8 largimet nga Barça

Sapo të përfundojnë pushimet, te Barcelona do të nisë epoka e Ernesto Valverdes. Klubi katalan ka nisur punën për t’u përforcuar, një proces që kërkon gjithashtu edhe riformatimin e skuadrës. Mes atyre që pritet t’i japin lamtumirën “Camp Nou” janë edhe emra të rëndësishëm si Arda Turan dhe Jeremy Mathieu, për një total prej tetë largimesh.
Spastrimi do të nisë nga porta, aty ku Jordi Masip qëndron prej tre sezonesh si alternativë e tretë. Kontrata e tij përfundon më 30 qershor dhe klubi nuk do t’ia rinovojë, duke e lejuar të largohet me parametër zero. Barcelona synon rinovimin e ekipit dhe afrimin e lojtarëve në moshë të re. Kjo është edhe arsyeja e shitjes së Jeremy Mathieu, për të cilin në vitin 2014 u paguan 20 milionë euro te Valencia. Për francezin, vlera e të cilit përllogaritet në 3 milionë euro, interesohen gjigantët e Fenerbahçes.
Thomas Vermaelen nuk do të kthehet te Barça, pas huazimit nga Roma. Lojtari i blerë për 15 milionë euro nga Arsenali nuk bindi as në “Olimpico” dhe katalanët janë gati t’i prishin përpara kohe kontratën, në mënyrë që belgu të pranojë ofertën e Besiktas. Në mbrojtje do të largohet edhe Douglas Pereira dos Santos, braziliani që u huazua te Sporting Gijon dhe për të cilin duhet gjetur një klub i ri. Përsa i takon mesfushës, emri më i rëndësishëm që do të shitet është Arda Turan. Turku nuk hyn në projektet e Valverdes dhe Barcelona shpreson të rikuperojë një pjesë të mirë të mbi 40 milionë eurove që shpenzoi për ta afruar nga Atletico Madrid.
Pas një viti e gjysmë huazim te Fiorentina, Cristian Tello e mbylli aventurën në Itali. Kontrata e mesfushorit me katalanët skadon në vitin 2018, ndërsa për shërbimet e tij interesohet Olympiacosi i Besnik Hasit. Pas huazimit te Granada, do të kërkohet një tjetër skuadër për Sergi Samper me Girona-n që është e interesuar, ndërsa nga sulmuesit Munir El Haddadi kthehet nga huazimi te Valencia dhe mund të transmetohet te Real Sociedad.
Barcelona gjatë kësaj vere pritet të sjellë disa yje në “Camp Nou”. Fjala është për Marco Verrattin (PSG), Hector Belelrin (Arsenal) dhe Gerard Deulofeu (Everton). Nëse Barcelona do ta transferojë përfundimisht Deulofeun, atëherë Leo Messi pritet të zhvendoset në mesfushë, shkruan “Goal.com”.
Ndërkohë, Lionel Messi ende nuk ka rinovuar kontratën e tij me Barcelonën e kjo krijoi spekulime për të ardhmen e futbollistit argjentinas. Përpjekje për të larguar nga Barcelona e për të siguruar kartonin e Messit, bëri klubi italian i Interit ishte i gatshëm të shpenzonte një shifër marramendëse për të marrë yllin. Por asokohe presidenti i katalanasve, Joan Laporta u pozicionua me vendosmëri kundër një oferte të tillë.
“Ka qenë viti 2006 kur Inter-i bëri një ofertë. Ata ishin gati të paguanin 150 milionë euro për klauzolën, të cilën ne më pas e çuam në 250 milionë euro, por kam marrë gjithmonë siguri nga babai i Messit, Jorge”, tregoi Laparta në një intervistë për “The Guardian”.
“I thashë atij: Ata mund të paguajnë klauzolën, por unë nuk do ta shes. Ai do të jetë i lumtur këtu, do të fitojë lavdi. Atje do të fitojë vetëm në aspektin financiar. Djali yt është i destinuar të bëhet më i madhi i historisë së futbollit dhe ne kemi skuadrën që do ta ndihmojë ta arrijë. Do ta shijojë lavdinë”, zbuloi Laporta.

Exit mobile version