Regjimi Rama, 466 mijë shqiptarë tentuan të largohen në katër vite

Në katër vjet të qeverisjes Rama, kanë tentuar të ikin nga vendi rreth 20 për qind e popullsisë, nëpërmjet azilit apo llotarisë amerikane. Dhe për vitin 2016, shifrat e atyre që aplikuan ishin marramendëse. 200 mijë persona, apo diçka tek tetë për qind e popullsisë aplikuan për llotarinë amerikane. Në rast se kësaj shifre do i shtojmë dhe më shumë se 66 mijë persona që kërkuan azil për vitin 2015-2016 (sipas të dhënave zyrtare të Eurostat), atëherë shifra shkon në rreth 15 për qind, ose 30 për qind e totalit të njerëzve të aftë për punë.  Një eksod kaq masiv në një periudhë kaq të vogël kohore nuk është parë asnjëherë në këto 27 vite të përmbysjes së regjimit.

Ikën elita

Por specialistët shprehen se problemi është më i madh se kaq. Në rast se merren kriteret e shkollimit, apo punësimit tek personat që aplikuan për llotari, atëherë do vërejmë se më shumë se 50% e elitës së vendit nuk e shohin më veten në vendin e tyre. Bëhet fjalë për inxhinierë, mjekë, farmacistë, jurist e ekonomisë, që kanë zënë pjesën më të madhe të aplikimeve. Dhe kjo histori ka vazhduar vit mbas viti. Në rast se do vazhdohet kështu, atëherë do vijë një moment, ku vendit do i mungojë ingranazhi kryesor i zhvillimit, që është rrjedhja e trurit. Të gjithë ata, në mos një mënyrë apo ndodnjë tjetër brenda një peridhe pesë  apo dhjetë vjeçare do e gjëjnë mundësinë për t’u larguar nga Shqipëria.  Por t’i shtosh kësaj dhe forcën e aftë për punë, atëherë do vërejmë se vendi po zbrazet me ritme të frikshme. Një tjetër mënyrë për të cilën po investohet fort, është dhe mundësia e shkollimit jashtë vendit tek të rinjtë, të cilët më pas mendojnë që të ndërtojnë jetën e tyre në vendet ku do të shkojnë. Natyrisht vendet e preferuara janë Amerika dhe Kanadaja, të cilat janë investuar fort në thithjen e trurit. Por edhe Evropa nuk ngel mbrapa. Më pas, përdoren gjithfarë metodash për të shmangur ardhjen në Shqipëri. Sipas statistikave një shifër e papërfillshme e atyre studentëve që vazhdojnë jashtë mund të kthehen në vendin e tyre, ku përballen me vështirësitë e të gjeturit punë, apo mbylljen e hapësirave për të investuar në biznes. Nuk ka një shifër të saktë, por nga regjimi i Ramës në katër vite, mendohet të jenë larguar rreth 150 mijë shqiptarë. Por t’i shtojmë shifrën e atyre që mendojnë të largohen, atëherë ky numër rritet frikshëm deri në gati 466 mijë, apo rreth 1 e pesta e popullsisë, që është dhe më aktivja e shoqërisë.

Humbja e shpresës

Përgjatë viteve kanë emigruar në botë rreth 1.4 milionë mijë shqiptarë, ku natyrisht pjesën më të madhe të largimeve e kryesojnë vitet ‘90-të. Hemoragjia do të vazhdonte dhe për pjesën e parë të viteve të 2000, por kurba do të zbriste diku pas vitit 2006. Me marrjen të pushtetit nga qeveria e PD në vitin 2005, u vu re një hov jo i pakët zhvillimi, ku ekonomia rritej me shifra dy shifrore. Në vitin 2007 për shembull, rritja ekonomike kapi shifrat e 12 përqindëshit. Por nga ana tjetër, një sërë zhvillimesh si anëtarësimi në NATO  në vitin 2008 apo dhe liberalizimi i vizave në vitin 2010 do të ndiznin një rreze shprese, e cila frenoi ikjen e shqiptarëve nga vendi i tyre. Ulja e taksave, thithja e investitorëve, krijimi i hapësirave në arsim, punimet në infrastrukturë e turizëm do hapnin jo pak vende pune për inxhinierë, ekonomistë dhe specialistë të të gjitha fushave. Në vitin 2008, për shembull niveli i varfërisë  shënoi rekordin historik diku tek 11 për qind. Të gjitha këto bënë që trendi i të larguarve të ulej. Ky trend u mbajt dhe përgjatë kohës së krizës globale, që filloi në vitin 2009. Megjithëse në vitet 2010-2013, (që përkon dhe me liberalizimin e vizave), ajo ishte në kulmin e saj sërish numri i atyre që kërkonin azil në vendet e BE-së ishte afër zeros. Kjo bënte që Shqipëria të përmendej në raportet evropiane si vend shembull, por që respektonte rregullat e Shengenit.

