Sulm me armë në Lezhë, plagoset shoferi i linjës

Shoferi i furgonit të pasagjerëve të linjës Kalivaç-Lezhë është plagosur në një sulm me armë nga persona ende të paidentifikuar mëngjesin e djeshëm. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 5:00 të mëngjesit në fshatin Kalivaç, ndërsa i plagosuri është shtetasi Aleksandër Gjonoca 47 vjeç. Ky i fundit është qëlluar teksa po lëvizte me furgon i vetëm, pak metra larg banesës së tij.
Nga të dhënat bëhet e ditur se në drejtim të tij është qëlluar me pistoletë dhe njëri nga plumbat e ka kapur në pjesën e këmbës. 47-vjeçari është dërguar me urgjencë në Spitalin e Lezhës nga ku bëhet e ditur se, pasi ka marrë ndihmën e parë, ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ende nuk dihen autorët dhe motivet e ngjarjes, ndërsa policia po vijon hetimet.
Forca të shumta policie po krehin zonën, por pa mundur ende që të bien në gjurmët e autorëve.
Në cilësinë e provës materiale në vendin e ngjarjes janë gjetur 2 gëzhoja pistolete, ndërkohë që pritet marrja në pyetje e të plagosurit për të mësuar më tepër detaje rreth ngjarjes.
Ndërkohë, Policia e qytetit të Pogradecit ka ndërhyrë në kohë dhe ka parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të një konflikti për motive të dobëta. Marjo Xhangolli, 24 vjeç, banues në Pogradec është arrestuar nga efektivët e policisë, pasi tentoi të vrasë me thikë një 28- vjeçar.
Arrestimi i tij u bë pasi, ditën e hënë në rrugën nacionale Pogradec-Korçë, në afërsi të fshatit Gështenjas, Xhangolli për motive të dobëta, ka goditur në pjesën e krahut me thikë, duke tentuar të vrasë F.M, 28 vjeç, banues në Korçë.
Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur, pasi shtetasit e mësipërm, janë konfliktuar me njëri-tjetrin, si pasojë e përplasjes me dëme materiale, të dy automjeteve, konkretisht njëri me drejtues shtetasin F.M dhe tjetri me drejtues babain e shtetasit Marjo Xhangolli, në rrugën nacionale Pogradec-Korçë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një mjet i mprehtë, thikë.

Exit mobile version