Tifozët mbështesin Kombëtaren në seancën e pasdites

Në ditën e pestë të grumbullit në Bad Waltersdorf prania e tifozëve kuqezi u vu re dhe gjatë seancës stërvitore, ku disa dhjetëra shqiptarë që jetojnë në Austri e pritën Kombëtaren dhe në momentin që ajo ju drejtua qendrës së saj stërvitore, ndërsa më pas ndoqën dhe seancën nga tribunat e impiantit. Stërvitja e pasdites ishte e para dhe për tre lojtarët që u afruan këtë të enjte, Taulant Xhaka, Ansi Agolli dhe Naser Alijin, që zhvilluan një stërvitje të diferencuar teksa pjesa tjetër po argëtoheshin me një lojë me katër porta mes katër ekipeve të mbyllura brenda një kuadrati të ngushtë.
Në dispozicion të trajnerit ishin 24 lojtarë në total, i cili pjesën e dytë të stërvitjes së pasdites e kishte ndërtuar mbi goditjet drejt portës, me ekipin që u zhvendos në fushën qëndrore të qendrës stërvitore. Lojtarët simuluan goditje nga jashtë zonës, duke ndërtuar aksione sulmuese herë 2 kundër 2 dhe herë 2 kundër 1. Abrashi, që më parë kishte patur një shqetësim në shpatull u stërvit normalisht me ekipin dhe sipas stafit mjekësor gjendja e tij fizike është e përsosur. Lojtari kishte kryer një radiografi në mëngjes në qytetin e Hartbergut, e cila nuk kishte evidentuar asnjë problem për mesfushorin e Kombëtares. Në fund goditje drejt portës, por këtë herë nga pika e penalltive kryen dhe portierët me Etrit Berishën dhe Alban Hoxhën, që madje sfiduan njëri-tjetrin me panenka, ku sidomos Berisha u tregua shumë i saktë në ekzekutim, duke mos humbur pothuajse asnjë 11-metërsh.

Exit mobile version