Rama gënjeu për Prokurorinë në shërbim të Shullazit e Tahirit

Rama gënjeu dje Parlamentin kur tha se policia ka kërkuar përgjim për Emiljano Shullazin dhe nuk e ka marrë lejen nga Prokuroria. Kryeministri ka sqaruar disa herë procedurën e ndjekur nga policia për arrestimin e Shullazit. Ai është përpjekur të bëjë me faj Prokurorinë, e cila sipas Kryeministrit ka vonuar deri në mesnatë të lëshojë urdhrin e arrestit, ndërkohë që policia e kishte shoqëruar Shullazin. Duket e qartë bindja e Kryeministrit se, Prokuroria ka vonuar në lëshimin e urdhër arrestit, më keq akoma, ka refuzuar kërkesën për përgjim. Pra, Kryeministri foli për një krizë të fortë në raportet mes policisë dhe Prokurorisë. Sipas tij, Prokuroria dhe policia, dy institucionet ligjzbatuese të shtetit nuk bashkëpunojnë, pra rendi dhe siguria në vend nuk funksionon. Kjo ishte një deklaratë e rëndë e thënë nga goja e kreut të qeverisë.
“Policia e ka ndaluar Shullazin dhe më pas ka kërkuar nga Prokuroria autorizimin për arrestim dhe e ka marrë pas mesnate, ndërkohë që personazhi në fjalë ishte në qeli. Është kërkuar autorizimi për përgjimin dhe nuk është arritur”, ka thënë Rama.
Por pak çaste pas tij, ministri i Brendshëm e përgënjeshtroi Kryeministrin duke thënë se ishte një lapsus. “Ishte lapsus i Kryeministrit, kur tha se Prokuroria nuk ka pranuar kërkesën për përgjim. Por, e vërteta është se policia ka referuar çdo material”, tha Tahiri.
Ndërkohë Kryeministri Rama e kishte përsëritur deklaratën më shumë se një herë, në replikë me Palokën e Topallin. Pra, nuk duket i besueshëm versioni i ministrit Tahiri, që kishim të bënim thjesht me një lapsus.
Ajo çfarë konfirmoi Rama përmes kësaj deklarate është një konflikt i hapur mes ministrit Tahiri dhe Prokurorisë për çështjet e krimit. Se kush ka të drejtë dhe se kush është i lidhur me krimin kjo nuk ka asnjë pikëpyetje për opinionin. Tahiri është një zëdhënës i hapur bandave dhe krimit të organizuar, ndërsa për kryeprokurorin Llalla deri tani nuk ka pasur një deklaratë që ta akuzojë atë për lidhje të tilla kriminale.
Rama e bëri atë deklaratë për të mashtruar opinionin dhe për të mbrojtur hapur ministrin e tij. Po përse duhet ta mbronte duke sajuar një gënjeshtër të rëndë, të cilën u detyrua më pas që ta përgënjeshtronte vetë Tahiri? Arsyeja është e thjeshtë. Të gjithë e dinë se çfarë ka ndodhur natën e arrestimit të ortakut të Ramës në krimin e organizuar, Shullazit. Prokuroria ka kërkuar me ngulm arrestimin e Shullazit dhe hezitimi i policisë për të zbatuar vendimin e Prokurorisë ka detyruar kryeprokurorin që të thërrasë në një takim edhe drejtorin e Përgjithshëm të Policisë. Pas këtij takimi dhe paralajmërimeve të forta që Rama ka marrë direkt, është lejuar që Shullazi të arrestohet.
Gënjeshtra e djeshme e Ramës dhe tërheqja prej saj përmes ministrit të Krimit nuk bëri gjë tjetër veçse konfirmoi para të gjithë shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë se kreu i qeverisë dhe ministri i tij i Brendshëm qëndrojnë prapa të gjitha krimeve të Shullazit.

Exit mobile version