Procedohen 44 nëpunës, morën pjesë në zgjedhje

Ministrja e Financave, Helga Vukaj, ka kërkuar marrjen e masave dhe procedim të menjëhershëm disiplinor për 44 punonjës të administratës për shkak të thyerjes së urdhërimit për mosangazhimin në zgjedhje. Sipas Ministrisë së Financave, ata kanë cenuar standardin zgjedhor dhe mbajtjen larg të administratës dhe keqpërdorimit politik. “Dokumentacioni u është përcjellë sot institucioneve përkatëse, më konkretisht: Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, Drejtorisë së Shërbimit të Tatimpaguesve, Shtypshkronjës së Letrave me Vlerë, si dhe FAF sha”, thuhet në njoftim. Kërkesa e Ministrisë së Financave për procedimin displinor të këtyre punonjësve erdhi pas inspektimeve intensive të grupeve të punës, të cilat konstatuan se personat në fjalë nuk kanë qenë prezentë në punë, mungesë e cila, gjatë monitorimit, nuk është përligjur me asnjë akt shkresor apo dokumentacion justifikues. “Këto raste u përkasin inspektimeve të kryera që nga momenti i hyrjes në fuqi të VKM-së 473, dt. 01.06.2017 deri më datë 21.06.2017”, sqaron ministria. Konstatimet e mësipërme janë raportuar nominalisht edhe pranë Task Forcës. Ministria e Financave u bën thirrje drejtuesve dhe punonjësve të institucioneve në varësi që të zbatojnë me korrektësi udhëzimet e VKM nr. 473, në të kundërt do të përballen me përgjegjësi ligjore.

Exit mobile version