Demiraj: Zero tolerancë për policët që dalin në fushatë

Ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj, zhvilloi dje një takim me drejtuesit e Policisë në Qarkun Lezhë dhe Shkodër. Gjatë takimeve, Demiraj ka kërkuar që asnjë punonjës policie me uniformë dhe pa uniformë të mos dalin në fushatën zgjedhore të partive politike. Ai ka deklaruar se do të ketë zero tolerancë për policët që përfshihen në aktivitetet politike.
Prioriteti kryesor i ministrit të Brendshëm gjatë takimit me drejtuesit e policive në qarqe ka qenë garantimi i një procesi zgjedhor me standarde të larta profesionale nga ana e Policisë së Shtetit. Ministri Demiraj u ka bërë të qartë drejtuesve të policisë se, kushdo punonjës policie me uniformë apo pa uniformë përfshihet në fushatën e partive politike do të mbajë përgjegjësi administrative dhe penale me largim nga detyra dhe ndjekje penale.
Ministri u kërkoi drejtuesve të policisë, që të marrin masa për një proces zgjedhor të sigurt dhe të qetë. “Mospjesëmarrja dhe mospërfshirja e Policisë së Shtetit në aktivitetet e partive politike dhe fushatës zgjedhore është një prioritet madhor. Përkushtimi i çdo strukture policore në të gjithë Shqipërinë për të zbatuar me përpikmëri misionin kushtetues, Ligjin për Policinë e Shtetit dhe Kodin Penal”, është shprehur Demiraj.
Një nga prioritetet kryesore që ministri Demiraj diskutoi me drejtorët e policisë ishte parandalimi i përdorimit të parave të trafikimit të drogës dhe blerjen e votës. Demiraj u kujtoi drejtuesve të policisë, se cilido që do të tentojë blerjen e votës do të dënohet me burg sipas ligjit.
Parlamenti miratoi para pak ditësh me shumicë të cilësuar votash ndryshime të reja në Kodin Penal, të cilat sanksionojnë për herë të parë masa të rrepta të ndëshkimit për cilëndo që përfshihet në shitblerjen e votës. Kushdo që do të guxojë të përfshihet në veprën penale të shitblerjes së votës do të përballet me burg deri në 7 vjet.
Ashpërsimi i masave parashikon heqjen e gjobës, si në rastin e mëparshëm dhe zëvendësimin e saj me heqje lirie në rast të kryerjes së kësaj vepre penale. Për ata që do të tentojnë tjetërsimin e vullnetit të lirë të votuesve shqiptarë nuk do të ketë masa ndëshkimore si gjoba, por vetëm burg nga 1 deri në 7 vjet. Kjo vepër penale do të jetë e paamnistueshme. Do të dënohet nga 1 deri në 7 vite burg marrësi dhe dhënësi i kartave të identitetit.
Një çështje tjetër të rëndësishme që ministri Demiraj trajtoi me shumë vëmendje ishte ashpërsimi i luftës kundër kanabisit. Ministri u kërkoi drejtuesve të policisë që të intensifikojnë luftën ndaj fenomenit të drogës, sidomos në parandalimin e saj në mbjellje apo kultivim.
Një ditë pas marrjes së detyrës si ministër i Brendshëm, Dritan Demiraj, zhvilloi një takim me drejtuesit e policive në qarqe për procesin zgjedhor dhe luftën ndaj drogës. Takimi u zhvillua në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe ka patur për qëllim prezantimin e prioriteteve të punës gjatë drejtimit të Ministrisë. Prioritet ka qenë ruajtja e sigurisë dhe rendit për zgjedhjet parlamentare dhe lufta kundër kultivimit të kanabisit.
Pak ditë më parë, ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj zhvilloi një takim me Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla në zyrën e këtij të fundit. Gjatë takimit është diskutuar për masat e rrepta që do të ndërmerren për zgjedhjet dhe drogën. Po ashtu është diskutuar për masat konkrete për neutralizimin e potencialit të blerjes së votave, ndjekjen penale të punonjësve të administratës të përfshirë në zgjedhje dhe luftën kundër drogës. Gjatë takimit, kryeprokurori Llalla është shprehur se nuk do të lejohet asnjë shkelje e ligjit për fushatën zgjedhore.

Demiraj takohet me ambasadorin britanik për zgjedhjet dhe drogën

Ministri i Punëve të Brendshme, Dritan Demiraj, zhvilloi një takim me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar Duncan Norman. Ministri Demiraj i shprehu ambasadorit ngushëllimet më të sinqerta për aktin e rëndë terrorist që ndodhi në Manchester dhe mori jetën e 22 personave të pafajshëm.
Ai shprehu solidaritetin dhe angazhimin e Shqipërisë dhe strukturave të Ministrisë së Punëve të Brendshme në luftën kundër terrorizmit.
Ambasadori Norman u shpreh se ngjarja e rëndë në Manchester tregoi nevojën për rritjen e përpjekjeve për bashkëpunim më intensiv ndërkombëtar, veçanërisht në fushën e inteligjencës, në luftën kundër terrorizmit.
Ministri i Punëve të Brendshme, Demiraj diskutoi me ambasadorin edhe për prioritetet e tij në krye të Ministrisë, duke u përqendruar tek garantimi i një procesi të qetë dhe të sigurt zgjedhor, luftën pa kompromis kundër kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, kundër përdorimit të parave të trafikimit të drogës dhe blerjes së votës.

R.POLISI

Exit mobile version