Tronditet Tirana, 600 gram tritol banesës së ish-drejtorit

Një shpërthim me tritol ka tronditur orët e parë të mëngjesit të djeshëm kryeqytetin. Sipas burimeve, shpërthimi ka ndodhur në rrugën “Margarita Tutuani” tek Tirana e Re rreth orës 01:30, në katin e pestë të një pallati. Policia bëri të ditur se rreth 600 gram tritol i ishte vendosur banesës së shtetasit Naim Kaçorri, ish-drejtor i Albtelekomit Durrës. Tritoli është vendosur nga një person i maskuar, ndërsa një grua është lënduar nga forca e shpërthimit dhe ka shpëtuar mirë, pasi e ka ruajtur dera. Policia tha se, ka nisur hetimet për ngjarjen, ndërsa ende nuk dihen shkaqet e shpërthimit.
Të njëjtat burime thonë se nga shpërthimi është dëmtuar edhe ashensori i pallatit, dyer e dritare. Ndërkohë pak orë pas vendosjes së sasisë së eksplozivit në pallat, policia ka sekuestruar kamerën e një pallati që ka mundur të fiksojë momentin e vendosjes së eksplozivit. Në kamera duket një person i maskuar, i veshur me të zeza, i cili vendos afër banesës së Naim Koçarit një sasi lënde eksplozive të tipit tritol, të lidhur me një fitil. Pas kësaj ai është larguar me shpejtësi.
Në momentin e shpërthimit në korridor ka qenë dhe një banore e pallatit, e cila nga forca shpërthyese është përplasur pas një dere dhe është rrëzuar. Policia ka marrë në pyetje pronarin e banesës ku iu vendos tritoli, i cili ka deklaruar se nuk ka konflikte me asnjë person. Po ashtu janë pyetur edhe banorët e pallatit.
Ish¬-drejtori i Postës dhe Telekomunikacionit, Naim Kaçorri ka hedhur poshtë dyshimet se tritoli është vendosur në derën e banesës së tij. Ai tha se tritoli është vendosur në katin ku edhe ai banon të pallatit, por nuk ka qenë ai objektivi. Ish-¬drejtori i Albtelekom, dega Durrës (në kohën kur ishte shtetëror) thotë se as ai dhe as i biri që jeton në Spanjë nuk kanë konflikte apo hasmëri me njeri.
Ngjarja ka ndodhur pas mesnate, rreth orës 01:30 në rrugën “Margarita Tutulani”, pranë shkollës “Petro Nini Luarasi”. Rreth 600 gr tritol është vendosur pranë derës së Kaçorrit, në shesh-pushimin e shkallëve. Burime pranë policisë bëjnë me dije sa djali i Naim Kaçorrit ndodhet prej vitesh në Spanjë dhe dyshohet se është përfshirë në veprimtari të paligjshme, fakt i cili sipas policisë mund të jetë shkaku i ngjarjes së një nate më parë.

Exit mobile version