9 viktima nga i ftohti në 5 ditë, 4 vetëm dje

Rritet numri i viktimave nga i ftohti. Vetëm ditën e djeshme kanë gjetur vdekjen 4 persona si pasojë e të ftohtit të madh duke e çuar në 9 numrin e viktimave në pesë ditë. Ndërsa numri i viktimave nga i ftohti po shtohet dita-ditës, Rama nuk dënjon të shpallë gjendjen e emergjencës. Qeveria nuk ka marrë asnjë masë për t’u ardhur në ndihmë banorëve nga i ftohti, sidomos të pastrehëve që enden rrugëve pa asnjë ndihmë ekonomike e përkrahje sociale. Rama dhe qeveritarët harxhojnë miliona e miliona lekë të planifikuar për emergjencat për luks në zyrat e tyre.

Vdes në banesë 38-vjeçari në Pogradec

Bëhet e ditur se 38-vjeçari Anastas Shuke ndërroi jetë në banesën e tij në lagjen nr.10 në qytetin e Pogradecit, ku jetonte i vetëm. Ishin disa të afërm që e kanë gjetur të vdekur në banesë 38-vjeçarin, për shkak të të ftohtit, pasi brenda banesës së tij nuk u gjet asnjë mjet ngrohës. Të afërmit kanë njoftuar policinë, e cila ka shkruar në vendngjarje dhe ka konstatuar se 38-vjeçari Shuke kishte gjetur vdekjen nga shkaqe natyrale, si pasojë e temperaturave të ulëta. Drejtori i spitalit rajonal te Pogradecit pohon se ka dyshime te forta se vdekja ka ardhur si pasojë e temperaturave të ulëta.

67-vjeçarja gjendet e vdekur në Durrës

Po ditën e djeshme është gjetur e vdekur në banesë një e moshuar në qytetin e Durrësit. Bëhet e ditur se 67-vjeçarja Shpresa Muça nga Durrësi, e cila jetonte e vetme në apartamentin ku nuk kishte asnjë mjet ngrohës është gjetur e vdekur. Bëhet e ditur se e moshuara mund të ketë ndërruar jetë që para tre ditësh, kohë kur edhe nuk i ishte përgjigjur në telefon djalit të tij. I shqetësuar, ky i fundit kërkoi ndihmën e zjarrfikësve, pasi nuk mund të hynte në apartamentin e nënës, dera e blinduar e të cilit ishte e mbyllur nga brenda. Zjarrfikësit kanë hyrë nga dritarja dhe kanë vënë re që gruaja ishte e pajetë. Dyshimet e para janë për një atak kardiak nga i ftohti, pasi gruas nuk ju gjet asnjë ngrohëse brenda, siç pohuan burimet nga zjarrfikësit.

Humb jetën në liqen 12-vjeçari

Një 12-vjeçar nga Manza humbi jetën, ndërsa po luante mbi akullin e ngrirë të liqenit në Mëzez. Sipas burimeve, 12-vjeçari Fabian Gurakuqi po luante sipër liqenit të ngrirë të Kasharit, por kur akulli është thyer ka rënë brenda. Ngjarja ndodhi dje rreth orës 14:15, në rezervuarin e Mëzezit. Sipas policisë, motra e viktimes, 15-vjeçarja Emanuela Gurakuqi, e cila hyri në rezervuar të shpëtojë të vëllain, është nxjerrë nga uji, dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Pak kohë më vonë, polumbarët nxorën trupin e pajetë të fëmijës nga rezervuari. Nga hetimet paraprake është mësuar se fëmijët kanë qenë duke luajtur në rezervuarin që ka qenë pjesërisht i ngrirë.

Mbyet bariu në Fier

Një bari në fshatin Petovë në Fier u mbyt në rezervuar kur tentoi të kalonte rezervuarin sipër shtresës së akullit. Sipas dëshmitarëve, ai sëbashku me një shokun e tij, gjithashtu bari, vendosën të ecnin mbi akull, por vetëm pas pak metrave, shtresa e akullit u thye. 40-vjeçari Hajredin Xhelo, baba i dy fëmijëve, nuk mundi të shpëtonte. Polombarët kanë nxjerrë nga uji pas 6 orësh trupin e pajetë të 40-vjeçarit.