Azilantët e refuzuar, shumë prej tyre i hyjnë rrugës së krimit

Duket se gjithçka ndryshoi pas marrjes së pushtetit nga Edi Rama. Fenomeni i azilkërkuesve filloi të ndjehej në fillim të vitit 2014, për të arritur kulmin në vitin 2015. Përgjatë tre viteve, 2014-2015-2016, mendohet që të kenë kërkuar azil rreth 120 mijë persona vetëm në Gjermani pa përfshirë këtu vendet e tjera. Vetëm në vitin 2015, kjo shfër arriti në 86 mijë, ndërsa në vitin 2016  u ul në 34 mijë. Natyrisht, rregullat e Shengenit nuk lejojnë azil, shumica e tyre u kthyen, ndërsa një pjesë vazhdojnë të jetojnë në kampet atje. Por çfarë ndodh me këtë pjesë të popullsisë! Ata e kanë të ndalur për një periudhë pesë vjeçare të shkelin në Shengen,  ndërkohë që gjenden pa të ardhura dhe pa punë në vendin e tyre. Një pjesë e tyre vazhdojnë të kalojnë kufirin drejt Greqisë apo Maqedonisë ilegalisht, duke bërë gjithfarë pune, të tjerët janë në kufijtë e mbijetesës. Dikush, duke u munduar të nxjerrë pak të ardhura me gjithfarë punësh, dikush duke vjedhur, dikush shfrytëzohet nga narkotrafikantët apo trafikantët e të gjitha llojeve. Një dukuri tjetër që është vënë re në rritje janë dhe vjedhjet që kryehen kryesisht nga të rinjtë, shpërndarja e drogës apo dhe prostitucioni. Këto janë të vetmet alternative që po i siguron qeveria këtyre të rinjve. Çka është më e dhimbshme mbetet fakti se mes shpërndarësve të drogës, policia jo në pak raste ka gjetur njerëz të arsimuar në zanate të tilla si inxhinierë, juristë apo dhe ekonomistë, që të vetmen zgjidhje që i ofron vendi i tyre është rruga e krimit.

Largimi i shqiptarëve pësoi ulje dhe gjatë 1992-1996

Gjatë periudhës së komunizmit, Shqipëria ka qenë shumë e izoluar dhe dukuria e migracionit pothuajse nuk ka ekzistuar. Emigracioni masiv që karakterizon periudhën post-komuniste filloi në korrik të vitit 1990, kur mbi 5.000 persona hynë në ambasadat e Italisë, Gjermanisë dhe Francës për t’u larguar nga vendi. Në fund të vitit 1990, mbi 20.000 shtetas shqiptarë u larguan nga vendi në rrugë tokësore për në Greqi, ku kërkuan azil politik. Në mars të vitit 1991, një numër i madh shtetasish shqiptarë hynë në Portin e Durrësit, më i madhi në vend. Pasi morën kontrollin e disa anijeve të flotës detare tregtare, i drejtuan ato për të zbarkuar në portet e Italisë Jugore. E njëjta situatë u përsërit pak muaj më vonë, në gusht, kur rreth 18.000 vetë, pasi morën nën kontroll disa anije, zbarkuan në brigjet e Italisë. Emigracioni i paligjshëm u rrit ndjeshëm gjatë viteve të mëvonshme. Emigracioni pësoi një ulje gjatë viteve 1992-1996. Arsyeja ishte atribut i përmirësimit të stabilitetit politik dhe situatës social-ekonomike.

