Konfindustria kërkon ulje të barrës fiskale dhe përmirësim të klimës së biznesit

Biznesi ka dorëzuar zyrtarisht pranë Ministrisë së Financave propozimet për paketën fiskale 2017. Përveç uljes së taksave, Konfindustria dhe Shoqata e Eksportuesve kanë kërkuar përmirësimin e klimës së biznesit, nëpërmjet ndryshimit të disa neneve në ligjin “Për procedurat tatimore”, që nuk janë përfshirë në draftin e shpërndarë nga Ministria e Financave. Përveç uljes së taksave, kërkesat e biznesit dërguar Qeverisë për paketën fiskale 2017 konsistojnë në përmirësimin e klimës së biznesit dhe veçanërisht marrëdhënies me administratën fiskale.
Konfindustria njofton se e ka paraqitur zyrtarisht pranë Ministrisë së Financave kërkesat e saj, duke theksuar se ekonomia shqiptare ka nevojë për ndryshime thelbësore në mënyrë të njëkohshme në tre shtylla kryesore: politikat fiskale, ku kërkohet ulje e tatimit mbi fitimin dhe dividentit; proçedurat tatimore, ku pavarësisht se vlerësohen ndryshimet e bëra nga Qeveria në ligjin e ri, konsiderohet se janë të pamjaftueshme për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm dhe përmirësimin e mjedisit të biznesit. Konfindustria thekson se politikat fiskale të viteve të fundit kanë prodhuar pasoja të padëshirueshme për ekonominë vendore, ndaj kërkohen ndërhyrje të thella.
Ndërkaq edhe Shoqata e eksportuesve ka dorëzuar zyrtarisht propozimet për paketën fiskale, të grupuara në tre anekse: Në aneksin e parë dhe të dytin kërkohen ndryshime në ligjin ‘për proçedurat tatimore’, për nene për të cilat nuk janë parashikuar ndryshime në draftin e shpërndarë nga Ministria e Financave. Ndërsa në aneksin e tretë janë grupuar propozimet e tjera që ndikojnë në lehtësimin dhe përmirësimin e klimës së biznesit dhe formalizimin e ekonomisë. Pjesë e kërkesave të tjera të biznesit është edhe ulja e rentës minerare dhe TVSH-së së turizmit, dy lehtësi për të cilat Ministria e Financave është duke diskutuar edhe me misionin e FMN-së, që ndodhet në Tiranë.

Exit mobile version