Republika e re shënon fitoren e parë

Tërheqja e Ramës nga zgjedhjet fasadë në Kavajë shënon fitoren e betejës së parë të opozitës nën kauzën për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Pas tërheqjes publike të Ramës për Kavajën, euforia e qytetarëve në sheshin e lirisë ishte e papërmbajtshme. Qytetarëve në shesh iu bashkua edhe kreu i PD, Basha, i cili vlerësoi qëndresën e qytetarëve të Kavajës si paralajmërimin e dytë të fortë që ky qytet jep për lirinë dhe demokracinë në vend. Basha deklaroi se të vetmet zgjedhje që do të mbahen në Shqipëri do të jenë të lira dhe të ndershme, me pjesëmarrjen e opozitës dhe do të zhvillohen nën kujdesin e qeverisë teknike.
“Republika e re sapo shënoi fitoren e saj të parë. Falënderimi im i parë dhe mirënjohja jonë më e thellë është për qytetarët fisnikë të Kavajës, për të rinjtë dhe të rejat e Kavajës, për këtë qytetari, kreshnikët e lirisë dhe demokracisë që vulosi me qëndrimin e saj tërheqjen e Edi Ramës nga plani ogurzi për të rikthyer në vendin që përmbysi diktaturën komuniste. Dua të falënderoj nga zemra, ata qindra mijëra kavajas demokratë dhe luftëtarë të lirisë, të cilët me qëndresën e tyre u bënë një barrierë psikologjike e pakapërcyeshme për planet ogurzeza të mafias dhe krimit. Dua të falënderoj po kështu, të gjithë qytetarët e Kavajës, edhe ata që dëshironin një alternativë me të vërtetë të majtë, por që vendosën të refuzojnë fasadën e shëmtuar kriminale që iu ofroi Rilindja dhe Edi Rama më datë 7 maj.  E gjithë Shqipëria e njeh kurajon e qytetit tuaj që solli demokracinë, 27 vite më parë. Tashmë ne e dimë, shqiptarët e dinë dhe bota e di dhe Edi Rama e njohu refuzimin tuaj masiv për të qenë pjesë e fasadës së diktuar nga krimi më 7 maj. Ky është paralajmërimi më i madh dhe kontributi i dytë historik që Kavaja jep për demokracinë dhe lirinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve”, tha Basha.
Kreu i PD tha se ishte bashkimi i madh i shqiptarëve që do të mbërrinte të dielën në Kavajë ajo që trembi Ramën dhe bashkë me qëndresën e qytetarëve të Kavajës e bëri atë të tërhiqet. “Do të mjaftonte qëndresa e kavajasve të lirë dhe refuzimi i çdo kavajasi dhe kavajase për të qenë pjesë e kësaj fasade kriminale për mposhtjen dhe dorëzimin e planit ogurzi të Edi Ramës. Pa dyshim kjo është një betejë që Kavaja mund dhe do ta fitonte edhe e vetme siç e nisi betejën kombëtare për liri dhe demokraci. Por ndryshe nga 27 vite më parë, tirania e krimit dhe e drogës që ka bërë folenë në republikën e vjetër e dinte dhe e di se, më 7 maj nuk do të kishte para vetëm qytetarët fisnikë të Kavajës, por bashkimin më të madh të shqiptarëve për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Është ky bashkim i paprecedent i shqiptarëve me këtë lëvizje të madhe që kalon kufijtë e çdo partie dhe çdo aleance. Është ky bashkim i madh për Republikën e re të shpresës, të lirisë së vërtetë, të demokracisë së vërtetë, i cili fitoi betejën e Kavajës dhe bëhet gati të fitojë betejën për Shqipërinë europiane.  Kjo lëvizje nuk ndalet, nuk frikësohet, nuk manipulohet, nuk shitet as nuk blihet, por marshohet drejt fitores. E vërteta do të ishte e paplotë pa konstatuar se Edi Rama kishte të drejtë ku përveç frikës së refuzimit dhe përballjes me qytetarinë kavajase dhe me mbarë shqiptarët ditën e dielë, shprehu edhe frikën e destabilizimit”, tha kreu i PD.

