Dështon seanca ndaj Shullazit, pritej pyetja e 4 dëshmitarëve

Ka dështuar sërish seanca ndaj Emiljano Shullazit. Shkak është bërë mungesa e dy anëtarëve të turpit gjykues. Seanca e radhës është lënë për më datë 18 korrik, ndërsa në seancën e sotme pritej dëshmia e katër dëshmitarëve. Midis dëshmitarëve të thirrur është edhe ish-kryeregjistruesi Ilirjan Muho.
Prokuroria e akuzon 39-vjeçarin Shullazi si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që ka gjobitur tre biznesmenë Ylvi Beqja, Jani Zaka dhe Adriatik Kërçuku. Gjithashtu ndaj 39-vjeçarit rëndon edhe një akuzë tjetër ajo e kërcënimit. Sipas organit të akuzës, Shullazi dhe grupi i tij kanë kërcënuar për t’u tërhequr nga gara kandidatin për rektor Mynyr Koni si dhe ka kanosur për shkak të detyrës rektorin Dhori Kule.
Përveç Emiljano Shullazit nën gjykim do të jenë edhe shoku i tij Gilmando Dani, nipi Endrit Zela si edhe Blerim Shullazi e Endrit Qyqja. Për episodet e tjera të gjobëvënies më e njohura ajo për kërcënimet edhe për ish-hotel “Vollgën”, Prokuroria e mbyll dosjen ndaj tyre, pas një beteje të humbur të saj për dëshmitarin kryesor Ylvi Beqajn, të cilin po e ruan sëbashku me familjen.
Megjithëse prokurorët tentuan ta siguronin dëshminë si provë përpara dërgimit të dosjes në Gjykatë me argumentin se Ylvi Beqes i rrezikohej jeta, kjo gjë nuk u bë e mundur. Kjo dëshmi tashmë duhet të dëgjohet në seancë në gjyqin e themelit.
Vetëm ndaj Emiljano Shullazit, Prokuroria ka ngritur nëntë akuza që nga grupi i strukturuar kriminal, kryerje e veprave në kuadër të grupit, gjobëvënie në tre episode, shkatërrim prone me eksploziv në dy raste dhe kanosje për shkak të detyrës në dy raste.
Në bazë të hetimeve të Prokurorisë për Krime të Rënda, të akuzuarit akuzohen për disa episode të ndryshme. Nga hetimet rezulton se në periudhën 2014-2016, të akuzuarit si grup kriminal kanë shtrënguar me anën e kanosjes shtetasin Ylvi Beqja, dhe ky i fundit i kaloi në pronësi Emiljano Shullazit një pjesë të ish-hotel “Vollga” në Durrës, si edhe shuma të konsiderueshme monetare.
Në janar 2016, të akuzuarit si grup i strukturuar kriminal kanë shtrënguar për dhënie pasurie shtetasin Adriatik Kërçuku, i cili ishte pronar i një biznesi mjetesh lundrimi në Lushnjë. Dy muaj pas kërcënimeve ndaj këtij shtetasi, konkretisht në mars 2016, pjesëtarët e grupit, akuzohen se kanë vendosur dhe shpërthyer lëndë plasëse tritol në ambjentet e biznesit të të dëmtuarit Adriatik Kërçuku.
Në shkurt 2016, të akuzuarit si grup kriminal kanë shtrënguar për dhënie pasurie shtetasin Jani Zaka, i cili posedonte pronë në Tiranë. Të pandehurit akuzohen se i kanë vendosur lëndë shpërthyese tritol një garazhdi në pronësi të Jani Zaka, në shenjë kërcënimi për qëllime përfitimi të paligjshëm.
Në prill 2016, të pandehurit akuzohen se kanë kanosur për shkak të detyrës shtetasit Dhori Kule dhe Mynyr Koni, pedagogë dhe drejtues në Universitetin e Tiranës, me qëllim që profesor Koni të largohej nga gara për Rektor në këtë universitet.

Exit mobile version