Si kaluan 7 kg heroinë nga Durrësi, në përgjim disa policë e doganierë

Sërish drogë nga Shqipëria drejt Italisë. 7 kilogramë heroinë janë kapur në Bari. Droga është gjetur në një automjet “Volkswagen”, i cili ishte nisur nga Durrësi në orën 23:00 të së dielës me tragetin Durrës-Bari. Automjeti ka kaluar pikat e kontrollit në Portin e Durrësit dhe është imbarkuar në traget, por në mëngjes droga është zbuluar gjatë kontrollit nga policia italiane.
Burimet kanë bërë me dije se, kapja e 7 kg heroinë e pastër nga karabinierët italianë në Bari, ka vënë në alarm Policinë Kufitare dhe sektorin e narkotrafikut në portin më të madh të vendit.
Autoritetet italiane kanë dërguar informacionin në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, duke kërkuar edhe hetim për rastin e trafikut, lidhur me vendin e origjinës së drogës, shoferin e automjetit ku është gjetur heroina dhe lidhjet e mundshme të tij. Autoritetet italiane kanë kërkuar gjithashtu zbardhjen e tabulateve telefonike të shoferit që rezulton nga Elbasani, por emri i tij nuk bëhet i ditur. Kjo, për të zbuluar personat me të cilët ka komunikuar si dhe itinerarin që ka ndjekur.
Pas kërkesës së palës italiane, policia shqiptare ka nisur hetimin për zbulimin e linjës së trafikut, e cila dyshohet se është Turqi-Maqedoni-Shqipëri-Itali dhe në përgjim sipas burimeve janë vënë një sërë personash në Shqipëri e në Itali, të cilët kanë komunikuar me drejtuesin e “Volkswagen”-it të cilit iu kap droga.
Ndërsa të gjithë strukturat e torganizmat flasin për sasinë e madhe të hashashit që po trafikohet nga Shqipëria drejt Europës, drogat e forta ato që kanë edhe më shumë përfitime, pothuajse janë lënë në harresë.

Operacion në Belgjikë e Holandë, arrestohen shqiptarët e drogës

Dy operacione të koordinuara janë zhvilluar ditën e djeshme në Belgjikë dhe Holandë, si pjesë e një hetimi për një trafik të madh ndërkombëtar të drogës. Shtatëmbëdhjetë të dyshuar janë arrestuar, mes të cilëve holandezë, serbë, malazezë, boshnjakë dhe shqiptarë, raportojnë mediat belge, pa bërë të ditur identitetin e tyre.
Gjatë aksioneve janë sekuestruar 3 kg kokainë, 26 kg MDMA (ekstazi), 1 kg kanabis, një pistoletë dhe 200.000 euro. Gjithashtu është zbuluar një plantacion kanabisi. Sipas Prokurorisë belge në Antwerp, çështja përfshin disa organizata kriminale, të lidhura së bashku.
Hetimet e drejtuara nga Prokuroria e Antwerp, në bashkëpunim me homologët holandezë, kanë nisur që nga vjeshta e vitit 2014 dhe synojnë arrestimin e anëtarëve të bandave që dyshohet se janë aktive në trafikun e drogës në shkallë të gjerë nga Amerika e Jugut për në Belgjikë dhe Holandë. Droga kalonte nëpër portet e Antwerp (Belgjikë) dhe Rotterdam (Holandë). Në operacion, morën pjesë 85 agjentë belgë dhe 300 agjentë holandezë.

Exit mobile version