Tritol zyrës së LSI në Durrës, Koka: Janë zagarët e “Rilindjes”

Një shpërthim i fortë ka ndodhur në lagjen Nr.18 në qytetin e Durrësit gjatë natës së mbrëmshme. Shpërthimi ka ardhur si pasojë e vendosjes së një lënde eksplozive , në pjesën hyrëse të zyrës elektorale të LSI-së.
Menjëherë pas shpërthimit ka shkuar në vendngjaje grupi hetimor dhe pas këqyrjes rezultoi se nuk ka viktima, por vetëm dëme materiale. Për veprime më të specializuara në lidhje me llojin dhe sasinë e lëndës plasëse po kryhen veprimet nga ekspertët antieksploziv.
Uniformat blu nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit po kryejnë të gjitha veprimet e duhura hetimore me qëllim identifikimin, kapjen e autorëve dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes. Ky shpërthim me eksploziv i vënë në zyrën elektorale të LSI-së vjen disa orë, pasi kjo parti mbajti një miting në qytetin e Durrësit.
Ministri i LSI, Lefter Koka ka reaguar pas shpërthimit që ndodhi në zyrën elektorale në Durrës. Gjatë një deklarate për mediat, Koka e cilësoi aktin si një vepër të zagarëve të rilindjes, duke akuzuar kështu drejtpërdrejt Partinë Socialiste.
“Ngjarja vjen pas thirrjes së eksponentëve kryesorë të Partisë Socialiste, të cilët i bëjnë thirrje policisë që pas orarit të punës të bëjnë veprimtarinë tjetër të vendosjes së tritolit. Do t’i bëja thirrje socialistëve të ndershëm se kemi kaluar probleme të kësaj natyre në vitin 1997. Unë jam i bindur se, nuk janë ata që dëshirojnë këtë situatë. Atë që ne e kemi pagëzuar me emrin “Rilindja” është një grup shumë i vogël, të cilëve i bëj thirrje që të mos luajnë, sepse të rinjtë dhe të rejat e LSI do frenojnë me çdo mënyrë këta zagarë, të cilët kërkojnë të deformojnë votën”, u shpreh Koka.

Exit mobile version