7 janar, Beni i Durrëst u gjet i ngrirë nga acari

Në 7 janar u regjistrua viktima e parë nga i ftohti në Durrës. Një i pastrehë është gjetur i ngrirë dhe i pajetë në orët e para të mëngjesit të 7 janarit në lagjen nr.17 të qytetit bregdetar. Ishin banorët ata që njoftuan për vdekjen e 38-vjeçarit Arben Sulo, i cili ishte i njohur në qytet me emrin Beni. Bëhet me dije se, Beni ishte i papunë dhe pa asnjë të ardhur dhe strehohej ku të mundej.

8 janar, Leonard Arapi në Sarandë

Në 8 janar një tjetër i pastrehë ka gjetur vdekjen si pasojë e të ftohtit të madh në qytetin bregdetar të Sarandës. 53-vjeçari Leonard Arapi u gjet nga banorët i pajetë si shkak i të ftohtit të acartë dhe kushteve tejet të vështira në të cilat ai jetonte. Arapi është gjetur i pajetë në lagjen nr.2 të qytetit të Sarandës, në një banesë të improvizuar. Problemin e strehimit, ai e kishte ngritur disa herë tek strukturat shtetërore, por askush nga qeveritarët nuk i erdhi në ndihmë për t’i siguruar një strehë.

8 janar, Vasil Kaçi në Gjirokastër

Po më 8 janar një i moshuar gjeti vdekjen mes ngricave në Gjirokastër, pasi kishte hipur në tarracën e shtëpisë për të pastruar akullin nga tubacioni i ujit. Temperaturat disa gradë nën 0 kanë ngrirë tubacionet e ujit në shumë qytete. Nisur nga kjo situatë 62-vjeçari Vasil Kaçi, banues në lagjen “Granica” të Gjirokastrës ka hipur në tarracën e banesës, por ka rënë prej andej dhe ka gjetur vdekjen.

9 janar, Bashkim Çepa në Lushnjë

Më 9 janar gjeti vdekjen nga i ftohti një roje nga qyteti i Lushnjës. Bashkim Çepa, i cili punonte roje në një pallat, mëngjesin e 9 janarit është gjetur i ngrirë në vendin e punës. Ishin banorët e pallatit, ata që njoftuan policinë, e cila më pas bëri dërgimin e trupit të pajetë në morg. Punëtori ka qenë me probleme shëndetësore, por askush nga zyrtarët nuk u interesua për jetën e tij. Ai ka shfaqur probleme me zemrën dy ditë para se të ndërronte jetë nga i ftohti.

10 janar, i pastrehu Ilia Lifo në Korçë

Më 10 janar gjeti vdekjen nga i ftohti një i pastrehë në qytetin e Korçës. 60-vjeçari Ilia Lifo është gjetur i vdekur në periferi të qytetit të Korçës tek vendi i quajtur “Parku i mallrave” në lagjen nr.10 të qytetit jugor. Sipas burimeve, 60-vjeçari Lifo është gjetur i pajetë në ambientet e një zdrukthtarie, ku ai e kishte sajuar si “banesë”. Të njëjtat burime bënë të ditur se 60-vjeçari i pastrehë ka vdekur nga i ftohti. Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe bëri të ditur se në trupin e viktimës nuk kishte shenja dhune, dhe vdekja ka ndodhur nga shkaqe natyrore, nga temperaturat e ulëta.

Fshatrat e Tropojës të izoluara, mungojnë ushqimet dhe ilaçet

Njësitë administrative, Nikaj-Mërturi, Llugaj, Margegaj, Bytyçi, Bujan, Tropojë dhe Fierzë vazhdojnë të mbeten në pushtetin e dëborës dhe ngricave. Afro 5 mijë banorëve që jetojnë në rreth 60 fshatra nuk u mundësohet qarkullimi me qendrat e këtyre njësive administrative dhe as me qytetin Bajram Curri për arsye të bllokimit nga akulli dhe për faktin se, bashkia nuk i ka mjetet e duhura për ta përballuar këtë situatë emergjente për të gjitha akset dytësore.
Kryetarët e njësive administrative kërkojnë nga qeveria dhe emergjencat civile të mundësojnë ndërhyrjen për çlirimin e qarkullimit, pasi nuk kanë të siguruar edhe bazën ushqimore si për familjet ashtu edhe  për bagëtitë.
Problematike është situata me fëmijët dhe të moshuarit, të cilët në presionin e të ftohtit dhe acarit, nuk u sigurohet ndihma mjekësore. Sipas deputetes së PD, Mimoza Hajdarmataj, qendra shëndetësore e Dragobisë e trumbetuar aq fort nga ministri Beqaj në kohën e sezonit veror turistik, qysh prej tetorit të kaluar, kohë kur si rezultat i furtunës dhe reshjeve të shiut u shkatërrua pothuajse krejtësisht dhe e tillë vazhdon edhe në këtë mot të acartë dhe me epidemi gripale.
Ajo thotë se kjo qendër shëndetësore ka dalë jashtë funksionit dhe askush nuk ka marrë masa për rikonstruksionin e saj nga Tirana dhe as nuk ka asnjë mbështetje për ilaçe apo vaksina kundër gripit. Moti i keq dhe keq qeverisja po mbajnë të izoluar Tropojën.

