Bardhi-gazetares: Më kujtoni një fjali të Patozit kundër Ramës në intervistën tënde

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi i ftuar në studion e ABC News tha se, askush nuk mund të përfaqësojë Partinë Demokratike, apo LSI-në, apo partitë e tjera të koalicionit opozitar, në një tryezë për reformën zgjedhore të mundshme.

“Ne kemi shprehur vullnetin tonë poltik që grupet kriminale të mos diktojnë qeverinë e radhës. Kush do që kërkon të zerë vendin e opozitës apo të Partisë Demokratike në atë komision, nuk ka për ta zënë asnjëherë asnjëri prej atyre deputetëve që janë në atë parlament.

Mund të marrin pjesë në çfarëdo lloj komisoni, por ata nuk përfaqësojnë as PD-në, as LSI-në, as opozitën. Ne nuk pranojmë asnjë produkt i cili nuk i jep zgjidhje problemit të zgjedhjeve në Shqipëri”.

Bardhi foli po ashtu edhe për zgjedhjet e 30 qershorit, ku tha se atë nuk do të ketë zgjedhje por votime të njëanshme.

“Së pari nuk ka asnjë koalicion për të mos hyrë në zgjedhje. Ka një koalicion për tu bërë bashkë në zgjedhje të ndershme.

Më 30 qershor nuk do të ketë zgjedhje sa kohë kryeministër është Edi Rama i cili ka vjedhur vota me kriminelët.

Shqiptarët presin që në vitin 2019 të bëhen zgjedhje dhe të jenë të lira. Sa kohë janë kapur me përgjime përfaqësuesit më të lartë të kësaj qeverie dhe nuk është dënuar askush, ne nuk jemi të gatshëm të hyjmë në zgjedhje të tilla.

Jam i bindur që Partia Socialiste ajo e vërteta do zgjedhje të lira dhe të ndershme. Sot më të pakënaqur ndaj qeverisë Rama nuk janë vetëm demokratët, por edhe socialistët që besuan të alternativa e Ramës në vitin 2013”, tha Bardhi.

Pjesë nga intervista e Sekretarit të Përgjithshëm, Gazment Bardhi dhënë për ABC News

Mirela Milori: Një koment për qëndrimin e zotit Patozi se nuk ëhstë e lehtë të thuash se nuk do të lejohen zgjedhjet.

Gazment Bardhi: PD është e vendosur për të pamundësuar zgjedhje fallco në Shqipëri. Mesa duket, zoti Patozi ka vendosur që t’i shërbejë të kundërtës, pra të jetë pjesë e zgjedhjeve fallco dhe farsë në Shqipëri. Është zgjedhja e tij, shqiptarët dinë të gjykojnë.

Mirela Milori: Ditën e djeshme është krijuar Bindja Demokratike, një forcë e re opozitare, e cila ka deklaruar pjesëmarrjen në zgjedhje.

Gazment Bardhi: Unë e shpreha qëndrimin tim, por që të quhesh opozitare duhet të kesh aktivitet që të konsiderohesh opozitare. Ju nuk mund të thoni që “është krijuar një parti, e cila nuk është krijuar ende dhe kjo është opozitare”.

Pasi të kesh krijuar partinë, gjatë qëndrimeve që mban në aktivitetin tënd politik, identifikohesh si opozitare apo qeveritare. Zoti Patozi ishte në studion tuaj dhe po të më thoni apo të mbani mend ndonjë fjali që tha kundër Edi Ramës, ju lutem, ma kujtoni. ma thoni.

Në 30 minuta në intervistën tuaj, foli vetëm kundër PD, nuk foli kundër Edi Ramës. Prandaj, duhet të jemi të sinqertë me shqiptarët. Opozitar të bën vetëm veprimtaria politike.

Sa për pjesëamarrjen në zgjedhje, në përputhje më kushtetutën dhe ligjin, kjo parti nuk merr dot pjesë në zgjedhje, sepse nuk është rregjistruar akoma në gjykatë, ndërkohë, që afati i rregjistrimit të partive politike për të marrë pjesë në zgjedhje ka përfunduar dje.

Nëse Edi Rama, për interesat e veta, do të urdhërojë politikisht anëtarët e vet në KQZ që të shkelin ligjin për ta regjistruar këtë parti, besoj se ua qartëson shpejt shqiptarëve nevojën për krijimin e kësaj partie.

Mirela Milori: Mendoni që do të marë elektorat nga PD?
Gazment Bardhi: Asnjë rrudhje të PD nuk ka për të patur. Të jeni të sigurt se, siç kemi rritje gjatë këtyre muajve të fundit, rritja e pandalshme e PD do të vijojë. Ju ftoj të kërkoni, statutin, nismëtarët, firmëtarët e kësaj partie për të parë edhe se kush ka firmosur për krijimin e kësaj partie dhe për të qartësuar publikun.

Mirela Milori: Meqë do të ketë një forcë opozitare që do të marrë pjesë në zgjedhje…
Gazment Bardhi: E përsëris, opozitar bëhesh, kur ke filluar veprimtarinë politike dhe ke një aksion politik kundër qeverisë.

Mirela Milori: Të mos përsërim përgjigjet.
Gazment Bardhi: Do të duhet të jemi të sinqertë me shqiptarët, sepse I vendosim epitetin dhe pastaj e zhvillojmë debatin sipas epiteteve që nuk qëndrojnë.

Mirela Milori: Pyetjet i bëj unë dhe i kemi ndarë rolet. Prania e një partie tjetër opozitare në zgjehdjet e 30 qershorit, e dëmton PD dhe kauzën tuaj?

Gazment Bardhi: Cila është partia opozitare ju lutem, se unë nuk njoh ndonjë parti opozitare që të jetë rregjistruar ë zgjedhje. Dhe po e përsëris, partia nuk është rregjistruar akoma dhe nuk merr dot pjesë në zgjedhje ligjërisht. E vetmja mundësi për të marrë pjesë në zgjedhje është ndihma e Edi Rames. Nuk e di nëse janë të gatshëm themeluesit, që të pranojnë tani ndihmën e Edi Ramës.

Exit mobile version