A ka ndonjë shpjegim “lajthitja’ shqiptare, me ndërtimet dhe çmimet e banesave?!

Nga Aranit Muraçi

Numri i banorëve në Shqipëri është tkurrur me rreth 400 mijë banorë për 12 vite, mes vitit 2011-2023, sipas të dhënave të Censit 2023. Nga ana tjetër stoku i banesave në të njëjtën periudhë është rritur me gati 400 mijë.

Censi vlerësoi se në territorin shqiptar nga regjistrimi i nisur më 18 shtator 2023 jetonin 2,412,113 banorë, të cilët përbëjnë 755 950 familje, me madhësi mesatare 3.2 anëtarë për familje, dhe jetojnë në 1,082,529 banesa të zakonshme (nga 686, 405 banesa që ishin në 2011).

Janë larguar nga vendi gjatë 12 viteve të fundit rreth 50 mijë banorë çdo vit, kryesisht të rinjtë dhe fuqia më aktive e krahut të punës, ose mosha më e interesuar për të blerë një banesë të re.

E ndërsa popullsia ka pësuar një rënie historike gjatë dekadës së fundit, edhe rritja e numrit të banesave është po ashtu historike, por paradoksalisht çmimi i banesave gjatë dekadës së fundit është dyfishuar, kryesisht në Tiranë.

Nga viti 2011 deri në 2023, sipas të dhënave të Censit, vendit tonë i janë shtuar 70 mijë banesa.

Sipas të dhënave të INSTAT, nga Censi i banesave 2023, nga 1 milionë e 82 mijë banesa, 726 mijë rezultuan të banuara. Në pjesën tjetër prej 356 mijë anketuesit nuk gjetën banorë brenda.
Duke i ndarë në kategori, INSTAT raporton se përqindja më e lartë e shtëpive të pabanuara rezulton në pallate. Të dhënat e Censit 2023 tregojnë se 39.4 për qind e apartamenteve rezultojnë bosh. Ose e llogaritur ndryshe janë gati 171 mijë apartamente bosh në mbarë vendin. Kjo tregon për një stok të madh pronash të pa shitura, ndërkohë që çmimet kanë arritur në shifra rekord dhe vazhdojnë të rriten.

E ndërsa ndërtimet bashkë me stokun e banesave shtohen shqiptarët jetojnë në banesa të vogla dhe të mbipopulluara, sipas të dhënave të fundit, pasi 47.1% e tyre janë me madhësi 40-69 metër katror, ndjekur nga 23.7% me sipërfaqe banimi 70-99 metër katror. Sipas të dhënave të Censit afro 26.1% e këtyre banesave janë ndërtuar para vitit 1981, ndjekur nga 37.5% janë ndërtuar nga viti 1981 deri në vitin 2000, dhe 36.4% janë ndërtuar nga viti 2001. Në 82.5% të pronave të banuara familja ishte pronare, në 8% ishte me qira dhe 8.7% kishin marrëveshje tjetër banimi.

Popullsia në rënie historike, oferta e banesave në rritje historike, çmimi i banesave në rritje historike?!

Kush i ka blerë dhe po i blen banesat që shtohen?!

Si shpjegohet?!

Mund të jenë tri faktorët: e para, si rezultatet i ‘çunave’ të Londrës që po zbatojnë me përpikmëri dhe pa “zhurmë” Amnistinë Fiskale deri në 2 milionë euro të cilën e propozoi dy vite më parë qeveria por e rrëzoi BE, ose Shqipëria është kthyer në një ‘parajsë’ për pensionistët italianë dhe ata europianë (të cilët po e zgjedhin gjithmonë e më shumë vendin tonë si banesën e tyre të fundit), ose shqiptarët janë pasuruar dhe janë ‘çmendur’ aq shumë gjatë dekadës së fundit saqë të gjitha kursimet po i çojnë për blerjen e një banese të dytë e kështu me radhë, në pritje të shpërthimit të “piramidës së banesave”.

Për të shpjeguar arsyet e dyfishimit paradoksal të çmimit të banesave të tre faktorët mund të kenë ndikuar, pa e ditur se cili më pak e cili më tepër. Nëse përjashtojmë të fundit, përforcohen dy të parat./Liberale.al

Exit mobile version