Apeli i PD Pukë: Dhjetëra fshatra të izoluar kërkojnë ndihmë

Prej disa ditësh i ftohti i acartë dhe dëbora ka mbuluar disa zona të vendit. Kreu i Partisë Demokratike në Pukë, Prel Gjoni denoncon problematikat me të cilat ndeshen banorët e kësaj zone. Gjoni thotë se prej 7 ditësh, të gjithë fshatrat në Pukë janë të izoluara nga dëbora dhe ngrica. Teksa thotë se në disa prej tyre mungon uji dhe energjia elektrike, Gjoni bën thirrje për ndërhyrje, në mënyrë që t’u vihet në ndihmë banorëve të këtyre fshatrave.
“Sot 7 ditë të gjitha fshatrat e rrethit Pukë janë të izoluara nga bora dhe ngricat. Ju bëjmë thirrje të na ndihmoni përmes zërit të Partisë Demokratike, se mungesa e ndërhyrjes nga pushteti qendror dhe vendor dhe Shtabi i Emergjencave Civile në Pukë rrezikojnë për bukë dhe furnizime të ndryshme shumë banorë. Kjo pasi ujërat kanë ngrirë, energjia elektrike diku mungon komplet, dhe disa fidra nuk janë në fazë që të punojnë mullinjtë e blojës. Në fshatrat si Qafë-Mungu, Bushat, Midhe, Ukth, Milor, Qerret i Vogël, Kodërbojë, Njësia Administrative Qelëz. Po kështu dhe fshatrat Levoshe, Berishë, Sapaq, Arap, lagjet e Iballës, Qyqesh, Vlash, Majsa, Njësia Administrative Iballë, ku kësaj njësie edhe rruga nacionale nuk i është hapur akoma. E njëjta gjë për fshatrat Kokdodë, Aprripe, Bugjon, Gralisht, Qafë-Kuqe, Miliska, Mezi, njësia administrative Fierzë. Fshatrat Qafë-Mali, Lum-Bardhë, Tuç, Orosh, Lumardh, Micoj, të Bashkisë Fushë-Arrëz. E njëjta gjendje për fshatrat Kimez, Mesul, Rras, Kushnen, Buhot, Kabash të Bashkisë Pukë”, shprehet kreu i PD në Pukë, Prel Gjoni.

Ja rrugët e bllokuara nga bora e akulli në Shkodër

Situata në Veri të vendit vazhdon të jetë e rënduar si pasojë e bllokimit të rrugëve, ndërsa mjaft fshatra janë të izoluar dhe pa drita. Në rajonin e Shkodrës nuk ka ndryshim në gjendjen e akseve të këtij Rajoni. Vazhdojnë të jenë të bllokuara akset rrugore Shkodër-Theth, Shkodër-Shosh-Breg i Lumit, Qafë Bordoleci-Vemosh, Shllak-Temal, Qerret-Qelëz, Tamarë-Vermosh, Tamarë-Kozhnje. Po ashtu, në mjaft fshatra mungon energjia elektrike, duke shtuar edhe më shumë vështirësitë për banorët e izoluar.
Edhe në Pukë situata është mjaft e rënduar. Sipas autoriteteve, akset e bllokuara janë: Fushë Arrëz-Iballë, Shkodër-Theth, Shkodër-Shosh-Breg i Lumit, Qafë Bordoleci–Vemosh, Shllak-Temal, Qerret-Qelëz, Tamarë-Vermosh, Tamarë-Kozhnje, Muhurr-Çidhen-Lurë, Burrel-Macukull.
Reshjet e borës kanë rinisur dhe në Qarkun e Dibrës, ku mjaft fshatra janë të izoluara. Po ashtu, moti i keq ka sjellë probleme të mëdha dhe për qytetin e Bulqizës, pasi prej tre ditësh mungon uji i pijshëm. E gjithë zona ka probleme me furnizimin me energji elektrike, si pasojë e rrëzimit të shtyllave.

R.POLISI

Exit mobile version