Dosja në Prokurori, transaksione të dyshimta kanë financuar fushatën

Zv.kryeministrja Ledina Mandija deklaron se transaksione të dyshimta janë nën hetim me arsyen e financimit të fushatës elektorale. Në një intervistë për “Vizion Plus” ajo tha se nga ana e Drejtorisë së Pastrimit të Parave është evidentuar një rast ku paratë e tërhequra janë përdorur për fushatë. Ajo bën me dije se rasti tashmë i është referuar dhe po hetohet nga Prokuroria.

– Zonja Zëvendëskryeministre, një ditë më parë u zhvillua mbledhja e dytë e Task Forcës. Cilat ishin çështjet më të rëndësishme që u diskutuan dhe masat që u morën?
Një pikë që u diskutua gjatë kësaj mbledhjeje ka qenë pikërisht edhe sjellja e disa punonjësve të lartë të administratës, bëhet fjalë për sekretarët e Përgjithshëm. Kemi një mosrakordancë midis sekretarit të Përgjithshëm dhe ministres së Arsimit, ku ministrja është penguar të ushtrojë kompetencat dhe funksionet e saj. Gjithsesi nga ana e Task Forcës i është kërkuar komisionerit të Mbikëqyrjes së Shërbimit Civil gjithashtu edhe DAP-it që të kryejë një hetim administrativ në lidhje me sjelljen e sekretarit të Përgjithshëm, duke arritur në konkluzione përfundimtare në lidhje me situatën e kërkuar, ku sipas pretendimeve, edhe të ministres, është pretenduar se është penguar për të sjellë edhe informacionin që është kërkuar nga Task Forca 10 ditë më parë.
Pikë tjetër e diskutimit ka qenë edhe deklarata tjetër publike, e cila kam përshtypjen që ka qenë më tepër një keqkuptim nga ana e medias se sa një pretendim i ngritur nga ana e KQZ-së. Mediat kanë thënë se, ministrat teknikë po pengojnë punonjësit të jenë anëtarë të KZAZ-vë, pra nuk u japin leje. Në fakt, VKM e përcakton në pikën 5 të saj që në çdo rast ata janë të lejuar dhe nuk duhet të pengohen, pra është shumë e qartë kjo. Përveç të tjerave unë i kam kërkuar edhe ministrave të japin menjëherë informacion. Në momentin që është bërë kërkesa e punonjësit në atë moment ajo është miratuar nga ana e titullarëve. Pavarësisht kësaj unë kam dërguar letra zyrtare për të gjitha ministritë, institucionet, bashkitë dhe prefekturat ku kam kërkuar informacion. Në shumicën e rasteve informacioni i ardhur, do të them 80% sepse ka edhe letra të tjera që vijmë më pas, rezulton që të gjithë kërkesat e paraqitura janë miratuar nga ana e institucioneve, madje në një kohë shumë të shpejtë. Kështu që në këto kushte Task Forca vendosi që të informojë KQZ-në. Ju jeni në dijeni që një përfaqësues i KQZ-së, vetë kryetari është bërë pjesë e Task Forcës, pavarësisht se dje nuk ishte prezent për shkak të angazhimeve të tij. Ramë dakord që të bëjmë një njoftim për KQZ-në ku të sigurohet që nuk ka pengesa ana e institucioneve dhe që në momentin që do të ketë një informacion final me të gjithë numrin e personave që kanë bërë kërkesat dhe ju janë miratuar do t’i përcillet për dijeni KQZ-së.
Një çështje tjetër e diskutuar në këtë mbledhje kishte të bënte me një informacion të ardhur nga vëzhguesit vendorë, të cilët pretendonin se ka një fluks tërheqjesh nga bankat e nivelit të dytë. Unë i kisha kërkuar informacion më parë Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave rreth transaksioneve të dyshimta, meqenëse ato mund të shohin lëvizje që konsiderohen të dyshimta dhe në fakt Drejtoria e Pastrimit të Parave kishte gjetur një rast, të cilin e kishte referuar në Prokurori. Për këtë nuk mund të jepet më tepër informacion sepse janë të dhëna sekrete dhe konfindenciale për shkak të hetimit.
Ndërsa në lidhje me kërkesën e bërë nga ana jonë, kjo drejtori mori përsipër që të mbledhë informacionin dhe të bëjë një studim, ndoshta duke iu referuar edhe viteve më parë 2015 dhe 2016, për të bërë edhe krahasueshmërinë për të njëjtën periudhë në vite të ndryshme. Në këto kushte, në momentin që do të ketë një raport nga ana e Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave nëse kjo është e vërtetë dhe kjo ka ndikuar në financimet e subjekteve elektorale, të cilat do të rezultojnë të paligjshme, do i kërkojmë kësaj drejtorie të bëjë edhe referimet përkatëse në Prokurori.

– Ishte lajmëruar më herët në media se në këtë mbledhje do të diskutohej edhe rasti Gjoza nisur nga ankesa e bëra nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Mund të na thoni më tepër?
Pikë tjetër që është diskutuar kishte të bënte pikërisht me rastin Gjoza. Subjekti elektoral LSI ju e dini që ka bërë një kërkesë publike dhe përveçse e ka bërë publike në daljen për konferencë për shtyp e ka dërguar edhe në formë të shkruar, ku i është kërkuar Task Forcës të diskutohet në mbledhjen e saj në mënyrë të posaçme rasti Gjoza, gjithashtu edhe goditja subjektive ndaj disa personave, të cilët janë anëtarë të LSI-së, mbështetës apo simpatizantë të LSI-së. Unë e kam vendosur në rendin e ditës është pranuar nga të gjithë që të diskutohet. Në vijim të kësaj është kërkuar informacion nga Drejtoria e Policisë edhe nga Prokuroria në lidhje edhe me referimin e rastit në Prokurori, kallëzimin e bërë dhe provat ku është mbështetur, procedurat e ndjekura nga ana e policisë. Kanë ardhur informacione, këto janë diskutuar dhe është bërë prezente që policia ka referuar rastin atje dhe Prokuroria ka filluar tashmë procedim penal. Për kushtet që fillohet një procedim penal kuptohet që Task Forca nuk ka më kompetenca që të diskutojë këtë çështje më në mbledhjen e saj.
Në kushtet kur këto materiale, qoftë përgjigjja e dhënë nga ana e Policisë së Shtetit, qoftë edhe përgjigjja e Prokurorisë ku pretendon se tashmë informacioni është sekret dhe konfindencial dhe nuk mund të vendoset për informim, jemi ne të detyruar që të bëjmë transparencën dhe të vendosim që të këtë një përgjigje zyrtare për subjektin elektoral LSI, duke e siguruar që në asnjë rast nuk ka pasur një goditje subjektive ndaj individëve që i përkasin subjektit elektoral LSI të ndarë veçmas nga subjektet e tjera elektorale.

Exit mobile version