“Shullazi” Prokuroria, ballafaqim ish-kryetarit të Gjykatës me ish-kryesekretaren për “Vollgën”

Prokuroria vazhdon hetimet për kalimin e një pjese të ish-hotel “Vollgës” në Durrës kapobandës Emiljano Shullazi. Ish-kryetari i Gjykatës së Durrësit, gjyqtari Ervin Metalla do të ballafaqohet me ish-kryesekretaren e kësaj gjykate, Adriana Kanina në lidhje me vendimin për pronësinë e ish-hotel “Vollgës”, ku është bashkëpronar edhe Emiljano Shullazi. Seanca e ballafaqimit do të zhvillohet brenda kësaj jave pas dëshmive kontradiktore të dhëna në Prokurori nga Metalla dhe Kanina në lidhje me vulën e vendimit të formës së prerë që i ka hapur rrugë regjistrimit në hipotekë.
Prokuroria e Tiranës do të kryejë brenda kësaj jave një seancë ballafaqimi mes ish-kryetarit të Gjykatës së Durrësit tashmë gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Tiranës, Ervin Metalla dhe ish-kryesekretares së kësaj gjykate, Adriana Kanina.
Shkak janë bërë dëshmitë kontradiktore të dhëna në Prokurori nga Metalla dhe Kanina në lidhje me vendimin për pronësinë e ish-hotel “Vollgës”.
Ish-kryesekretarja e gjykatës ka deklaruar se, Metalla e kishte urdhëruar që të vuloste me vulë të formës së prerë vendimin për pronësinë e “Vollgës”, ku një nga bashkëpronarët rezulton edhe Emiljano Shullazi.
Por vetë Metalla ka dëshmuar kur është marrë në pyetje se, kjo nuk është e vërtetë dhe ai nuk ka dhënë asnjë urdhër të kësaj natyre.
Kjo ka bërë që Prokuroria të vendosë për një seancë ballafaqimi mes tij dhe kryesekretares, e cila do të kryhet brenda kësaj jave.
Në lidhje me hetimin për pronësinë e ish-hotel “Vollgës” përveç tri gjyqtarëve, Prokuroria e Durrësit ka vënë nën hetim per “shpërdorim detyre” edhe kryesekretaren dhe kancelaren e kësaj gjykate, Ardiana Kanina dhe Ardena Veli, pasi dyshohet se kanë kryer veprime në kundërshtim me ligjin.
Ato akuzohen se i kanë vendosur vendimit të datës 18 shkurt të vitit 2013 të Gjykatës Durrës që i kishte hequr pronësinë vulë të një vendimi të formës së prerë, duke i hapur rrugë regjistrimit në hipotekë të pronës.

Exit mobile version