Një urë për të nesërmen

(Shënime mbi romanin “Shpërngulja e të vdekurve” të Kim Mehmetit)

Nga Agim Baçi

Çfarë nuk e mundim dot, e që i dorëzohemi edhe pse nuk e dimë se kur? Vdekja vijon të jetë mbretëria e cila na pret, ndaj ne na mbetet veçse ta mendojmë. Nuk është dashuri, por s’të braktis kurrë. E vetmja që të afrohet edhe më shumë me rritjen tënde. Por, a është vërtet mbyllja e qepallave fundi i njeriut? Kim Mehmeti, përmes rrëfimeve të gjyshes, na ndërton një histori tjetër për të shkuarën e njeriut, duke e lidhur vdekjen jo me atë fiziken, por me emrin e tij, kujtimin e tij, me “hijen e lënë pas”.
“Jo vetëm kur shoh ndonjë kullë, por edhe kur dëgjoj të flitet për meritat e ndonjë personaliteti të dalluar nga e kaluara jonë, mua sërish më rikujtohet gjyshja dhe rrëfimet e saj që bartnin në vetvete edhe porosinë se nga gjitha bëmat jetësore të banorëve të fshatit tonë, duhej mbajtur mend vetëm ato që peshonin rëndë në kandarin e njerëzores dhe të mirësisë për të gjithë fshatarët. Pra, më rikujtohen ngjarjet për të cilat më me ëndje dhe më së shpeshti rrëfente gjyshja, ngjarje, hija e të cilave shtrihej edhe përtej kohës kur kishin ndodhur, bëma të cilat dëshmonin të vërtetën se jeta e njeriut nuk matet vetëm me ditë, muaj e vite, por me gjurmët që lë pas ai që nuk është më në këtë botë, pra më ringjallen në kujtesë rrëfimet për veprat e banorëve të këtushëm që e bënin njeriun të mos vdiste atë ditë kur e varrosnin, por atëherë kur zbehej kujtimi për të, kur nuk kishte kush dhe pse ta kujtonte”. (Kim Mehmeti, “Shpërngulja e të vdekurve”, “Saras”, 2015)
Sukën dhe Rekën e Epërme Kim Mehmeti na i sjell jo si fshatrat e tij apo e të parëve të tij, por si kryeqendrat e gjykimit të botës shpirtërore. Tregimet e gjyshes dhe të Fatushes, në romanin “Shpërngulja e të vdekurve”, janë bartja e së paharrueshmes së duhur, që na vë në lëvizje e që i jep kuptim hapave, janë ura mes të shkuarës dhe asaj që na duhet ta rrokim për nesër, për t’u dhënë kuptim hapave tanë.
Kim Mehmeti gjendet në hullinë e tij stilistike, mes folklorit dhe realizmit magjik. Balada e tij artistike ka urën e vet të fjalëve, ku nga njëra anë qëndron e shkuara dhe në anën tjetër e ardhmja. Nuk ka ndonjë ndarje mes kohërave, por ka një kohë të përbashkët që mund ta kalojë atë urë – është koha e njeriut që vlen të mos harrohet, që ka se ç’të shënojë në të shkuarën e tij. Kim Mehmeti tenton të ftojë lexuesit e tij në kalanë e botës që mbetet, në atë që s’duhet ta shmangim kurrë.
E mundura dhe e pamundura flenë thuajse në të njëjtin shtrat, dhe është vetë Mehmeti që u jep udhë, mes tregimeve të gjyshes dhe të Fatushës, si dy kohë që kanë nevojë të bëhen bashkë, për të nxjerrë në pah vetitë e kohës së njeriut. E të dyja lodrojnë mes ironisë dhe autoironisë, si për të shpjeguar se brenda njeriut janë të gjitha e i takon atij të pikturojë fytyrën e vet, me të cilën do të mbetet apo do të harrohet.
Vetë autori të fton në hapësirën e imagjinatës, por në pyllin e tij të rrëfimit është ai rojtari i fantazisë. Është një rrëfim joshës që të hedh mes reales dhe ireales, mes ëndrrës dhe zgjimit. Është qëndistar i rrëfimit, duke besuar se liria që ka marrë nga motmotet u takon edhe lexuesve të tij, duke i ftuar të mendojnë më shumë për të vërtetat që jep sesa të besojnë tek ajo që rrëfen.
Në rrëfimet e tij janë pikëpyetjet për jetën, për mbijetesën, për gjakun, për dashurinë. Kështu që bartja e arkëmortit nuk është veçse bartja e arkamaneteve, e dëshirave të të parëve, e lidhjes me atë çka na jep emrin, çka na jep krenarinë prej njeriu, i cili duhet të njohë hapat e tij e të dijë se nga i vjen ai trok që dëgjon për së brendshmi.
E shkuara dhe takimi me vetveten mbeten dy rrugëtime të pashmangshme – të pashmangshme sa vetë vdekja. Kim Mehmeti ka vendosur të sjellë, përmes prozës së tij, gruan si pëlhurën më të mirë ku shënohen këto rrugëtime, duke i besuar asaj përcjelljen e domethënies së udhëtimit në kohë të njeriut.
Personazhet e Kim Mehmetit nuk pranojnë të flenë në shtratin e fatalitetit, edhe pse e dinë forcën e fatit të tyre, të domosdoshmërisë për të pranuar atë që të ndodh, si e vetmja gjë që s’mund të shmangej nga askush, i fortë apo frikacak në qoftë ai.
Ftesa për të ruajtur qetësinë përballë rrëfimeve të gjyshes, është ftesa për të qenë i duruar derisa të vijë ora e udhëtimit të duhur. Rrëfimi i së shkuarës tek proza e Kim Mehmetit vjen si një urë për të nesërmen. Është një prozë që lyp kohën e vet, duke kërkuar të na rrëfejë se beteja për kombin, gjuhën dhe besimin, mbeten ndër dashuritë e pafundme të njeriut. Është një betejë që ka nevojë për më shumë sesa të gjallët, për më shumë sesa bashkëkohësit. Është një kohë që ka të bëjë me atë çfarë dëshirojmë të jemi. Dhe, pa të pashmangshmen nuk do mundemi kurrë ta dimë se ku është e nesërmja.

Exit mobile version