Gjiknuri në Prokurori: Pushoni hetimin për blerje votash në Dibër

Ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri është paraqitur në Prokurorinë e Përgjithshme mesditën e djeshme për një takim me kryeprokurorin, Adriatik Llalla. Burime nga Prokuroria kanë bërë të ditur se, Gjiknuri ka shkuar në Prokurori për hetimin që është hapur ndaj tij në lidhje me çështjen e zgjedhjeve në Dibër, ku PD ka depozituar një padi për blerje votash.
Sipas burimeve nga organi i akuzës, Gjiknuri i ka kërkuar kryeprokurorit Llalla që të pushojë dosjen e hetimit për blerjen e votave në zgjedhjet e shtatorit për Bashkinë e Dibrës. Ministri Gjiknuri ka qenë ai që ka udhëhequr fushatën e PS në zgjedhjet e parakohshme për Bashkinë e Peshkopisë.
Dëshmitarë që kanë qenë të pranishëm tek institucioni qendror i akuzës kanë dërguar në redaksinë e SYRI.net edhe pamjet kur ministri Gjiknuri shkon tek Llalla që t’i kërkojë mbylljen e dosjes së hetimit për blerjen e votave gjatë zgjedhjeve në Dibër. Nuk ka pasur asnjë njoftim zyrtar për këtë takim, ndërsa burime zyrtare nga Prokuroria janë shprehur se, Gjiknuri ka ardhur për çështje institucionale.
Partia Demokratike dorëzoi në fillim të muajit shtator një kallëzim penal në Prokurori, për një grup të strukturuar kriminal, i cili blen vota dhe kanosin votuesit dibranë për llogari të kandidatit Muharrem Rama. Me emra të përveçëm, Partia Demokratike ka renditur faktet se si prej mbi 10 ditësh ky grup po ushtron presion tek votuesit në Dibër, duke aplikuar skemën kriminale të blerjes së votës, por edhe të kanosjes direkte të qytetarëve dibranë. Ky grup kriminal i përbërë nga drejtues të administratës publike, të tatimeve, shefi i policisë e deri tek mjeku i KEMP-it, janë vënë në shërbim të skemës kriminale për blerjen e zgjedhjeve në Dibër.
Në kallëzimin penal, Partia Demokratike i kërkoi Prokurorisë të nisë menjëherë hetimet për të vënë përpara përgjegjësisë grabitësit e votës së lirë nën drejtimin e udhëheqësit të fushatës së PS, Damian Gjiknuri. Konkretisht, nga të dhënat e mbledhura nga banorët e këtyre zonave, rezulton se shtetasi Dionis Ymeri, me detyrë drejtor i Drejtorisë Rajonale të Tatimeve në Dibër, është personi përgjegjës i ngarkuar me detyrën e sigurimit të fondeve financiare për blerjen e votave, si dhe është duke realizuar vepimtarinë kriminale të shpërndarjes së parave në zonat e Sllovës dhe Kalasë së Dodës. Ky shtetas rezulton nga verifikimi dhe raportimet e banorëve të zonës, se ka marrë kontakt me qytetarë të ndryshëm të kësaj zone, duke ofruar para në këmbim të votave për kandidatin e ASHE, Muharrem Rama. Gjithashtu, ky shtetas furnizon me mjete financiare edhe personat e mëposhtëm, që janë të ngarkuar me detyrën e shpërndarjes së parave në këmbim të votës në zona të ndryshme të Bashkisë Dibër. Nga ana tjetër, pjesë e këtij grupi të strukturuar kriminal, janë edhe 3 persona që mbajnë funksione publike dhe të angazhuar në veprimtarinë kriminale të kanosjes së zgjedhësve, kryesisht punonjësve të administratës publike, ku përfshihen, por pa u kufizuar, punonjësit e arsimit dhe ato të shëndetësisë.

Exit mobile version