100 Shkodra

Edison YPI

Nuk ka shi e breshër, ngricë e dimër, verë e vapë, me të ndal me shku n’Shkodër.
“Udhëtar i vërtetë është ai që niset dhe nuk e di për ku, udhëtar i përsosur është ai që niset dhe ka harru prej ku është nisur” – e provon vajtja në Shkodër.
Torrovica ish-kënetë, ish-burg, aty duket gjithmonë e premte.
E shtuna s’dihet ku ndodhet.
Në Zadrimën që nuk çfaqet por shpërthen, është gjithmonë e dielë.
Pas Zadrimës Shkodra jep vibracionet e para.
Me hy n’Shkodër, nuk mundesh dosido. Ka rregulla, ka kushte. Duhesh me kalu mbi një lumë që zbret nga larg e lart, i cili të paralajmëron; Prit or Beg, se s’është lehtë me hy n’Shkodër.
Prej aty, kurgjë s’shihet, as dëgjohet, gjithçka ndjehet. Pas urës, një “Zoj’ e Mir’ ’” në heshtje dhe solemnitet të urdhnon mirëseardhjen për tek “Zoja e Madhe Shkodër”. Brenda Liqerit dimërak, shelgje që duken si peshkatarë të kërrusur me çizme që rrinë në mes të ujit pa lëvizur.
Rozafa hijerëndë, pa moshë, pa stinë, pa naze, pa lëvizje, “Pa zemër pa ndjenja, syt’ e saj rrufena, qarkullojn’ rreth Shkodrës, tue synue vranshëm”.
Kalojnë tre Zonja shkodrane me të ikë menia e kres,
-A asht e bukur Shkodra?
-Sigurisht.
Pa hyrë në qytet, ndaj një dyqani një djalë dhe një mesoburrë,
-Po, përgjigjen energjikisht të dy.
Bëj sikur nuk dëgjoj.
-Poooooooooooo klithin të dy sa tundet Rozafa.
Ndal makinën diku dhe sillem nëpër qytet. Plot njerëz nëpër rrugë. Shumë biçikleta.
Diku një “Lavazh me ujë të bollshëm”. Nëpër lokale shkodranë dhe shkodrane elegante nazelie nga ato që flasin e shkruajnë me apostrofa; t’ana t’mirat, t’marsha t’ligat, ato që për “Këtë” dhe “Kokë” thonë aq bukur; “Kyt” dhe “Kryt”.
Pyes-pyes-pyes,
Po-po-po përgjigjen të gjithë, Shkodra është e bukur.
Dikush shton; “Shkodra asht e bukur, por duhen edhe pare”.
Ish-i burgosuri politik thotë; Po, Shkodra asht e bukur, por…dhe bën plotësime, sqarime, spjegime.
“Heronjtë e Vigut” janë katandisur në “Heronjtë e VI U” sikur të ishin nxënësa të klasës së VI U.
“Kafja e Madhe” me dyer të kyçura duket si gjymtyrë e mpirë, ka mbajtur frymën, pret.
Pjesa më e bukur e Shkodrës, ajo me rrugica, kthesa, kalldrëme, harqe, portale, ka shumë shtëpi dhe dyqane të cilat, ndryshe nga pjesa e shëmtuar soc-realiste që zjen, shumica janë të mbyllura me qepena të ulura, me sy përdhe, hijshëm, sikur thonë; Ngutuni ju, ne presim, durojmë”.
Pyes a ka këtu shkodranë të vjeter, nga ata të thelbit, të kockës, të palcës, të bërthamës së qelizës prej nga dalin quant-et e dritës. Ka, por vështirë t’i gjesh.
Një shkodran sqaron me krenari se; “La lana scutariana” dmth leshi i bagëtive shkodrane, ka qenë ndër më të famshmit në Europë.
-A asht e bukur Shkodra moj goca?
-Pooooooo përgjigjen njëzëri të njëzeta.
Punëtori, fshatari, malësori, dukagjinsi, tregtari, kioskaxhiu, sudentja, studenti, demokrati, socialisti, komunisti, sigurimisi me kapele kineze, një “Drago” shkodran, mysilmani, katoliku, ortodoksi, fëmijë, gra, burra – plot 100, kur i pyeta;
-A asht e bukur Shkodra?
Të gjithë thanë;
-Po!
Kaq desha. Për kaq erdha. Nis kthimin. Gjunjët më dridhen, koka më zjen, truri më shpërthen. Gjaqet, hakmarrjet, ka edhe të tilla, por janë provizore. Shkodra është e përjetshme, dhe llaftarisht e bukur.
Gjithçka mund të vdesi e të lindi në Shkodër, të zbukurohet a shëmtohet, të fukarallepset, të vritet e të pritet, por shpirti i saj, fryma e saj, hijeshia e saj, s’kanë për të vdekur kurrë.
Si me qenë njeri Shkodra mor’ burr’ i dheut, si me qenë femër. Mundesh a s’mundesh me e dash, është diçka, e Shkodra me t’dash a mos me t’dash është diçka tjetër. Mundesh me j’u lut, me i kërku prehje nën hijeshinë e saj, me i kërku dashuri, me i hy n’zemër, ehe, kjo ësht’ e vështirë, Zoja e di vet çfarë ban, është pun’ e saj, ka kushte nuk munesh me j’u afru dosido, por veçse me kujdes, me përunjësi, me respekt, me delikatesë, mos e shqetësosh, mos e pengosh, mos ja prekësh përhumbjen mendimtare që e rrethon, hijeshinë, misterin.
Tash Zoja po pushon pak, është largu pak, jo larg, n’ato malet me borë me majat në re’. Kur të zgjohet e t’vij, do ndriçoheni, do lindni. Kush n’Shkodër priton me shku, nuk ka dek, nuk ka le kurrë.

Exit mobile version