zyrtar që më datën 17 maj të vitit të kaluar dhe që jep i zgjidhje përfundimtare disa prej problemeve në zgjedhje, problemeve kryesore në zgjedhje.
Duke votuar me shenjën e gishtit, siç e mundëson sot teknologjia, asnjë shqiptari nuk do t’i mohohet më e drejta për të votuar, çdokush do të mund të votojë.
Mbledhja e kartave nga reparte kriminale të lidhura me pushtetin, blerja e tyre nuk do të funksionojë. Nuk do të funksionojë as mekanizmi i tyre i votuesve shëtitës, i votimit të shumëfishtë, i votimit tjetër për tjetër, çdo qytetar do të mund të votojë, askush nuk do të mund të votojë për dikë tjetër.
Dhe së dyti, askush nuk do të mund të fusë më duart tek votat e shqiptarëve. Nuk do të ketë kuti votimi për të futur duart dhe nuk do të ketë mundësi që ushtritë e kriminelëve apo militantëve të tjetërsojnë vullnetin e votuesve.
Si të votojnë qytetarët shqiptarë, ashtu do të lexohet vota. Qytetarët do të vendosin, jo militantët, as kriminelët, as korporatat e korrupsionit dhe fasadave.
Procesi i garantimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është një betejë që PD bashkë me aleatët, bashkë me çdo qytetar do ta luftojë dhe do ta fitojë. Do ta fitojmë së bashku këtë betejë, jo për veten tonë.
Baltë është hedhur dhe mund të hidhet, sulme, shpifje, gënjeshtra, justifikime nga më të ndryshmet, nga ata që nuk e duan votën e lirë të qytetarëve. Por shqiptarëve iu kam borxh t’ju them se çfarë propozojnë, nëse nuk pranojnë votimin elektronik. Nëse ka një propozim më të mirë, jemi të gatshëm ta dëgjojmë dhe ta pranojmë. Përndryshe, nuk tërhiqemi nga kjo betejë.
Ne, këtë betejë nuk e luftojmë për veten tonë. Ndaj, shpifjet, sulmet, denigrimet e atyre që mbrojnë interesat e hajdutëve dhe kriminelëve të veshur me pushtet nuk na bëjnë përshtypje. Ne e luftojmë këtë betejë për qytetarët shqiptarë, për çdo qytetar, jo vetëm për demokratët, por për çdo shqiptar”, tha kreu i PD-së.

E gjithë PD në terren për të dëgjuar zërin e qytetarit

Kreu i PD-së foli dhe për përgatitjen e fushatës elektorale, ku sipas tij të gjitha strukturat e PD-së do të zbresin në terren për të dëgjuar zërin e qytetarit. “Në funksion të rakordimit opozitar, kjo Kryesi, Këshilli Kombëtar i PD, të gjitha strukturat e PD, do të angazhohen në një dialog të drejtpërdrejtë jo vetëm me votuesit dhe simpatizantët e PD, opozitarë, por me gjithë qytetarët shqiptarë sepse është detyrë e çdo qytetari shqiptar të luftojë së bashku me ne e të sigurojmë lirinë e votës, votën e lirë. Pa të cilën nuk mund të ketë as qeveri të përgjegjshme, as ekonomi të shëndoshë, as të nesërme të sigurtë për ta dhe për fëmijët e tyre.
Një çështje tjetër e rëndësishme, të cilën pritet diskutimi dhe vendimmarrja e Kryesisë sot, ka të bëjë me procesin e mbledhjes së propozimeve për kandidatët për deputetë të PD, për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Pas konsultimeve me të gjitha grupet e punës që janë ngritur për këtë qëllim, propozimi im, siç edhe e kam shpallur publikisht, është për një konsultim të hapur, jo vetëm me strukturat e PD, seksionet, grupseksionet, degët, por për një konsultim të hapur me qytetarët, me mbështetësit tanë, me simpatizantët tanë apo edhe me të gjithë qytetarët, po kështu me shoqërinë civile dhe botën akademike dhe studentore dhe botën e sipërmarrjes së ndershme, me të përndjekurit politikë, me të rinjtë, me pronarët, me moshën e tretë, me pensionistët, me fermerët, me organizatat jofitimprurëse, të vërtetat dhe jo ato falsot që i bëjnë fresk qeverisë nga mëngjesi deri në darkë.
Pra, me të gjithë Shqipërinë, për një proces sa më të hapur të evidentimit të njerëzve që gëzojnë respektin dhe reputacionin e panjollosur në komunitet, kapacitetet morale dhe profesionale për të përfaqësuar vlerat dhe idealet e larta me të cilat ka lindur kjo parti dhe për të cilat qëndron kjo parti.
Që procesi të jetë sa më i hapur, përveç rrugës statutore që do të ndiqet sipas përcaktimit në statut dhe kjo do të monitorohet, jo për fasadë se partinë e fasadës e kemi në anën tjetër të bulevardit, por që në të vërtetë çdokujt t’i jepet mundësia për të propozuar, për të dhënë mendimin e tij për kandidatët e mundshëm të Partisë Demokratike”.

