Rihapet kampionati

Juventusi bën një tjetër vetëvrasje dhe rihap Serinë A. Bardhezinjtë pësuan humbjen e 4-t sezonale pasi u mposhtën 2-1 nga Fiorentina në “Artemio Franchi”. Një fitore e merituar ajo e skuadrës vjollcë që gjatë gjithë 90-minutëshit tregoi më shumë grintë dhe dëshirë për të marrë tre pikët. Një humbje që e ngushton në vetëm 1 pikë avantazhin e Juventusit ndaj Romës në klasifikim, por skuadra e Allegrit ka një ndeshje më shumë për të luajtur. Në Firence sfida nisi me dominimin e ekipit të Paulo Sousës. Ishte mesfushori uruguain i skuadrës vjollcë, Vecino rreziku kryesor i bardhezinjve në minutat e para, pasi fillimisht Buffon dhe më pas shtylla i mohuan golin 25-vjeçarit.
Megjithatë për t’i dhënë epërsinë Fiores mendoi Kaliniç që i shërbyer nga Bernardeschi në të 37-tën realizoi një gol me peshë. Edhe pjesa e dytë nisi me superioritetin e skuadrës vendase që shënoi edhe golin e dytë. Një top i bukur i Badelj për Chiesën u duk sikur u devijua nga talenti i ekipit vjollcë duke përfunduar në rrjetë, por më pas goli iu akordua mesfushorit kroat. Higuain vetëm pak minuta më pas rihapi sfidën, por deri në fund pavarësisht përpjekjeve të shumta, Juventusi nuk gjeti dot golin duke pësuar një tjetër humbje.
Në Udine, Roma bën detyrën fiton 0-1 në një fushë të vështirë dhe ruan ritmin e skuadrave kryesuese. Një gol i Radja Nainggolan i dha tre pikët e radhës skuadrës së Luciano Spalletit, me Romën që regjistroi kështu fitoren e 3-t radhazi në Serinë A duke ruajtur e pashqetësuar vendin e 2-të tashmë në kuotën e 44 pikëve. Skuadra kryeqytetase ia doli të fitonte në Friuli përballë Udineses edhe pa dy titullarë të sulmit siç janë Perotti dhe Salah. 12 minuta iu deshën Romës për të zhbllokuar. Falë një aksioni model miqtë kaluan në avantazh me liderin e mesfushës Radja Nainggolan. Mesfushori belg shfrytëzoi një asist perfekt të holandezit Strotmman dhe me një goditje të bukur fluturimthi nuk i dha asnjë shans portierit grek të Udineses Karnezis. 6 minuta më pas Roma kishte mundësinë ideale për të hipotekuar fitoren, por Dzeko goditi shumë keq një 11-metërsh duke e çuar topin në tribunë. Megjithatë pavarësisht mundësive të shumta që krijoi Udinese, Roma arriti të ruante deri në fund avantazhin.
Vijon ecurinë pozitive edhe Napoli. Elseid Hysaj fitoi derbin shqiptar, pasi skuadra e kaltër mposhti në “San Paolo” 3-1 Pescarën me Ledian Memushaj që u aktivizua për miqtë ashtu si Hysaj për Napolin. Golat e këtij takimi u realizuan në pjesën e dytë. Fillimisht Tonelli ndërsa më pas, Hamsik dhe Mertens e çuan në 3-0 rezultatin për ekipin e Sarrit. Në fund Caprari nga pika e bardhë e penalltisë shënoi golin e flamurit për skuadrën abruceze, që vijon kështu rënien e lirë.
Etrit Berisha nuk mundi të frenonte ish-skuadrën e tij pasi në “Olimpico” të Romës, Lazio mposhti 2-1 me përmbysje Atalantën. Petagna u dha epërsinë miqve kur kishin kaluar 21 minuta lojë, por Milinkoviç-Saviç në fundin e pjesës së parë dhe Immobile në fraksionin e dytë nga pika e bardhë e penalltisë, 11-metërsh i shkaktuar pikërisht nga Berisha, i dhanë fitoren Lazios me golat e tyre.

Exit mobile version