Revolta popullore/ Zbardhet skenari për bllokimin e akseve rrugore

Duke nisur prej orës 18:00 të ditës së enjte, akset kryesore në të gjithë vendin do të bllokohen nga qytetarët, të cilët mbështesin opozitën në kauzën për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Kështu sikundër është raportuar në Elbasan, do të bllokohet rrethrrotullimi i Bradasheshit, aksi kryesor i hyrjes nga Shqipëria lindore, në Durrës në autostradën Plepa – Kavajë, në Milot, karburanti në autostradë, aksi kryesor nga Shqipëria e Veriut, në Fier, rrotullimi i Sheqit dhe në Tiranë rrethrrotullimi i Shqiponjës.

Protesta e opozitës është një nga format e mosbindjes civile dhe sikundër mësohet akset do të mbahen të bllokuar për të paktën 60 minuta.

Degët e PD-së dhe partive aleate, ish-deputetët, anëtarët e kryesisë dhe ato të Këshillit Kombëtar, do të jenë në krye të protestuesve, ndërsa akset rrugore do të bllokohen në të dy kahet e lëvizjes.

Kjo konsiderohet si një radikalizim i protestave opozitare, që deri më tani ka organizuar 9 protesta në Tiranë, 3 prej të cilave kombëtare, që kanë nisur para godinës së Kryeministrisë dhe kanë përfunduar te godina e Parlamentit, ku ndaj protestuesve është hedhur gaz lotsjellës dhe ujë me presion.

Ndërkohë mësohet se forca të shumta policore do të monitorojnë situatën. Të angazhuara veç policisë lokale do të jenë edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë.

Protesta e 25 prillit konsiderohet si e para në këtë formë, pasi pak muaj më parë bllokime rrugësh ka pasur në zona të caktuara, por jo në të gjitha akset njëherësh.

Exit mobile version