Guardiola e Manchester City turpërohen nga Evertoni

Manchester City pësoi humbjen më të thellë në këtë sezon në Premier League pasi u mund 4-0 nga Evertoni në transfertë. Liverpooli rezultoi sërish një qytet i “mallkuar” për Citizens që ashtu si ndaj “The Reds” dolën pa pikë. Kontrolli i lartë i topit sërish nuk i mjaftoi skuadrës së Guardiolës, pasi Evertoni ishte pragmatist përpara portës.
Edhe pse City dominoi thuajse plotësisht pjesën e parë me mbajtjen e gjatë të topit, Lukaku i dha avantazhin vendasve në minutën e 34-t pas një përgjumjeje të prapavijës kundërshtare. Në fillimin e pjesës së dytë Mirajas dyfishoi shpejt shifrat, duke vështirësuar edhe më shumë punën e “qytetarëve” në kërkim të përmbysjes së rezultatit.
I orientuar drejt sulmit, City la hapësira të mëdha në prapavijë nga të cilat përfitoi i riu Devis, i cili i dha një leksion kundërsulmi pasi shënoi golin e tretë kur regjistrohej minuta e 79 e sfidës. Pas mesfushorit 18-vjeçar, rrugën e rrjetës e gjeti edhe sulmuesi 19-vjeçar Lukman, i cili shënoi golin e katërt në minutat shtesë të ndeshjes.
Projekti i Pep Guardiolës te Manchester City vazhdon të shfaqë probleme të mëdha. Ekipi i ndërtuar për t’u treguar anglezëve futbollin e bukur, ka regjistruar një dështim të bujshëm në fushën e Evertonit, ku është mundur me rezultatin 4-0.

Exit mobile version