“Shuplakë” Chelsit

Në fund Manchester United nuk do të fitojë titullin kampion në Premier League, por gjithsesi Djajtë e Kuq mund të kenë patur një rol vendimtar në fatet e sezonit, pas fitores 2-0 në “Old Trafford” ndaj Chelsea-t të Kontes, që sheh tashmë Tottenhamin vetëm 4 pikë larg. Në teatrin e ëndrrave ishin ëndrrat e bluve të Londrës për titullin që morën një goditje, e cila sigurisht nuk është se trondit themelet e kryesuesve për fitimin e trofeut, por gjithsesi një lloj krisje e krijon duke i dhënë shpresë gjelave të Londrës. Në ndryshim nga takimi i fazës së parë në “Stamford Bridge” ishte United që pati një fillim të zjarrtë, pavarësisht uljes në stol të Ibrahimoviç dhe Mkhitaryan, teksa mori epërsinë me Markus Rashford pas vetëm 7 minuta lojë.
Pa Cortois në portë, që u dëmtua në një ndeshje ekzibicioni basketbolli, Chelsea kishte një siguri më pak mes dy shtyllave, por gjithsesi lojën skuadra e Kontes e humbi në mesfushë, ku Djajtë e Kuq u shfaqën superiorë. Përveç lojës më të mirë, United pati dhe fatin me vete si në rastin e golit të Herrerës që përfundoi pas një devijimi në rrjetën e Begoviçit. Ky gol i vuri kapak shumë shpejt takimit me skuadrën e Murinjos që kontrolloi me lehtësi ndeshjen deri në fund duke mundur pas plot 12 ndeshjesh Chelsea-n që regjistroi zero goditje në kuadrat në fund të këtij 90 minutëshi.
Konte merr përsipër shkaqet e humbjes me United. Motivimi dhe dëshira për të fituar ishin faktorët që bënë diferencën. Sipas trajnerit të Chelsea-t, Antonio Konte, skuadra e Manchester Unitedit zbriti në fushë e bindur në aftësitë e veta dhe e motivuar për të marrë të tri pikët. “Ata (Unitedit) e merituan fitoren, pasi treguan se kishin më shumë dëshirë për të marrë të tri pikët. Ata ishin edhe më të motivuar se ne. Në këtë ndeshje, unë jam fajtori dhe i marr unë të gjitha përgjegjësitë. Unë nuk i motivova sa duhet lojtarët për një ndeshje të tillë”, u shpreh Konte.
Konte tha se ka ende rrugë drejt titullit kampion. “Për titullin kampion mendoj se kemi ende rrugë për të bërë. Nga tani e tutje duhet që të luajmë me më shumë entuziazëm në mënyrë që të arrijmë objektivin (titullin)”, tha trajneri i Chelsea-t.
Konte tha se është nën presion për fitimin e titullit. “Unë jam në presion dhe këtë nuk mund ta mohoj, por nga ana tjetër them se e pranoj me gjithë qejf, pasi po luftojmë për titull. Ju rikujtoj se kjo skuadër një vit më parë nuk mundi që të kualifikohej as në Ligën e Europës. Nuk dua që të jem polemik dhe të hap diskutime të kota, por duhet të them se në takimin e fundit kundër Bornmëthit ne pësuam një gol si ai që morëm sot. E njëjta gjë na ndodhi edhe kundër Kristal Palasit. Në ndeshjen kundër Stok Sitit na akorduan kundër një penallti të dyshimtë. E përsëris këto s’kanë rëndësi, por peshojnë në ekonominë e një kampionati”, përfundoi Konte.

Exit mobile version