20 mijë zyrtarë nuk plotësojnë formularët e dekriminalizimit

Janë mbi 20 mijë persona që punojnë në administratën shtetërore dhe nuk kanë dorëzuar akoma formularin e vetëdeklarimit në kuadër të ligjit të dekriminalizimit.
Nëse nuk e bëjnë këtë gjë deri më 5 maj që është edhe afati i fundit ligjërisht, ata rrezikojnë të shkarkohen nga puna.
Këtë apel e ka bërë vetë ministrja e Inovacionit, Milena Harito, e cila i bëri thirrje punonjësve të administratës të dorëzojnë formularin e plotësuar.
“Deri tani 3 mijë vetë e kanë dorëzuar”, tha Harito, e cila nënvizoi “është e rëndësishme që çdo njeri të bëjë vetëdeklarimin se ligji e parashikon kështu. Deri më 5 maj është afati i fundit dhe çdo njeri që është subjekt i ligjit, shkarkohet automatikisht nga puna nëse nuk e dorëzon. Unë vetë e kam plotësuar, fare i thjeshtë, s’ka asnjë vështirësi”.
Ky apel është për administratën, theksoi ministrja, e cila nënvizoi se informacioni është publik ndaj çdo njeri është mirë të interesohet.
Po përse këta zyrtarë nuk po e dorëzojnë formularin e dekriminalizimit? Pyetja ka si përgjigje shkallën e lartë të kriminalizimit të administratës. Nëse vërtet do të kishin njerëz pa problem, ata nuk do të kishin asnjë pengesë që të plotësonin formularët e dekriminalizimit.
Deklarata e djeshme e ministres është një ogur i keq. Një arsye tjetër është fakti se kjo administratë nuk e njeh dhe nuk kërkon që të zbatohet ligji i dekriminalizimit. Kjo është thënë hapur edhe nga kreu i qeverisë sipas të cilit ligji është antikushtetues dhe tani të njëjtën gjë duket se po bën edhe pjesa më e madhe e administratës.
Brenda 19 ditësh përfundon afati që Parlamenti i ka dhënë administratës për të përmbushur formularin e dekriminalizimit. Halli i të inkriminuarve është fakti se ligji parashikon dënim me burg nëse ata gënjejnë në plotësimin e formularit. Po në rast se ata nuk e plotësojë? Përgjigjja e kësaj pyetje sipas ligjit është se ata do të humbasin vendin e punës. Të inkriminuarit që e dinë se i kanë letrat e hapura për krimet e tyre dhe që janë pjesë e administratës të këtij pushteti duket se kanë gjetur mënyrën më të butë për t’u larguar, duke mos dorëzuar formularin e dekriminalizimit. Në këtë rast ata evitojnë deklaratën e rreme se nuk janë të penalizuar dhe në të njëjtën kohë i shpëtojnë dhe burgut dhe dalin para njerëzve të tyre si cuba që nuk pranonin të përmbushnin një formular si ai i dekriminalizimit.
Procesi i dekriminalizimit është prova më e fortë e ekzistencës së këtij pushteti dhe të stabilitetit në vend. Është e qartë se Rama nuk do të pranojë të largojë kriminelët sepse pa ata ai nuk mund të fitojë asnjë palë zgjedhje. Këta të inkriminuar nuk do të plotësojnë formularët e dekriminalizimit sepse kanë dëgjuar shefin e tyre që ka deklaruar se ligji është antikushtetues. Fakti se 20 mijë punonjës të këtij pushteti nuk pranojnë të plotësojnë formularin është një paralajmërim i keq për atë që mund të ndodhë në rast se Rama do të sfidojë ligjin e dekriminalizimit.

Exit mobile version