Zjarre të qëllimshme, digjen sipërfaqe me pyje në Fier dhe Elbasan

Vatra të reja zjarri të qëllimshme në vend. Bëhet e ditur se, përgjatë orëve të pasdites së djeshme në të gjithë vendin ka pasur 3 vatra zjarri në pyjet e Qarkut Fier dhe Elbasanit. Shërbimet zjarrfikëse kanë ndërhyrë për të shuar flakët pavarësisht vështirësive të terrenit. Në fshatin Lekaj, Njësia Administrative Hysgjokaj, Lushnjë ka rënë zjarr në një masiv me pisha. Flakët të ndihmuara edhe nga era e fortë janë përhapur me shpejtësi. Në vendngjarje kanë mbërritur 4 mjete zjarrfikëse, 2 nga Bashkia Lushnjë, 1 nga Fieri dhe 1 nga Kavaja.
Si pasojë e flakëve është djegur një sipërfaqe prej rreth 10 ha me shkurre dhe pisha. Aktualisht, zjarri është izoluar dhe po punohet për shuarjen e tij. Sipas informacioneve paraprake dyshohet se zjarri ka qenë i qëllimshëm.
Vatra tjetër e zjarrit në Qarkun e Fierit ka rënë në një sipërfaqe me pisha në fshatin Gjorgos, Cakran, Fier. Në vendngjarje kanë shkuar zjarrfikëset e Fierit dhe ato të Patosit për të shuar flakët.
Në fshatin Hasmashaj, Njësia Administrative Gjocaj, Peqin ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Pas ndërhyrjes së zjarrfikësve, flakët janë vendosur nën kontroll dhe zjarri është shkuar. Si pasojë e zjarrit, një sipërfaqe prej rreth 3 ha me shkurre është djegur.
Në fshatin Bogovë, ra zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Shërbimi vendor i MZSH Skrapar shkoi në vendngjarje dhe punoi me mjete rrethanore për shuarjen e zjarrit për shkak të terrenit të thyer malor. Në ndihmë për shuarjen e zjarrit shkuan dhe banorë të zonës. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 0.3 ha me shkurre dhe pisha.
Shuhet një zjarr i përmasave të mëdha në kodrat pranë fshatit Dishnicë në Korçë. Policia ka shoqëruar në Komisariatin e Policisë autorin e dyshuar për zjarrëvënien, shtetasin P.H, 17 vjeç banues në fshatin Belorta, i cili po merret në pyetje në lidhje me ngjarjen.
Dyshohet se zjarri në pyll është shkaktuar nga një cigare e hedhur në pyll nga pakujdesia e adoleshentit, kur ka qenë duke kullotur bagëtitë, i cili më pas mori përmasa të konsiderueshme.
“Më datë 03.07.2017 në portalin e Komisariatit Dixhital ka ardhur një raportim nga një qytetar, sipas të cilit në kodrat pranë fshatit Dishnicë, ka rënë zjarr. Menjëherë u njoftuan shërbimet e Policisë dhe Emergjencat Civile, të cilat shkuan në vendin e ngjarjes. Si rezultat i ndërhyrjes së shpejtë dhe efikase, u bë i mundur parandalimi i përhapjes të mëtejshme të flakëve, lokalizimi dhe më pas shuarja e zjarrit”. Nga ana e policisë po punohet për dokumentimin e plotë të ngjarjes, ndërsa materialet do t`i kalojnë Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprime të mëtejshme.

Exit mobile version