Tërmeti lë Memaliajn pa ujë, gati të shpërthejë epidemia

Memaliaj ka më shumë se një muaj që vuan mungesën e ujit të pijshëm, ndërsa situata sa vjen dhe bëhet më alarmante. Për këtë arsye, banorët kanë protestuar ditën e djeshme para Bashkisë. Banorët shprehen se mungesa e ujit të pijshëm i ka detyruar të mbushin ujë në lumin e Vjosës. Për këtë gjendje të krijuar, banorët kanë kërkuar që Memaliaj të mos jetë më nën varësinë e Ujësjellës-Kanalizimeve Tepelenë. Ndërkohë, drejtori i Ujësjellës-Kanalizimeve Tepelenë thotë se, problemi ka ndodhur për shkak të thatësirës. Po ashtu, ai është shprehur se problem më vete është përdorimi i ujit të pijshëm për vaditje.
Për këtë situatë katastrofike ka reaguar edhe ish-Kryeministri Berisha. “Gjendje katastrofe për ujë të pijshëm në Memaliaj! Tërmeti ndëshkon qytetin me vetëm 1 orë ujë në 24 orë!”, shkruan Berisha në një postim në Facebook, duke bërë publik edhe një mesazh të ardhur nga ky qytet.
“Të dashur miq, qytetin e Memaliaj e kërcënon realisht një epidemi e rëndë për shkak të kushteve higjienike shumë të këqija që ka krijuar ndërprerja pothuaj e plotë e ujit të pijshëm nga Tërmeti i Edi Ramës. Nuk ka dyshim që thatësira ndikuar shumë në burimet e Ujësjellësit të Tepelenës, por shkak më kryesor është keqmenaxhimi i tij dhe qëndrimi i papërgjegjshëm i Tërmetit të Partisë, që e ka mendjen jo tek furnizimi me ujë i qytetarëve, por i arave të kanabisit. I bëj thirrje Prokurorisë të nisë hetimin menjëherë për të nxjerrë shkaqet dhe përgjegjësit e vërtetë të situatës tejet kërcënuese për shëndetin që kalojnë banorët e qytetit Memaliaj.
Lexoni përshkrimin e gjendjes nga qytetari dixhital!”, shkruan Berisha.
“Do ju lutesha shumë të vinit në Memaliaj për një investigim, sepse ka ndodh një skandal midis Memaliajt dhe Tepelenës. Ujin Memaliaj që e merr nga Tepelena dhe ka dy muaj nuk e lejon më 24 orë, por vetëm 1 orë në ditë isha dje në një lokal te “Taverna Serena” në Memaliaj porosis një kriko, tha nuk kam, sepse s’kam ujë të laj gotat. Ok, mora një birrë të mbyllur dhe shkova pas pak në tualet aty ishte një erë dhe një pisllëk pa fund. Bleva ujë që lava duart, sepse nuk kishte as për duart, jo më t’i hidhje banjës. Jemi qytet që rrethohemi nga uji dhe është skandal në 2017 mos të kesh kushtin e parë jetik, ujin. Bëni diçka se po na marrin shpirtin këta matrapazët Tërmet Peçi dhe Arben Kaçorri”, shkruan qytetari nga Memaliaj.
Banorët e Memaliajt protestuan para Bashkisë, si pasojë e mungesës së ujit të pijshëm prej një muaji. “Kemi probleme me ujin. Blemë ujë me lekë. Qyteti i Memaliajt nuk ka ujë. Është hedhur 1 miliard lekë për Memaliajn dhe e marrin të fortët në Tepelenë”, thotë një qytetar. Nënkryetari i Bashkisë së Memaliajt, Fetah Hoxha thotë se, mungesa e ujit të pijshëm ka ardhur si pasojë e rrjetit të amortizuar dhe nga ndërhyrjet e paligjshme që krijojnë humbje në rrjet. Isha vetë pjesëtar i kësaj proteste që banorët u mblodhën përpara Bashkisë. Kjo është situatë emergjente, sepse flitet për ujin që është jetike për jetën e banorëve. Një problem kryesor me sa duket është një investim i para disa viteve, i cili nuk rezulton i saktë për të marrë sasinë e ujit, sepse mungon rrjeti i brendshëm”, u shpreh nënkryetari i Bashkisë.
Problemet me ujin e pijshëm vijnë ndërkohë që pak vjet më parë, në Ujësjellësin e Memaliajt janë investuar rreth 1 milion euro. Problemi thellohet edhe nga shpërdorimi i ujit të pijshëm për vaditje dhe ndërhyrjet e paligjshme në rrjet. Ujësjellësi Tepelenë ka rreth 4000 abonentë familjarë dhe biznese, 74% prej të cilëve paguajnë detyrimet. Qyteti i Memaliajt i shlyen faturat vetëm në masën 45%.

Exit mobile version