Mandija, referon në Prokurori 164 punësime në këmbim të votës

Zyra e zëvendëskryeministres Ledina Mandija referon në Prokurori 164 punësime në shkelje të Kodit Elektoral në shoqërinë “Albpetrol” sh.a. Siç bëhet me dije në deklaratën për mediat, të gjitha punësimet janë kryer pas datës 26 maj. “Zëvendëskryeministrja Ledina Mandija, në cilësinë e drejtuesit të Task Forcës, referoi sot në Prokurorinë e Përgjithshme informacionin e verifikuar se shoqëria ‘Albpetrol’ sh.a, shoqëri, e cila ka vartësi direkt nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë, pas datës 26 maj 2017 ka punësuar 164 shtetas në shkelje të Kodit Elektoral. Bazuar në VKM-në Nr. 473, datë 1.06.2017, pika 31, germa ‘ë’, zyra e zv.kryeministres Mandija njofton se ka dyshime të arsyeshme që janë konsumuar elementët e veprës penale të shpërdorimit të detyrës parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal dhe korrupsionit aktiv në zgjedhje parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal”. Një ditë më parë zyra e zëvendëskryeministres referoi rastin për 18 punësime pas kësaj periudhe. Por dje në vijim të informacioneve të reja të marra nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve u verifikua se ka me qindra punësime të tilla në shkelje të Kodit Elektoral.

Zv.kryeministrja kallëzon në Prokurori drejtorin e Postës

Zëvendëskryeministrja Ledina Mandija ka kallëzuar në Prokurori  drejtorin e Përgjithshëm të Postës shqiptare. “Zyra e zëvendëskryeministres vlerëson se, ekziston dyshimi i arsyeshëm se drejtori i Përgjithshëm dhe persona të tjerë drejtues të shoqërisë, me veprimet dhe mosveprimet e tyre të kryera me dashje duke vepruar në kundërshtim me ligjin, kanë konsumuar elementët e veprës penale ‘Shpërdorimi i detyrës’ dhe ‘Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore’ të parashikuara përkatësisht nga neni 248 dhe neni 328/a të Kodit Penal”, thuhet në një njoftim zyrtar. Gjithashtu, zëvendëskryeministrja Ledina Mandija në cilësinë e kryesueses së Task Forcës, i ka kërkuar dje prokurorit të Përgjithshëm hetimin e plotë dhe të gjithanshëm ndaj veprimeve arbitrare të drejtuesve të shoqërisë Posta Shqiptare sh.a, të cilët gjatë periudhës së fushatës zgjedhore nga data 25.5.2017 e deri më sot, po bëjnë lëvizje masive të pajustifikuara të punonjësve të shoqërisë në qendër dhe në filialet e saj në rrethe, sqarohet në njoftimin zyrtar. “Zëvendëskryeministrja Ledina Mandija, në cilësinë e kryesueses së Task Forcës, i ka kërkuar sot prokurorit të Përgjithshëm hetimin e plotë dhe të gjithanshëm ndaj veprimeve arbitrare të drejtuesve të shoqërisë Posta shqiptare sh.a, të cilët gjatë periudhës së fushatës zgjedhore nga data 25.5.2017 e deri më sot, po bëjnë lëvizje masive të pajustifikuara të punonjësve të shoqërisë në qendër dhe në filialet e saj në rrethe. Sipas urdhrave të shkarkimeve të vëna në dispozicion të zëvendëskryeministres janë të paktën 30 (tridhjetë) raste të tilla, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që numri real i lëvizjeve të punonjësve të jetë edhe më i madh. Grupi i verifikimit në pamundësi për të marrë informacionin nga drejtori i shoqërinë Posta shqiptare sh.a, i siguroi të dhënat nga Drejtoria e Përgjithshme të Tatimeve (DPT), e cila konfirmoi faktin se pas datës 25.05.2017 janë larguar nga puna 22 punonjës dhe janë emëruar rishtaz 27 persona. Referuar këtyre fakteve ekziston dyshimi i arsyeshëm se këto lëvizje masive të pajustifikuara të punonjësve gjatë periudhës së fushatës zgjedhore po bëhen për qëllime politike. Në këto kushte, zyra e zëvendëskryeministres vlerëson se lëvizjet masive të pajustifikuara ligjërisht të punonjësve të shoqërisë në qendër dhe në filialet e saj në rrethe në një periudhë relativisht të shkurtër dhe për më tepër gjatë fushatës zgjedhore, janë në kundërshtim me dispozitat e Kodit të Punës, por edhe me përcaktimet e bëra në nenin 88 të Kodit zgjedhor. Zyra e zëvendëskryeministres vlerëson se, ekziston dyshimi i arsyeshëm se drejtori i Përgjithshëm dhe persona të tjerë drejtues të shoqërisë, me veprimet dhe mosveprimet e tyre të kryera me dashje duke vepruar në kundërshtim me ligjin, kanë konsumuar elementët e veprës penale ‘Shpërdorimi i detyrës’ dhe ‘Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore’ të parashikuara përkatësisht nga neni 248 dhe neni 328/a të Kodit Penal. Për këto arsye, bazuar në pikën 31, germa ‘ë’ të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 473, datë 01.06.2017, zëvendëskryeministrja ia ka referuar këtë rast Prokurorisë për kryerjen e veprimeve të nevojshme hetimore, për verifikimin dhe vlerësimin e tij, me qëllim ushtrimin e funksionit kushtetues të ndjekjes penale. Zyra e zëvendëskryeministres Ledina Mandija vlerëson se, pavarësia politike e administratës shtetërore është e lidhur drejtpërdrejtë me nevojën për respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të shtetasve, të cilëve u ofrohet shërbim si edhe me nevojën për të garantuar parimet e neutralitetit, paanshmërisë dhe integritetit të nëpunësve të administratës shtetërore”.

Exit mobile version