Një “Mad dog”, në Pentagon

Në ndërtimin e administratës së tij, presidenti i sapozgjedhur Donald Trump duket se po tregon kujdes dhe mjeshtëri të madhe. Këtë e provon edhe përzgjedhja e James Mattis, një ish-gjenerali i trupave Marins, për postin e sekretarit të Mbrojtjes.
66-vjeçari James Mattis nuk është një figurë e panjohur në Amerikë. I futur në trupën e marinsave në moshën 19-vjeçare, ai e bën pagëzimin me zjarrin në Luftën e Parë të Gjirit, për të vazhduar karrierën e shpejtë fillimisht në Afganistan dhe më pas akoma në Irak. Më 2003, në fillim të pushtimit të Bagdadit, është tashmë Gjeneralmajor. Një vit më pas “Mad Dog”, kjo është edhe nofka e tij, dallohet në betejën e Falluxhas, një prej kapitujve më të errët të pushtimit amerikan të Irakut. Mattis e ka siguruar nofkën e tij në terren, duke krijuar një reputacion prej komandanti karizmatik dhe gjithmonë në vijë të parë. Sipas “Marine Corps Time”, “Mattis është një prej marinsave më të adhuruar të gjeneratës së tij”.
Lidhur me të qarkullojnë edhe shumë citime dhe anekdota, shumica e të cilave i përkasin vitit 2006, kur Mattis ishte gjeneral në provincën e Anbarit në Irak, ku kërkohej një përzierje aftësish civile dhe ushtarake, dorë që mund të jetë njëherazi hekur dhe pambuk, aftësi bindëse të buta dhe brutalitet i paimagjinueshëm. “Jini të edukuar, jini profesionistë, por kini gjithmonë gati një plan për të vrarë këdo që takoni”, u thoshte marinsave, të cilëve çdo ditë u takonte të bënin traktativa me klane arabe që vetëm pak kohë më parë – ose ndoshta aspak – kishin braktisur ISIS-in. “Kam ardhur në paqe, nuk kam marrë artileri me vete, por ua them me lot në sy: në qoftë se do të provoni të ma fusni, do t’ju vras të gjithëve”, ishte një shprehje tjetër në negociatat me tributë e ndryshme, ashtu si dhe tjetra e ngjashme: “Po ju lutem, mos dilni kundër nesh, sepse në qoftë se do ta provoni, të mbijetuarit do të shkruajnë për atë që do të bëjmë këtu në 10000 vitet e ardhshme”. Patjetër që kjo vendosmëri e Mattis ka siguruar simpatinë e presidentit Trump.
Megjithatë, një historian bashkëkohës i luftërave amerikane si Tom Ricks, të cilit i detyrohen thëniet e Mattis të dëgjuara në terren gjatë luftës në Iran, ka shkruar një koment të artikuluar në “Foreign Policy” për të shpjeguar se gjenerali ka një aureolë shumë të fortë pathyeshmërie (“alla Chuck Norris”, shkruan ai), por që në thelb ka diferenca të mëdha me Trump. Mattis është kundër izolacionizmit, që në fakt është orientimi i parapëlqyer i Trump në politikën e jashtme, të paktën deri më tani dhe është një fans i atij që quhet “angazhimi permanent i Amerikës në botë”, domethënë i bindjes se duke marrë pjesë aktivisht në punët e jashtme dhe duke u mos izoluar, Amerika në fund do të jetë më e sigurtë.
Mattis nuk i beson Rusisë, që sipas tij “dëshiron ta shpërbëjë NATO-n”. Ish-komandanti është edhe një konservator në fushën fiskale, gjë që mund ta bëjnë një skeptik për sa i përket idesë së lëshuar nga Trump për t’i rritur me 20% shpenzimet ushtarake dhe njëherazi të ulë taksat. Ricks rendit një numër diferencash personale që mund të bëhen po aq pika fërkimi midis marinsit dhe Trump: “Për shembull, i pari është një lexues i thekur” dhe përpara se të nisej për Irak më 2004 u dërgoi një listë librash oficerëve të tij me motivacionin se, “njerëzit luftojnë prej 50000 vjetësh në këtë planet, do të ndodhemi përballë shumë situatash tashmë të zgjidhura nga Aleksandri i Madh dhe në të njëjtat vende”. Sepse “në fushën e betejës gjëja që ka më shumë vlerë është ajo midis veshëve”. Mattis është bashkautor bashkë me Gjeneralin David Petraues (i nxjerrë jashtë loje nga një skandal personal) i manualit ushtarak që qysh nga viti 2005 u shpjegon ushtarëve të famshmen counterinsurgency, doktrinën ushtarake që imponon të mbrohet dhe të bëhet mike popullsia lokale përpara edhe vetëm se të mendohet që të luftohet guerilja.
Për një officer të tijin që gjatë një seance marrjeje në pyetje kish qëlluar me pistoletë afër veshit një të burgosur, shkroi: “Ky oficer ka humbur ekuilibrin e tij moral ose ka parë shumë filma të Hollywood” (ky oficer, Allen West, më pas u zgjodh në Kongres dhe më pas u bë komentator në “Fox News”). Mbi të gjitha, Mattis thotë atë që mendon në mënyrë direkte dhe kjo mund ta vendosë në kontrast me një administratë në të cilën “besnikëria e padiskutueshme ndaj shefit vlen më shumë se faktet”, shkruan Ricks. Sigurisht, Mattis gëzon kredit të mjaftueshëm midis republikanëve edhe armiqësorë ndaj Trump për të siguruar emërimin si kreu i Pentagonit dhe roli i tij mund të imagjinohet si ai antiMichael Flynn, ish-gjenerali proPutin i zgjedhur këshilltar për Sigurinë Kombëtare.
Duke parë kurrikulumin, mund të rezultojë e habitshme, por gjenerali nuk është i dashur vetëm në kampin republikan. Qysh kur ka nisur t’i qarkullojë emri, jo pak përfaqësues të Partisë Demokrate janë shprehur në favor të kandidaturës së tij. Fama bipartizan e tij në ambientet ushtarake dhe miratimi popullor e bën të vështirë për cilindo që të dalë kundër “Mad Dog”, i konsideruar gjithsesi më i miri prej zgjedhjeve të tjera të mundshme nga ana e The Donald. Një testim për të parë sesi do të reagojë Kongresi, pasi Mattis do të ketë nevojë për dritën jeshile të Kongresit. Sipas legjislacionit aktual, sekretari i Mbrojtjes duhet të jetë i liruar nga shërbimi aktiv prej të paktën 7 vitesh, kurse ai është liruar vetëm më 2013. Megjithatë, Kongresi ka qenë pozitiv më 1950, kur ka dhënë dritën jeshile për një tjetër gjeneral të famshëm që nuk kishte 7 vjet në lirim, Xhorxh Marshallin.

