Sërish tension te Juve

Masimiliano Alegri tani e në vazhdim nuk do të tolerojë më askënd, ndonëse edhe njëherë tjetër, ai u mundua t’i mbrojë lojtarët e tij nga sulmet e medias. Pas dorës së mohuar nga Dibala dhe shfryrjes së Lihshtajnerit për të mos dalë nga fusha, kundër Palermos debati i radhës ishte me Leonardo Bonuçin, madje shumë i ashpër.
Trajneri i kërkonte mbrojtësit që të ishte më i kujdesshëm, duke qenë se Markizio ishte i kontraktuar, por edhe Pjaca e Sturaro. Por pas pësimit të golit, edhe pse rezultati 4-1, “Konti Maks” shpërtheu duke nxjerrë edhe disa ofendime në dëm të lojtarit, i cili nuk i mirëpriti, përkundrazi iu kthye me të njëjtën gjuhë. Situata u acarua edhe më shumë pas vërshëllimës, sepse nëse Alegri hyri në tunel, duke folur me veten i nervozuar, Bonuçi nuk vrapoi me shokët e tjerë për të përshëndetur tifozët, siç e do rituali i përhershëm, por me shumë shpejtësi u fut në tunel për të folur me trajnerin e tij.
Siç raportoi media e pranishme në dhomat e zhveshjes, debati mes të dyve ishte mjaft i ashpër, ndonëse ai mund të ketë qenë i lidhur edhe nga tensioni i sfidës. Duhet theksuar se të tilla rebelime ndaj trajnerit po nisin të bëhen të shpeshta.
Gjithsesi, përpara kamerave, livornezi 49-vjeçar e dribloi bukur situatën: “Në fillim Dibala, pastaj Lishtajneri dhe tani me Bonuçin… Nuk po them që këto janë gjëra madhore, por mungesa e respektit është çështje edukate, ndonëse unë jam i bindur se të tilla reagime kanë ardhur nga tensioni që lojtarët e mi kanë nga ndeshja. Ndoshta Bonuçi kërkon të bëjë edhe trajnerin, por është herët për të qenë më i zoti sesa unë”.
Ndërkohë, po përflitet për një kalim të mundshëm të Alegrit në drejtimin e Arsenalit. Mjaftoi një deklaratë e Wenger në një konferencë shtypi për të ndezur mediat britanike. Lajmi i fundit që po qarkullon tani është se Massimiliano Alegri qëndron në pole position për të marrë drejtimin e “Topçinjve” të Londrës në vend të trajnerit francez, pavarësisht se italiani u përpoq të largonte këto zëra pas sfidës me Palermon. Përveç Alegrit, kandidatë për të marrë postin e Wenger te Arsenali janë edhe Tuchel i Borussia Dortmund e Howe i Bournemouth.
Vendimi përfundimtar për Arsene Wenger te londinezët do të merret në periudhën mars-prill me tifozët që kërkojnë me forcë Alegrin në stolin e skuadrës së tyre, pretendim që u përforcua pas humbjes poshtëruese ndaj Bayernit në Ligën e Kampioneve.

Exit mobile version