Rama, 6.6 milionë euro për rimodelim zyre

Gjatë vitit 2017, zyra e Kryeministrit do të shohë 641 fytyra të reja. Viti që sapo jemi futur është një vit elektoral dhe një ndër metodat për të mbledhur vota nga qeveria është blerja përmes punësimit. Kjo mendohet të jetë edhe arsyeja e parashikimit në buxhetin e shtetit, shtimin e stafit pranë Kryeministrit. Janë disa shifra të publikuara nga “Euroasia Review”. Në këtë analizë bëhet e qartë përmes shifrave se ku shkojnë paratë që Rama thith nga qytetarët përmes rritjes së shpeshtë të taksave. Gjithashtu shihet edhe një shpërndarje e diferencuar e fondeve të buxhetit të shtetit, një tjetër fakt që bind se taksat e shqiptarëve do të përdoren për luksin e Ramës dhe blerjen e votave.
Administrata shtetërore është shumë e fryrë, nëse do të shohim edhe institucione të tjera ku padiskutim rekordin e mbajnë ministritë dhe për fat të keq institucioni më i lartë i shtetit, institucioni i Presidencës ka një buxhet shumë të kufizuar dhe kjo falë arrogancës dhe frymës mbytëse të mazhorancës.
Parlamenti shqiptar ka vetëm 405 punonjës, të cilët ndihmojnë për të organizuar çdo ditë aktivitetet për 140 parlamentarë, duke përfshirë këtu edhe kreun e Parlamentit dhe dy zëvendësat e tij. Në Kryeministri ka më shumë punonjës se edhe Ministria e Ekonomisë me 580 punonjës, Ministria e Transportit dhe Infrastukturës me 440 punonjës, Ministria e Punëve të Jashtme me 506 punonjës, duke përfshirë edhe diplomatët, Ministria e Integrimit me 113 punonjës. Në të gjitha këto ministri, thjesht shpërdorohen paratë e taksapaguesve shqiptarë dhe nuk ka asnjë rezultat që të justifikojnë rrogat. Administrata shtetërore është i vetmi sektor që punëson sot në Shqipëri. Duke qenë se bazohet në preferenca partiake, atëherë përdorimi i buxhetit të shtetit është abuziv. Në Shqipëri vetëm për reforma apo zhvillim ekonomik nuk mund të flitet tani. Sa për dikasterin e transportit dhe infrastrukturës mjaftoi një dimër i egër dhe i nxorri zbuluar dhe të paaftë për të menaxhuar situatën. Ndërkohë po të flasim për diplomacinë dhe integrimin, aty janë mbledhur qylaxhinj që me politikat e tyre po e kthejne Shqipërinë mbrapa në sistemin e vizave.
Në një kohë që zyrat e Kryeministrisë fryhen me personel që paguhen nga taksat e shqiptarëve në Presidencë punojnë vetëm 76 punonjës dhe me një buxhet jashtëzakonisht të kufizuar. Në buxhetin e ri që u miratua në Parlament për vitin 2017, Kryeministri ka marrë pjesën e luanit. Janë parashikuar mbi 27.6 milionë euro për shpenzimet vjetore të Edi Ramës dhe vetëm 1.5 milionë euro për institucionin e Presidentit të Republikës.
Pra jeta luksoze e Kryeministrit të Shqipërisë nuk bazohet vetëm tek shtimi i punonjësve në oborrin e tij gati faraonik, por siç shihet edhe nga shumat e parave që ai shpërdoron për qejfet vjetore. Janë gati 28 milionë euro që janë planifikuar për atë gjatë vitit fiskal që sapo ka nisur. Kjo shumë është e barabartë me pagesën vjetore për 12 mijë pensionistë apo me dhjetë mijë të drejta studimi. Gjithashtu sipas “Euroasia Review”, çdo punonjës në Kryeministri do të shpenzojë 43 mijë euro në vit, ose 3600 euro në muaj sipas ndarjes në zëra të buxhetit të sapo miratuar. Çdo punonjës i Kryeministrisë do t’i kushtojë taksapaguesve shqiptarë një shumë të njëjtë me pagesën mujore të 20 pensionistëve. Duke i qëndruar ende idesë së vitit elektoral është e qartë se, shpenzimet operative të miratuara nga buxheti i shtetit patjetër që do të përdoren të gjitha deri në qershor. Pra përveç parave që do të derdhen në fushatë nga tregtia e drogës, Rama ka planifikuar që të përdorë edhe fondet e buxhetit të shtetit, duke ua shtrënguar edhe më shumë bizneseve lakun e taksave dhe qytetarëve litarin e bukës. Nga të gjithë litarët që ka shpikur njerëzimi, më i forti doli litari i bukës.
Në buxhetin e shtetit është parashikuar edhe një shumë prej një milion euro në dispozicion të Kryeministrit për të marrë me qira makina luksoze. Kjo shumë është e barabartë me çmimin e qirasë së njëzet makinave luksoze. Gjithashtu për rimodelimin e ambienteve të Kryeministrisë edhe në vitin 2017 janë planifikuar 6.6 milionë euro për mobilje apo shpenzime mirëmbajtjeje. Që nga data kur ka hyrë në Kryeministri para tre vjetësh, Rama i ka rimodeluar nja pesë herë zyrat dhe me arrogancën e tij nuk ka dhënë kurrë shpjegime për shpërdorimin e parave në tenderat që ka organizuar.

Redin Hafizi

Exit mobile version