Disa nga shprehjet e tij

-“Nuk më zë gjumi natën nga mundësia e dështimit. Madje as nuk e gërmëzoj dot fjalën dështim”.
-“Tregohu i sjellshëm, profesionist, por duhet të kesh gjithmonë një plan se si të vrasësh këdo që takon”.
-“Është argëtuese që të qëllosh. Është gallatë. Është zbavitëse të qëllosh mbi njerëzit”.
-“Ka disa shk… në botë që thjesht kanë nevojë që t’i qëllosh”.
-“Kam ardhur në paqe. Nuk kam sjellë artilerinë. Por po të lutem me lot në sy: Nëse tall k… me mua, do ju vras të gjithëve”.
-“Ka disa njerëz që mendojnë se duhet t’i urresh, që t’i vrasësh. Nuk mendoj kështu. Është thjesht biznes”.
-“Në një vend me miliona njerëz dhe makina kudo, armiku mund të vendosë një makinë-bombë kurdo”.
-“Këto ditë marr shumë vlerësime për gjëra që nuk i kam bërë kurrë”.
-“Vëre në punë trurin, përpara se të vësh në punë armën”.
-“Nuk ka gjë më të bukur se sa të të qëllojnë dhe të mos të kapë plumbi. Është fantastike”.
-“PowerPoint-i po na bën budallenj”.
-“Në një betejë, dhjetë centimetrat më të rëndësishëm janë mes veshëve të tu”.
-“Po të lutem të mos na mërzisësh. Nëse e bën, të mbijetuarit do shkruajnë për 10 mijë vite për atë që do ndodhë këtu”.
-“Asnjë luftë nuk mbaron nëse armiku nuk thotë se mbaroi”.
-“Nuk mund të lejosh njerëzit që të shmangin faktet brutale. Nëse nisin të jetojnë në një botë ëndrrash, kjo është gjë e keqe”.
-“Lufto me zemër të lumtur dhe shpirt të fortë”.

ARMIN TIRANA

Exit mobile version