Tragjedia me 3 viktima në Torovicë, shkëmbi u shkëput nga erozioni

Erozioni dhe mungesa e bimësisë janë sipas eksperteve gjeologjik arsyet pse shkëmbi u shkëput nga mali, duke shkaktuar tre të vdekur. Sipas tyre, në të dy anët e malit përgjatë rrugës Lezhë-Torovicë ka rrezikshmëri për udhëtarët që kalojnë aty dhe banorët. Masivi 20 tonësh që ra nga lartësia e malit goditi fuqishëm furistradën që po lëvizte në Torovicë të Lezhës.
Pasojat ishin aq tronditëse saqë edhe ekspertët e policisë e patën të vështirë këqyrjen e vendit të ngjarjes.
Kjo tragjedi vazhdon të mbajë të mbërthyer banorët e zonës. Disa prej tyre thonë se panë tmerr me sy. “Ja aty tek ura, e kam parë punë 10 sekondash ka rënë nga aty këtu. Madje e kishte marrë drejtimin këtu (pak më tutje), por e devijoi kjo lugina dhe erdhi këtu. Thamë se ra tërmet në lagje të re”, u shpreh një nga banorët.
Për banorët, prerja e pyjeve u bë shkak që menjëherë pas reshjeve të shiut të shkëputej shkëmbi. Një prej tyre thotë se kështu ka ndodhur edhe herë të tjera.“Bien, bien ndonjëherë…, tha ai”.
“Kanë rënë gjithmonë gurët, bien sepse është shkëmb këtu. Është zhveshur, digjet për çdo vit mali, nuk ka sesi të mos bien gurët”, tha banori.
Menjëherë pas verifikimeve që do të bëhen në zonë pritet të përcaktohet edhe nevoja e ndërhyrjes për shmangien e përsëritjes së ngjarjeve të tilla. Tre viktimat ishin dy vëllezërit Valentin, Edmond dhe nusja Aida Zefi nga Rraboshta.

Exit mobile version