Përdorimi jo adekuat i termit “revolucion” dhe “revolucion demokratik” për ngjarjet e qershorit 1924

Nga Prof.as.Dr. Hasan BELLO

Edhe pse kanë kaluar njëqind vjet nga qershori i 1924 ende dhe sot e kësaj dite nuk ka një konsensus nga historianët dhe studiuesit sesi duhen përkufizuar këto ngjarje. Kjo ka ardhur për shkak të ideologjizimit dhe indoktrinimit komunist, sepse në vetvete ky problem është shumë i qartë.

Në shkencën politike, një revolucion është një transformim i shpejtë, themelor i strukturave shtetërore, klasore, etnike ose fetare të një shoqërie. Nisur nga këto premisa është shumë e vështirë që ngjarjet e vitit 1924 dhe koha tepër e shkurtër gjashtëmujore e qeverisë së Fan Nolit të konsiderohet si një revolucion.

Atëherë lind pyetja, kush dhe pse i quajti revolucion ngjarjet e vitit 1924? Dhe çfarë ishin në të vërtetë ato?

Sipas burimeve dokumentare, memorialistikës dhe shtypit të viteve 20-30-të koncepti revolucion për ngjarjet e vitit 1924 është përdorur fillimisht jo nga të gjithë protagonistët e kohës. Por vetëm nga një rreth tepër i ngushtë i nolistëve, të cilët kishin filluar të shfaqnin haptazi tendenca majtiste dhe anarshiste, duke marë si model jehonën dhe ndikimin që kishte pasur tek ata dhe kudo në botë Revolucioni Bolshevik i Tetorit 1917 në Bashkimin Sovjetik. Për këtë arsye, nga tetë anëtarë që përbëhej kabineti i Nolit, vetëm dy prej tyre, ai dhe ministri i Arsimit, Stavro Vinjau e kanë përdorur termin revolucion. Pjesa tjetër e ministrave, të cilët për hirë të së vërtetës kishin përgatitur terrenin dhe realizuan de facto këto ngjarje, as nuk u nisën për të bërë dhe as nuk donin zhvillimin e një revolucioni në shtetin shqiptar. Kjo për një arsye shumë të thjeshtë, sepse ata vinin nga shtresa të larta të shoqërisë shqiptare në kuptimin pasuror ose nga radhët e ushtrisë. Madje, përpjekja e Nolit dhe e anëtarëve të Shoqërisë “Bashkimi” për reforma radikale krijoi një situatë konfrontimi në kabinetin qeveritar. Për këtë arsye, bashkëpunëtorët më të ngushtë të Nolit, duke përfshirë ministrin e Jashtëm, Sulejman Delvinën, ministrin e Luftës, Kasem Qafëzezin dhe ministrin e Brendshëm, Rexhep Shalën morën masa për të organizuar një tjetër grusht shteti për ta rrëzuar atë si kryeministër. Por kjo nuk u realizua për shkak të kohës së pamjaftueshme dhe precipitimit të ngjarjeve.

Pra, si mund të kemi një revolucion kur gjashtë nga tetë anëtarët e kabinetit qeveritar ishin kundër? Megjithatë, për arsye pragmatike e propagandistike në diskursin publik dhe publicistik edhe pas largimit nga Shqipëria, Fan Noli, ithtarët e tij dhe ish-anëtarët e organizatës “Bashkimi”, të cilët kaluan hapur në mbështetje të lëvizjes komuniste ndërkombëtare dhe Kominternit i konsideruan ngjarjet e qershorit 1924 si revolucion. Në të vërtetë, parë nga këndvështrimi i zhvillimeve politike që ndodhën në Shqipëri dhe Ballkan pas vitit 1944, ai ishte një eksperimet social ose, më saktë, një provë gjenerale për atë që ndodhi njëzet vite më vonë.

Për shkak se në gjuhën e përditshme Noli dhe ithtarët e tij me tendenca komuniste përdornin termin revolucion kur ishin në qeveri, disa diplomatë të huaj në relacionet e tyre për ministritë e jashtme kanë përdorur të njëjtin term. Duke u nisur nga ky precedent, ndonjë historian shqiptar e përdor këtë si argument për t`i mbushur mendjen studiuesve se me të vërtetë ai ishte revolucion. Në fakt është pjesë e protokollit zyrtar që një diplomat t`i referohet një ngjarje me termat që përdor autoriteti (shteti, qeveria, MPJ) i vendit përkatës. Më pas ai jep vlerësime nëse pretendimet e ngritura nga to qëndrojnë realisht ose jo. Ky konstatim vihet re në raportet e diplomatëve britanikë dhe amerikanë që kanë shërbyer gjatë vitit 1924 në Shqipëri.

Për të ruajtur koherencën ideologjike koncepti revolucion për ngjarjet e 1924 u përdor edhe nga historiografia komuniste pas 1944 dhe në diskursin publik nga E.Hoxha apo drejtues të tjerë. Kjo vijon edhe sot kur janë botuar dhjetra libra studimorë, memorialistikë, dokumentarë etj. Por në të vërtetë a ishte revolucion rrëzimi i një qeverie legjitime, duke përdorur dy garnizone të ushtrisë dhe një pjesë të popullsisë së armatosur që ishte nxitur nga opozita?

Pas leximeve dhe refleksioneve të shumta, diskutimeve me kolegë dhe persona të ndryshëm, personalisht mendoj që këto ngjarje ishin një grusht klasik shteti i ndërthurur me kryengritje të armatosur nga një pjesë e popullsisë.

Në çdo manual të grushteve të shtetit, në momentin që ushtria ngrihet kundër pushtetit ekzekutiv për ta rrëzuar me dhunë, nuk ka më hapësirë për ta interpretuar atë si revolucion, aq më pak revolucion demokratik. Në fund të fundit këtë e ka pranuar dhe sqaruar edhe vetë Fan Noli kur ngjarjet e 1924 i ka quajtur “coup d`etat” (grusht shteti).

Exit mobile version