Robben mendon tërheqjen nga futbolli

Arjen Robben mendon tërheqjen nga futbolli. Sezoni i ardhshëm mund të jetë i fundit në karrierën e sulmuesit holandez, i cili pritet të varë këpucët në gozhdë vetëm disa muaj pasi të ketë mbushur 34 vjeç. Robben aktualisht ka dhe një vit kontratë me Bayern Munich, por ish-lojtari i Realit të Madridit dhe Chelsea-t, në një intervistë ka lënë të kuptohet se edicioni futbollistik 2017-2018 me shumë mundësi do të jetë i fundit në karrierën e tij të gjatë. Robben është shumë i lidhur me klubin bavarez dhe ka përjashtuar çdo mundësi që të transferohet në një tjetër skuadër, edhe pse një ditë ai do të kthehet në Holandë te Groningeni, skuadra ku nisi karrierën, por jo si futbollist, por si drejtues ndoshta, por këtë do ta bëjë pasi të qëndrojë për të paktën 6 muaj pushim nga momenti që do t’i japë fund futbollit të luajtur.
William de Asevedo Furtado është blerja e dytë e Wolfsburgut në merkaton e verës. Ujqërit zyrtarizuan afrimin në skuadër të 22-vjecarit brazilian për kartonin e të cilit derdhën 5 milionë euro në arkat e Internacional-it të Porto Alegres. William, i cili aktivizohet si në krahun e djathtë të mbrojtjes ashtu edhe në atë mesfushës ka firmosur deri në vitin 2022 me Wolfsburgun.
Hertha e Berlinit gjen pasuesin e John Anthony Brooks. Skuadra kryeqytetase ka arritur akordin me Olympique e Marseille-s, për Karim Rekik. 22-vjeçari holandez do të firmosë për 4 vite me Herthën, ndërkohë që për kartonin e tij skuadra berlineze do t’i paguajë Marseilles, 2,5 milionë euro, 1/3 e shumës që OM derdhi në arkat e Manchester City-t, dy vite më parë për qendërmbrojtësin.
Ndërkohë, Thibaut Courtois nuk e ka pranuar ofertën e Chelsea-t për rinovimin e kontratës. Sipas mediave angleze portieri belg ka refuzuar 115 mijë stërlina në javë pas kërkon dyfishin e kësaj shumë. Palët janë shumë larg në qëndrime, ndaj nuk përjashtohet mundësia që Courtois të kërkojë një skuadër të re për vijimin e karrierës.
E ardhmja e Alexis Sanchez mbetet e paqartë. Arsenali ka refuzuar njëra pas tjetrës të gjitha ofertat e ekipeve angleze për sulmuesin kilian, pasi nuk dëshiron të përforcojë rivalët. Vetëm nëse do të ketë ofertë nga jashtë Anglisë, drejtuesit e Topçinjve janë të gatshëm të hyjnë në bisedime. Madje ata shpresojnë që Sanchez të pranojë rinovimin e kontratës.

Exit mobile version