Vetting kandidaturave të PD që do përfaqësojnë zgjedhësit

Kreu i PD-së, u shpreh dhe në lidhje me kontrollin që do i bëhet të gjithë emrave që do të përfaqësojnë listën e demokratëve në zgjedhje. “Përveç kësaj, kjo mundësi do të ekzistojë edhe drejtpërdrejt për anëtarësinë e Partisë Demokratike dhe për çdo qytetar përmes një aplikacioni të posaçëm në faqen e Partisë Demokratike online, tek pd.al.
Ky proces duhet të përfundojë, përsa i përket strukturës, brenda datës 15 shkurt.
Kandidatët e Partisë Demokratike, lista e kandidatëve, të cilën unë do të kem nderin t’i kryesoj në këtë betejë për një Shqipëri ndryshe dhe për një ndryshim në Shqipëri, do t’i nënshtrohet një procesi vettingu, kontrolli të imtësishëm, sipas standardeve më strikte dhe praktikave më të avancuara amerikane, me ekspertë të cilët kanë qenë në bashkëpunim të ngushtë me mua dhe përmes këtij bashkëpunimi dhe në bashkëpunim me Komisionin e Kontrollit të Integritetit dhe Etikës drejtuar nga Dr. Halim Kosova, do të bëjmë të mundur që çdo demokrate dhe demokrat, anëtar kartëmbajtës i Partisë Demokratike, të flejë i qetë, dhe të jetë i qetë dhe ballëlartë, se kandidatët e Partisë Demokratike, janë të pastër si kristali. Një proces vettingu i hollësishëm, që shkon përtej kërkesave të vettingut për drejtësinë, përtej kërkesave të ligjit për dekriminalizimin, që përfshin natyrisht edhe vettingun e të kaluarës në diktaturë dhe që siguron një listë dinjitoze, përfaqësuese të aspiratave më të mira të të rinjve shqiptarë, të nënave dhe baballarëve, të gjysheve dhe gjyshërve dhe të brezave që vijnë.
Të mos bëjmë asnjë gabim, zonja dhe zotërinj të Kryesisë. Kjo është një pikë kthese fondamentale, jo thjesht me potencialin, por me detyrën për të eliminuar plotësisht çdo njollë kriminaliteti, korrupsioni apo bashkëpunimi me organet e diktaturës nga lista e ardhshme e Partisë Demokratike të Shqipërisë.
Asnjë surprizë, përveç  vullnetit të pastër të qytetarëve, të anëtarëve, simpantizantëve dhe strukturave të Partisë Demokratike, kapaciteteve më të mira profesionale, vlerave më të larta njerëzore, morale, shoqërore dhe patriotizmit.
Këtë pres, këtë kërkoj dhe këtë do të arrijmë, përmes një procesi të tillë, të vettingut të plotë të listës së ardhshme të kandidatëve të Partisë Demokratike”.

Exit mobile version