Veliaj, gati të rrisë në 700 lekë çmimin e biletave të urbanëve

Bashkia e Tiranës pritet të rrisë përsëri çmimin e biletave të autobusëve urbanë. Implementimi i biletës elektronike nga Veliaj ka detyruar operatorët që ofrojnë këtë shërbim që të rrisnin çmimin e biletës së urbanëve nga 400 lekë që është aktualisht në 700 të vjetra. Pas lançimit të masave të marra nga Bashkia e Tiranës, përfaqësuesi i Shoqatës së Transportit Qytetas, Ervin Shijaku, në një intervistë për TV SCAN theksoi se në këto kushte, operatorët do të jenë të detyruar të kërkojnë rritje të çmimit të biletës së urbanëve.
Propozimi i operatorëve është konkret, duke tentuar që bileta të shkojë rreth 700 lekë, nga 400 që është aktualisht. Bashkia e Tiranës ka premtuar se kjo reformë nuk do të sjellë kosto të shtuara për qytetarët, por operatorët janë të bindur se me implementimin e biletës elektronike, rritja e çmimit të biletës është e pashmangshme.
Shoqata e Transporteve i ka kërkuar publikisht Bashkisë së Tiranës rritjen e çmimit të biletës edhe për shkak të zgjatjes së linjave drejt periferive dhe shtimit të kostove për ta. Kërkesa vjen, pasi ky shpenzim nuk mbulohet nga indeksimi i çmimit të një viti më parë që bëri Bashkia e Tiranës.
Po ashtu, Shoqata e Transportit kërkoi rritje të lejes nga 5-10 vite që investimi i tyre të jetë i sigurt. Drejtori i Transportit në Bashkinë e Tiranës ka pranuar problemet me linjat urbane. Transporti në Tiranë, strukturë mikse dhe kaotike, licenca të shumta nga komunat dhe bashkia dhe organizim kaotik dhe miksim i transportit publik me atë privat. Deri në fund të vitit do të vijojë kjo situatë për shkak të rikonceptimit me faza.
Kërkesa e operatorëve për rritjen e çmimit të biletave të autobusëve urbanë do t’i shkojë zyrtarisht kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Bëhet e ditur se, Shoqata e Transporteve do t’i kërkojë Bashkisë së Tiranës rritjen e çmimit të biletës me 300 lekë të vjetra. Po ashtu edhe çmimi i aboneve është kërkuar që të rritet deri në 20 mijë lekë për autobusat një linjëshe dhe 26 mijë lekë aboneja e përgjithshme.
Çmimi i biletave të autobusëve urbanë u rrit më 1 shkurt të vitit të kaluar nga Bashkia e Tiranës vetëm me votat e këshilltarëve të majtë në Këshillin Bashkiak. Bileta u rrit me 10 lekë, abonetë mujore të një linje u rritën me 75%, pra qytetarët nga 800 lekë që ishte aboneja paguajnë 1400 lekë si dhe është rritur me 50% aboneja e përgjithshme, pra nga 1200 lekë në1800 lekë.
Ndryshimi i çmimeve të biletave ditore dhe mujore të transportit urban janë miratuar nga Këshilli Bashkiak i Tiranës në datën 30 dhjetor 2015 vetëm me votat e këshilltarëve të majtë. Kontrolli i Lartë i Shtetit gjeti shkelje në rritjen e çmimit të biletave të autobusëve urbanë dhe i kërkon Bashkisë së Tiranës të anulojë rritjen e çmimit.
Ndonëse çmimi i biletës është rritur dhe pritet të rritet sërish, shërbimi i transportit urban në Tiranë është në kushte mizerabël. Sipas qytetarëve, problemet janë nga më të ndryshmet, por kryesorja është fakti se nuk respektohen oraret dhe autobusët ecin shumë ngadalë, sidomos linja e Tiranës së Re, gjithashtu të gjitha linjat janë të mbingarkuara, pasi autobusët tejmbushen me pasagjerë.
Po ashtu, tjetër problem është numri i lartë i personave që udhëtojnë në një autobus urban, duke bërë që personat të udhëtojnë “nën frymën” e njëri-tjetrit si dhe duke krijuar shpesh situata kaotike për shkak të vonesave. Tepër shqetësuese për qytetarët është edhe fakti që lëvizjet e autobusit urban në qytete janë shoqëruar nga vjedhje të shpeshta të urbanëve në Tiranë.

R.POLISI

Exit mobile version