Safet Gjici përdor futbollin për fushatën e PS

Kandidati për deputet i Partisë Socialiste në Kukës, Safet Gjici, ka bërë një premtim për tifozët e ekipit kuksian. Si President i ekipit të futbollit të Kukësit, ai ka premtuar se në të ardhmen do të organizojë një ndeshje miqësore mes Kukësit dhe një ekipi anglez, në mënyrë që ta ndjekin nga afër qytetarët kuksianë që jetojnë dhe punojnë në Britaninë e Madhe.
“Unë jam njeri i fjalës së mbajtur dhe ky trofe është një premtim. Dua t’i falënderoj të gjithë ata që kanë dhënë kontributin e tyre në këtë skuadër gjatë këtyre viteve, për të arritur ne sot në këtë sukses.
Gjithashtu, falënderoj tifozët e Kukësit, Hasit dhe Tropojës, për të gjithë mbështetjen që na kanë dhënë. Në të ardhmen, kemi planifikuar të luajmë një ndeshje miqësore me një skuadër angleze, në mënyrë që tifozët kuksianë në këtë shtet të kenë mundësi ta shohin nga afër skuadrën dhe trofeun e fituar.
Ndërsa unë, pavarësisht obligimeve në të ardhmen, do të jem gjithmonë pranë skuadrës, për të dhënë kontributin tim ashtu siç kam bërë deri më tani”, ka deklaruar Safet Gjici.
Gjici u denoncua pak ditë më parë, pasi kishte marrë në fushatë mësuesit dhe punonjësit e OSHEE-së, pavarësisht deklaratave në publik të kryeministrit Rama se, asnjë punonjës i administratës publike nuk do të përdoret në fushatë. Denoncimi është bërë nga ish-Kryeministri Berisha, pas një mesazhi të dërguar në adresë të tij nga një qytetar. Kandidati i PS është fotografuar, duke bërë fushatë me punonjës të OSHEE-së dhe mësues.
“Qytetari dixhital denoncon pjesëmarrjen e OSHEE dhe mësuesve në fushatën e Gjicit të partisë, njeriut që me rojet vodhi miliona euro në bankë dhe fitoi 64 tendera nga paratë e takspaguesve me kompaninë që vodhi bankën”, shkruan Berisha në Facebook.
“Jam nga Kukësi, kemi biseduar në fb. Desha të bëj një dononcim. Ja shikoi se si po përdoren punëtorët e OSHEE të Kukësit në zonën e Shishtavecit dhe mësuesit në fushatën elektorale nga Safet Gjici, kandidat për PS-në në Kukës. Dy fotot e para janë punëtorët e OSHE, ndërsa në foton e tretë është mësues”, shkruante qytetari nga Kukësi.

Exit mobile version