Skandal, policia derë më derë për të kërkuar vota për Ramën

Një skandal i vërtetë po ndodh me Policinë e Shtetit, e cila pas thirrjes së Ramës për të bërë fushatë për PS ka nisur derë më derë të kërkojë vota duke kërcënuar me heqje nga puna, heqje të ndihmës ekonomike apo forma të tjera kërcënimi me qëllim tjetërsimin e vullnetit të qytetarëve. Nisma “Za Lart”, e cila publikon raste të denoncimeve të qytetarëve në lidhje me fushatën zgjedhore, si dhe monitoron respektimin e Kodit Zgjedhor mbi fushatën ka publikuar të dhëna me fakte se si qytetarët po kërcënohen për tjetërsimin e votës. Gjithashtu me raste konkrete denoncohen rastet kur drejtorë të PS apo LSI në administratën publike janë angazhuar në krah të kandidatëve për deputetë duke bërë fushatë e duke kërkuar votën për subjektet përkatëse politike. Gjatë një takimi elektoral të PD-së në fshatin Selcë të Malësisë së Madhe, dy banorët Simon Naci dhe Tom Nitaj kanë hedhur akuza se Policia Bashkiake iu ka shkuar në shtëpi për të kërkuar vota për numrin 2 (Partinë Socialiste) dhe se Tom Nitajt i është hequr ndihma ekonomike për shkak se djali i tij ka marrë pjesë në protestat e PD-së. Denoncimet janë bërë gjatë një takimi me kandidatin e PD-së, Anton Kokaj më 18 qershor në fshatin Selcë, në orën 18:00. Bashkia e Malësisë së Madhe drejtohet nga përfaqësuesi i PS-së, Tonin Marinaj. Kandidati i PD-së për Korçën, Ervin Salianji ka hedhur akuza për presione dhe blerje të votave nëpërmjet mashtrimeve për punësime në këtë qark. Këtë denoncim ai e ka kryer në një reagim të tij nëpërmjet rrjetit social Facebook më datën 16 qershor, duke akuzuar socialistët për mashtrime punësimi në bashkëpunim me 2-3 kompani private. “Mashtrimet për punësimet që bëhen nga dy-tre kompani dhe presionet tregojnë grahmat e fundit të një oligarkie që do ta shembim në themel”.

Mat, pushteti shpërndan lopë për fushatë

Sëmundja e lëkurës tek gjedhet, Dermatoza Nodulare, gjatë vitit 2016, u përhap edhe në fshatrat e rrethit të Matit, duke dëmtuar ekonominë e brishtë të fermerëve. Dhjetëra lopë, të prekur nga sëmundja, ngordhën. Një vit më pas, në kulmin e fushatës elektorale, strukturat lokale në Mat, nisën të dëmshpërblenin fermerët, duke i kompensuar lopët e ngordhura. Siç duket në foto, lopët po i zbresin nga kampioni, duke ua rikthyer banorëve. Për të mos ndikuar në preferencën e tyre politike, ndoshta do të ishte mirë, që fermerët të kompensoheshin para ose pas fushatës elektorale.

Kryetari i PS-së në Shijak shpërndan çertifikata legalizimi

Kryetari i PS-së për Shijakun, Elton Arbana shpërndan çertifikata legalizimi për anëtarët e partisë. Ky veprim është bërë publik nga vetë ai, pak përpara fushatës zgjedhore, teksa shfaqet në foto me përfituesin, dhe çertifikatën e pronësisë. “Socialisti i vjetër, shoku… ju bë ëndrra realitet duke u bërë pronar vetëm nga Partia Socialiste e Shqipërisë”, shkruan ndër të tjera Arbana. Në këto kushte, asetet publike, pra funksioni publik i Drejtorisë së Legalizimeve, është përdorur përmes kryetarit të partisë, i cili nuk ka detyrë shtetërore dhe asnjë lidhje me procesin e legalizimeve drejtpërsëdrejti.

