6 mashtrimet e Veliajt, përuroi punë publike e doli në TV kur ishte me pushime në Turqi

Shumëkush mund t’i ketë qarë hallin kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, që nuk mundi të pushonte gjatë gushtit, pasi po merrej me hallet e kryeqytetit. Kronikat e televizioneve kryesore e shfaqnin atë përditë, duke inspektuar një rrugë, një kopësht apo duke prezantuar idetë për ujësjellësin, ndërtimet etj. Në çdo kronikë televizive, Veliaj shfaqej me zë dhe figurë, duke mbrojtur idetë dhe punën e tij. Çdo gjë është në funksion të parimit të tij, “një ditë, një punë”.
Por në fakt, gjithçka është një mashtrim propagandistik i rëndomtë. Në pjesën më të madhe të muajit gusht, Erion Veliaj ka qenë, si pjesa më e madhe e njerëzve, pushim. Është mëse normale që, pas një viti të ngarkuar me aktivitet, edhe Veliaj të pushojë dhe të jetë pranë familjes së tij. Por ai ka zgjedhur t’i bëjë pushimet, duke mashtruar publikisht se ka qenë në punë.
“Boldneës.al” ka të dhëna të sigurta se Erion Veliaj ka qenë për rreth 12 ditë jashtë Shqipërisë, në data 11-22 gusht 2016. Ai ka përdorur linjën ajrore “Turkish Airlines” për të shijuar ditët e pushimit.
Por, pavarësisht se ka qenë jashtë vendit, zyra e tij e propagandës ka shpërndarë çdo ditë në këtë hark kohor kaseta të gatshme, ku Veliaj ndiqte punime të ndryshme të Bashkisë së Tiranës.
“Boldnews.al” verifikoi daljet e tij publike në televizionin kombëtar “Top Channel”, duke qenë të sigurt se kronikat mbi aktivitetin ditor të kryebashkiakut të Tiranës nuk do të mungonin aty.
Dhe në fakt, bindja rezultoi e vërtetë. Ditën që rezulton se Veliaj është nisur me avion, në kronikat e “Top Channel” ai rezulton se ka inspektuar punimet për rikonstruksionin e pallateve “Agimi”, në Tiranë (http://top hannel.tv/lajme/artikull.php?id=333020).
Një ditë më pas, në datë 12 gusht, Veliaj, pavarësisht se kishte nisur pushimet jashtë Shqipërisë, njëkohësisht rezulton se ka vizituar kopshtin nr.21 në kryeqytet (http://top channel.tv/lajme/artikull.php?id=333102).
Të nesërmen, në datë 13, pushimet e Veliajt vijojnë jashtë kufirit shtetëror, por ai sërish shfaqet “magjishëm” në Tiranë, duke folur për investimet në Ujësjellës (http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=333174).
Pas fundjavës pushim, ndërkohë që vijonte të ishte jashtë Shqipërisë, zyra e tij e propagandës e shfaq Veliaj sërish në Tiranë. Në datë 16 gusht, ai shpërndan kumtin se vlera e pronës në kryeqytet është rritur për shkak të investimeve të Bashkisë (http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=333345). “Boldnews.al” ka publikuar një këndvështrim lidhur me këtë zbulim të Veliaj, por kjo është çështje që është trajtuar më parë (http://boldneës.al/2016/08/18/taksat-rrisin-cmimet-e-apartamenteve-ne-tirane-veliaj-e-mohon-eshte-arritje-e-investimeve-te-mia/).
Në 17 gusht, vijojnë pushimet e Veliaj, siç vijon edhe mashtrimi publik se ai është në krye të punëve. Ai deklaron në kronikat e parapërgatitura se do të ndërtohen 20 shkolla publike në Tiranë (http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=333434).
Në 18 gusht, kryebashkiaku, pavarësisht se gjendej në plazh, sërish shfaqet duke inspektuar punimet në Njësinë 4 në Tiranë (http://top-channel.tv/lajme/ artikull.php?id=333490).
Dhe, në datën 22 gusht, ndërkohë që ka qenë në udhëtimin e kthimit nga pushimet, ai inauguron edhe kopshtin nr. 25 në kryeqytet. “Boldnews.al” ka mësuar se inaugurimi i këtij kopshti ishte bërë rreth 3 javë më parë dhe stafi i kopshtit ka qëndruar në pritje për të parë veten në televizion për shumë ditë.
Shumëkush e ka të qartë se kryebashkiaku Erion Veliaj është një personazh shumë i fiksuar pas prezantimit publik. Forca e tij kryesore është media dhe ai e shfrytëzon më së miri, në bazë të favoreve që krijon për pronarët dhe botuesit mediatikë.
Por, mashtrimet e vogla, si këto të ditëve të gushtit, e shndërrojnë atë në një personazh komik. Askush nuk mund t’i kërkonte llogari Veliajt se përse do të bënte pushim. Ai mund të mjaftohej edhe me sjelljen e idhujve të tij politikë lidhur me qasjen për pushimet. Kryeministri Edi Rama, i cili është edhe mentori i tij, i deklaroi hapur pushimet e tij në Dhërmi, madje duke postuar herë pas here foto familjare. Po ashtu, edhe Presidenti amerikan Obama, të cilit Veliaj i vjedh shpesh idetë për foto, zhvilloi një konferencë për median para se të niste pushimet verore. Vetëm Veliaj duket se e ka të nevojshme të duket që është në punë.

Boldnews.al

Exit mobile version