PD, forca në të cilën mund të besosh

Silvi BARDHI

Ora 13:00 e datës 9 maj, ditës simbol të themelimit të Bashkimit Europian do të shënonte fitoren e një beteje, në luftën e demokratëve nisur 3 vite më parë, kundër oligarkisë në pushtet.
Gjykata Kushtetuese i heq mandatin Koço Kokëdhimës, ishte lajmi i fundit në televizionet e vendit.
Ky lajm forcoi besimin se argumentet e PD-së, mbi të gjitha faktet që Kokëdhima pretendonte se nuk ekzistonin, hodhën dritë për çdo denoncim të bërë publik.
Bazuar mbi fakte e dokumenta, pas një pune disa mujore hulumtimi e hetimi, të bërë nga Departamenti anti-korrupsion në PD, deputetë të PD dhe kryetarit Basha, Koço Kokëdhima u akuzua se në vetëm 6 muaj, kishte shkelur 150 herë Kushtetutën, duke mbajtur të gjitha aksionet e ndërmarrjes së tij e duke përfituar 150 herë fonde publike.
Ai duhej të hiqte dorë nga aksionet e tij që në ditën e parë të marrjes së mandatit, por këtë ai nuk e bëri asnjëherë, as në ditën për diell të 9 Majit, kur ndoshta, nuk u besonte as cilësisë së syzeve të tij, në titrat e lajmeve.
Madje 3 muaj, pasi ishte bërë deputet, ai rriti aksionet në kompani, duke u bërë aksioner i vetëm me 100 për qind.
Ndërkohë Pika 3 e Nenit 70 të Kushtetutës thotë: “Deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor, dhe as të fitojnë pasuri prej tyre”.
Por, për çfarë do të mbahet mend Kokëdhima në Parlament?
Ai ishte ideatori i legalizimit të kanabisit, lëndës narkotike, e cila ka “gjelbëruar” territorin e Shqipërisë, ide tashmë e dështuar.
Do të mbahet mend për sharje nga vendi, jo aq me fjalë sa me gjeste duarsh.
Do të mbahet mend për fjalime, të cilat i ngjasonin aq shumë tonit dhe zhargonit enverian, se sa një përfaqësuesi serioz të halleve të qytetarëve.
Do të mbahet mend edhe për një emër, kryefjalë të çdo fjalie në Parlament.
Emri i tij solli sërish një të vërtetë, nëse do e citojmë Kokëdhimën në emisionin “Opinion”: “Unë do respektoj Gjykatën në mënyrë të plotë dhe nuk bëj komente as pro dhe as kundër. Le të marrin vendim, por më parë Saliu duhet të gjejë ndonjë provë”.
Dhe ja figura historike e opozitës, të cilit historia i jep gjithmonë të drejtë… Sali Berisha dhe lidershipi i PD Lulzim Basha në një sintoni historike për të rrëzuar simbolin e oligarkisë në Parlament Koçon. Dhe ja ku historia i jep gjithmonë të drejtë sovranit dhe forcës së djathtë politike në Shqipëri.

Exit mobile version