Kandidatët e PDIU dhe LSI kërcënojnë përfaqësuesit e PS

Tre anëtarë të PDIU-së dhe një i LSI-së janë denoncuar në polici për kanosje të përfaqësuesve të PS-së në Gramsh. Policia e Elbasanit ka dalë në një deklaratë zyrtare për procedimin në gjendje të lirë të shtetasve B.B., V.B. dhe M.H., përkatësisht 35, 31 dhe 25 vjeç, që të tre banues në Gramsh pasi si përfaqësues të subjektit politik të PDIU-së dyshohet të kenë kanosur shtetasin A. Xh., 37 vjeç para dyqanit të tij në qytetin e Gramshit, i cili deklarohet si anëtar i Partisë Socialiste. Ndërkohë në të njëjtën ditë ka filluar procedimi në gjendje të lirë ndaj shtetasit A.Qafoku, 40 vjeç me banim në Tiranë, i njohur si përfaqësues i LSI-së pasi në një lokal në qytetin e Gramshit ka penguar kryetarin e FRESSH-it Gramsh, Enis Zani, të zhvillojë një aktivitet politik së bashku me përfaqësues të tjerë të PS-së. Ndërkohë edhe një tjetër incident është regjistruar në Gramsh ku një përfaqësues i LSI-së, shtetasi A.K., është goditur po në lidhje me aktivitetin e tij politik. Gjithsesi në këtë rast nuk ka pasur një denoncim në polici. I kontakuar, kryetari i PS-së Gramsh Klodian Taçe konfirmoi incidentet. Ndërkohë kandidati për deputet i PDIU-së Dritan Bici i cilëson shpikje të PS-së për të justifikuar humbjen.

PS në Fier, takim elektoral me drekë për veteranët

Në takimin elektoral me veteranët, Dega e Partisë Socialiste Fier dhe kandidatët për deputetë të kësaj partie për Bashkinë Fier, të kryesuar nga kryetari i Grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, kanë shtruar një drekë të bollshme. Ky fakt pasqyrohet nga fotot e postuara në faqen e Facebook-ut “Partia Socialiste Fier”, më datë 27 maj 2017.

Bashkia e Poliçanit “çakëll sezonal” në këmbim të votës

Bashkia e Poliçanit në shkelje të ligjit elektoral. Prej gati dy ditësh fadromat e Bashkisë kanë nisur shtrimin me çakëll të fshatit Tomorr i Vogël, që është në varësi të saj. Kryebashkiaku Adritatik Zotkaj në takimin elektoral me këta banorë u ka premtuar se do t’u shtrojë rrugën, në këmbim të votës më 25 qershor.

Lufta për vota, asfalt elektoral nëpër rrugicat e Lushnjës

Përfaqësuesit e Partisë Socialiste në Lushnjë, në nivel lokal dhe qendror, shfrytëzojnë mundësitë dhe fuqitë që të jep pushteti, për të maksimizuar votat në këtë zonë. Në kulmin e fushatës elektorale, në rrugicat e lagjeve të Lushnjës befas janë shfaqur makineritë duke hedhur asfalt, për të ndikuar tek banorët që të votojnë për Partinë Socialiste. Hedhja e asfaltit nëpër rrugica është një abuzim i hapur me pushtetin, në funksion të mbledhjes së votave. Për rrugën nuk ka projekte, ndërsa mungon transparenca për financimin.

Drejtori i ALUIZNI-t në Kamëz në fushatë pas Sadri Abazit

Drejtori i Drejtorisë së ALUIZNI-t në Kamëz, Rrapush Tola para, gjatë dhe pas orarit zyrtar të punës, merr pjesë në veprimtari politike. Drejtori i ALUIZNI-t shfaqet pas kandidatit për deputet Sadri Abazi, përfaqësues i subjektit politik Partia Socialiste, në çdo takim në zonën e Kamzës. Siç duket edhe në foto, Tola shoqëron Abazin në takimin e radhës në takim me banorë të Kamzës. Ndërkaq, vendimi i qeverisë, datë 2 qershor 2017, pika 6, parashikon që punonjësit të administratës shtetërore, gjatë orarit zyrtar të punës dhe brenda mjediseve të institucioneve shtetërore, i ndalohet çdo lloj pjesëmarrjeje në veprimtari politike apo fushatë zgjedhore të një partie politike ose kandidati në zgjedhje. Nga ana tjetër, Drejtoria e ALUIZNI-t ka një impakt të madh tek banorët e kësaj zone për shkak të problemit të legalizimeve të banesave.

Flamuj e banderola elektorale në Elbasan PS

Edhe pse ligji i ri “Për Partitë Politike” i ndryshuar sipas marrëveshjes Rama-Basha të 18 majit, nuk lejon që materialet elektorale propagandistike të dalin më shumë se 5 metra larg zyrave të kandidatit, kjo nuk e ka penguar PS-në në Elbasan të “dekorojë” qytetin me postera gjigantë të kryeministrit. Fotot tregojnë disa banera të mëdha dhe postera të kryeministrit të vendosura në vende të ndryshme të qytetit të Elbasanit.

