Si i dha Rama 9.5 miliardë lekë tendera të shpallurit në kërkim

Kompania “Ecologica Albania”, administratori i së cilës është shpallur në kërkim për një tender të fituar në Bashkinë e Tiranës, ka fituar miliarda lekë nga kjo bashki që në kohën kur drejtohej nga kryeministri aktual, Edi Rama. “Ecologica Albania” është themeluar më 3 shtator të vitit 2008. Vetëm 15 ditë më vonë, më 18 shtator 2008 Bashkia e drejtuar nga Edi Rama i jep një tender me afat 5-vjeçar për pastrimin e pjesës perëndimore të Tiranës. Sipas kontratës, “Ecologica Albania” mori 1.9 miliardë në vit. Në fund të vitit 2013, kur i mbaroi kjo kontratë, ajo arkëtoi plot 9.5 miliardë lekë nga arka e Bashkisë së Tiranës.
Administratori i saj, Antonio Brusci është shpallur në kërkim, pasi për të fituar tenderin e radhës në Bashkinë e Tiranës, që tani drejtohet nga Erion Veliaj, kishte paraqitur dokumenta të falsifikuar. Kompania ishte shpallur fituese, por falsifikimi u zbulua pas një ankese të Ministrisë së Transporteve dhe një kompanie pjesëmarrëse në garë. Prokuroria po heton dhe hetimet pritet të zbardhin edhe përgjegjësitë e bashkisë në këtë tender të fituar me dokumenta zyrtarë të falsifikuar.
Me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, Gjykata ka nxjerrë një urdhër-ndalimi për shtetasin italian Antonio Abrusci, me detyrë administrator i firmës “Ecologica SHPK”. Kjo firmë ka arritur të fitojë tenderin për pastrimin e zonës lindore të kryeqytetit dhe pastrimin e qytetit të Kavajës për vitin 2016, me anë të dokumetave të falsifikuar. Mësohet se fillimisht është bërë një kallëzim nga Ministria e Transporteve pas dyshimeve se mjetet e kësaj kompanie nuk ishin ato që thuhej në dokumentet e tenderit dhe nuk kishin kryer kontrollin teknik, i cili është një detyrim ligjor. Sipas dosjes së dorëzuar në Prokurori, janë të paktën 12 mjete të rënda që përdoren për pastrim, që u është falsifikuar viti i prodhimit dhe kontrolli teknik dhe për më tepër u mungon edhe siguracioni.
Mësohet se të dhënat për mjetet e punës, firma i ka dorëzuar në mënyrë elektronike pranë Bashkisë së Tiranës për pastrimin e zonës lindore, një tender që kap shifrën e 1 miliard e 200 milionë lekëve të vjetra. Hetimet e Prokurorisë zbuluan se dyshimet e Ministrisë së Transporteve ishin të sakta.
Një tjetër kompani pjesëmarrësë në garë kishte paraqitur ankesë pranë Komisionit të Prokurimeve Publike dhe për pasojë fondi i tenderit për pastrimin e zonës lindore të Tiranës nuk i është lëvruar kompanisë italiane, edhe pse ligjërisht ajo është shpallur fituese. Mësohet se Komisioni i Prokurimit Publik i ka kërkuar Drejtorisë së Transportit Rrugor në Tiranë informacione për mjetet e kompanisë Ecologica.
Hetimet e Prokurorisë kanë zbuluar se italiani Antonio Abrusci, me të njëjtin mekanizëm dhe me  të njëjtat dokumente të falsifikuara ka fituar edhe tenderin e pastrimit e Kavajës. Urdhër-ndalimi për italianin është lëshuar në fund të muajit korrik. Ai është larguar nga Shqipëria pak para lëshimit të urdhërit dhe nuk është kthyer më.
Po ashtu, para pak kohësh u zbulua edhe një skandal i Veliajt për blerjen e kazanëve të plehrave për Tiranën. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka blerë 600 kosha plehrash me një çmim dhjetëfish më të lartë se tregu. Në dokumentacionin për tenderin për blerje koshash për Bashkinë e Tiranës janë 600 kosha. Këto kosha janë të vegjël dhe janë planifikuar 34.000 lekë të reja copa pa TVSH, ndërsa në treg këto kosha janë nga 4500 lekë copa me TVSH. Specifikimet teknike nuk japin asgjë vetëm për të dhënë mundësi vjedhjeje galopante. Kërkesat për pjesëmarrje janë të ekzagjeruara dhe nuk kanë lidhje me tenderin.
E kundërta është në Bashkinë Shkodër, ku dokumentet nuk janë diskriminuese, por ka shpjegime dhe kërkesa për kazanët e mbeturinave që janë sa 10-fishi i këtyre të Bashkisë së Tiranës që kërkon në tender. Çmimi është më i vogël se ato të Tiranës edhe pse ato janë të zinguar dhe janë 10 herë më të vegjël, i bëni publike këto hajdutë të pashpirt.

Exit mobile version