Emigracioni gjatë këtyre viteve më i madh se ai i viteve 1997-1999

Po çfarë i ofron emigracioni shqiptarëve? Natyrisht shumçka që nuk ia afron vendi i tyre. Por, vitet e para janë të vështira. Jo në pak raste kemi parë që juristët, ekonomistët, apo mjekët e këtij vendi të punojnë kamarierë apo në ndërtim në vendet ku shkojnë.  Këtë e has kudo. Një investim shumëvjeçar punon në një nivel shumë më të ulët profesioni. Kjo gjë vërehet më shumë në Shtetet e Bashkuara dhe në Angli. Por në ndryshim me vendin e tyre, ata atje shohin shpresë të paktën për fëmijët e tyre. Propaganda e Edi Ramës për reforma në arsim dhe ekonomi duket se janë shumë larg realitetit të vërtetë. Ikja masive e njerëzve do të thotë mungesë shprese, pa e menduar gjatë se çfarë i pret atje ku do të shkojnë. Për shembull, eksodi masiv që ka përfshirë Shqipërinë në këto vite të qeverisjes së Ramës, është ndoshta dhe më i madh se ai që përjetuan shqiptarët gjatë viteve 1997-1999, ku u regjistruan 350 mijë të larguar nga vendi. Në rast se atëherë iknin ilegalisht me gomone, apo drejt kufirit, tashmë po shfrytëzojnë liberalizimin e vizave, apo mënyrat e tjera që ofrojnë trafikantë të të gjitha llojeve, siç janë pasaportat apo kartat e identitetit falco që shërbejnë për të kaluar drejt Anglisë ose më tej. Një mënyrë tjetër që po shfrytëzohet është dhe dhënia e shtetësisë sidomos nga shteti grek për minoritetet, të cilat shërbejnë si rrugë emigrimi drejt Amerikës dhe Kanadasë.

Eurostat: Kërkesat për azil nga Shqipëria në 2015 arritën në 439% më shumë

Sipas të dhënave të Eurostat, numri i kërkesave për azil të shqiptarëve në vendet e Bashkimit Europian ka shënuar një rritje të frikshme në vitin 2015. Numri i azilkërkuesve nga Shqipëria është rritur me 439%, duke arritur në gati 66 mijë në vitin 2015, nga 12.2 mijë që ishin një vit më parë. Një tjetër rekord ishin aplikimet për llotarikë amerikane, që në vitin 2015 arritën në 200 mijë. Kjo shifër mbeti e palëvziour dhe në vitin 2016. Sipas mediave britanike, brigjet e Anglisë po kthehen në destinacionin më të fundit të emigrantëve shqiptarë. Nga Shqipëria deri në vitin 2013 mendohet të ishin larguar rreth 30% e popullsisë, ndërsa në  regjistrimin e fundit të vitit 2016, kjo shifër kishte arritur në 40 për qind të saj. Pra, mund të thuhet se Rama në 3 vjet e ka rritur numrin e atyre që kërkojnë të largohen aq sa është rritur në një nga dekadat e fundit dhe kjo rrjedhje po vazhdon gjithnjë e më shumë. Ministria e Brendshme e Gjermanisë paralajmëroi se, Shqipëria është vendi, i cili ka pasur kërkesat më të shumta të pas Sirisë në vitin 2016. Sipas njoftimeve të Ministrisë në vendin e parë për kërkesa për azil ishin refugjatët nga Siria për të pasuar ata nga, Shqipëria, Afganistani dhe Iraku. Nëse i analizojmë të gjitha shtetet me radhë, Shqipëria dhe Kosova kanë arsye kryesore për emigrim ekonomik. Sipas një përllogaritjeje, nëse vazhdohet me këto ritme Shqipëria në një të ardhme jo shumë të largët do ketë një popullsi shumë të vogël.

Exit mobile version