Juristi i ZRPP Gjirokastër angazhohet në tubimin e LSI në Gjirokastër

Juristi është pjesë e forumeve drejtuese të LSI dhe prezenca e tij në fushatë elektorale e penalizon atë deri në heqje nga puna sipas ligjit. Në një tubim elektoral të mbajtur tre ditë më parë në lagjen “Punëtori” ku asistonte vetë kandidati për deputet Vangjel Tavo, një i ri, ishte duke filmuar me smartfonin e tij rastësisht nga dritarja e një lokali. Në këtë moment ka ndërhyrë Bexhet Baxhella juristi i Hipotekës së Gjirokastrës dhe nuk e ka lejuar të filmojë. Veprimi i Baxhellës, nxitet pasi i riu rastësor, kishte rrokur pamje me smartfonin e tij edhe të vetë juristit në tubimin elektoral ku nuk i lejohet në mënyrë kategorike.

Dhunë dhe ligjërim në evente elektorale, tensione e parregullsi

Ndërsa data e zgjedhjeve afron situata sa vjen dhe nxehet në Lezhë. Në orët e vona të së premtes kryeplaku i fshatit Rraboshtë, Gjovalin Gjini është dhunuar nga persona të maskuar dhe të armatosur. Dhuna e ushtruar ndaj eksponentit të LSI-së i ka shkaktuar plagë të rënda në gjymtyrë, por pa i rrezikuar jetën. Ai është dërguar në Spitalin e Lezhës, ndërsa kryetari i LSI-së në Lezhë njëherazi kryesuesi i listës së kandidatëve për deputetë në Lezhë, zoti Viktor Tushaj e lidh këtë ngjarje me fushatën zgjedhore duke ia faturuar rastin eksponentëve të Partisë Socialistë.

Partia Zgjidhja, 3 spote dhe fletëpalosje për bojkotimin e zgjedhjeve

Partia Zgjidhja, drejtuar nga Koço Kokëdhima, publikoi tri spote që u bëjnë thirrje votuesve shqiptarë që të bojkotojnë dhe refuzojnë zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit. Materialet janë shpërndarë në internet me anë të link-eve dhe po ashtu, nëpër hyrjet e pallateve janë shpërndarë fletëpalosje sikundërse në foto. Këto thirrje nuk janë në përputhje me frymën kushtetuese të ushtrimit të së drejtës së votës, por janë deklarata të rralla të karakterit jo etik, të një organizate politike që as nuk është regjistruar në zgjedhje. Në tre videot e përgatitura, anëtarë të Partisë Zgjidhja thonë njëri pas tjetrit “na lodhët”, ndërsa videot i mbyll drejtuesi i Zgjidhja, Koço Kokëdhima që thotë se të bojkotojmë dhe refuzojmë politikën e deritanishme duke mos marrë pjesë në zgjedhje.

Kërcënohet me vendin e punës nëse nuk del në miting

Kërcënohet me vendin e punës nëse nuk do të jetë pjesëmarrës në mitingun e partisë në Tiranë. Sotir Lilo, punonjësi i nënstacionit të tensionit të lartë në Zëmblak të Korçës ka denoncuar dhunën verbale karshi tij nga ana e drejtoreshës së Operatorit të Tensionit të Lartë në këtë nënstacion, Jorida Rëmaçka. Në denoncimin e tij Lilo bën me dije se pak ditë më parë, drejtoresha e ka thirrur në zyrë duke i kërkuar që të jetë pjesë e mitingut që LSI-ja zhvilloi të enjten e kaluar në Tiranë. Por në momentin kur Lilo e ka refuzuar një urdhër të tillë, drejtoresha e ka kërcënuar verbalisht duke i kujtuar se ai ka edhe dy vjet punë para daljes në pension. Nga ana tjetër drejtoresha e Operatorit të Tensionit të Lartë në Zëmblak, Jorida Rëmaçka e kontaktuar në telefon ka mohuar një akuzë të tillë duke e quajtur të pavërtetë denoncimin e bërë nga punonjësi i saj, por nuk ka pranuar të mbajë një deklaratë zyrtare.

Exit mobile version