Dialog të vërtetë për zgjidhje politike

Kreu i PD ftoi Ramën në një dialog të vërtetë, i cili do t’i shërbejë zgjidhjes politike të krizës që po kalon vendi. “Por Edi Rama e di, unë e di, partnerët tanë e dinë, kavajasit e dinë dhe është koha t’ia themi çdo shqiptari se faktori i vetëm i destabilizimit në Shqipëri janë bandat e lidhura me pushtetin, janë bandat kriminale, e shqiptarët duhet ta dinë bandat që po bëheshin gati të lanin hesapet me njëri-tjetrin në Kavajë dhe lajmi që çdokush në Kavajë e di se të dy anët e këtij konflikti mes bandave i përkasin një dhe vetëm një krahu politik, rilindjes së inkriminuar dhe krimit të rilindur. Krimi i bërë njësh me pushtetin, droga dhe paratë e drogës janë faktori i vetëm i destabilizimit të Shqipërisë, rreziku numër një për zgjedhjet e lira, për lirinë dhe demokracinë e shqiptarëve, ndaj sot, tani është moment të përsëris ftesën time drejtuar Edi Ramës, drejtuar mazhorancës, për t’u bërë pjesë e zgjidhjes së rëndë politike, rruga e vetme për t’u bërë pjesë e zgjidhjes është ndarja me krimin dhe drogën. Rruga e preferuar e kësaj zgjidhjeje politike të parashtruar para historisë dhe momentit nga krimi, droga me lidhje qeveritare që duan të asgjësojnë vullnetin e shqiptarëve. Rruga e preferuar mbetet rruga e dialogut të vërtetë për zgjidhje të vërtetë politike. Sonte një mësim i madh për të gjithë skeptikët e pushtetit të inkriminuar”, u shpreh Basha.

Javën e ardhshme bashkimi i madh në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”

Kreu i PD, Basha paralajmëroi një marshim paqësor të të gjithë shqiptarëve të bashkuar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” e më pas për të vijuar në të gjitha sheshet e vendit deri në fitoren e kauzës për zgjedhje të lira dhe ndershme. “Ne jemi gati t’ju mirëpresim si qytetarë të Republikës së re, por ne dhe shqiptarët nuk jemi dhe nuk do të jemi më kurrë qytetarë të Republikës së vjetër. Bashkohuni sa nuk është vonë. Me këtë vullnet të pandalshëm të shqiptarëve për të marrë në dorë fatet e tyre. Bashkohuni dhe mos u bëni pengesë e të pandalshmes. Teatri i kukullave do të marrë fund, demokracia dhe Shqipëria do t’u kthehet shqiptarëve. Zgjedhjet e vetme që do të mbahen në Shqipëri do të jenë vetëm zgjedhjet e lira dhe të ndershme, vetëm me pjesëmarrjen e opozitës, vetëm me zgjidhjen politike, e cila për këtë lëvizje kalon nga qeveria teknike dhe garancinë e nevojshme për votën e lirë të qytetarëve. Ftesa qëndron e hapur për zgjidhje me dialog, por ultimatumet për 18 qershorin e rënë politikisht, moralisht dhe ligjërisht, janë të papranueshme dhe ne i refuzojmë. 18 qershori ka rënë politikisht, moralisht dhe ligjërisht. Le të bashkohemi pra, me një premtim të madh kombëtar ndaj brezave për Shqipërinë europiane. Përmes zgjidhjes së përcaktuar nga ky bashkim popullor dhe qytetar nga kjo qëndresë e pamposhtur 77 ditore. Përfundimi i vetëm i kësaj beteje do të jenë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Ultimatumet e republikës së vjetër, i refuzojmë. Bëhuni pjesë e zgjidhjes për Republikën e re, republikën e qytetarëve shqiptarë, republikën e lirisë, zgjedhjeve të lira dhe demokracisë së vërtetë ose përballuni me bashkimin dhe marshimin më të madh të qytetarëve. Javën e ardhshme në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe pas kësaj në çdo shesh e në çdo rrugë të çdo qyteti e të çdo fshati, ku vullneti i shqiptarëve për demokraci, nuk sprapset kurrë më. Zgjedhje të lira dhe të ndershme. Luftë dy faktorëve të destabilizimit në Shqipëri, drogës dhe krimit. Preferojmë me dialog për të marshuar paqësisht dhe vendosmërisht drejt zgjidhjes. Këto janë rrugët nga e cila kalon e ardhmja europiane e Shqipërisë. Shpresa e çdo shqiptari të ndershëm, Republika e re që po agon”, u shpreh Basha.

A.Shahini

Exit mobile version