Megaafera rrit me 30% çmimin e gazit

Një aferë e pastër e Ramës me dy klientë të tij ka rritur me 30% çmimin e gazit për konsumatorët familjarë dhe ata që përdorin automjete. Taksa është abuzive dhe përmes një skeme tipike mafioze të evazionit fiskal do të përfundojë në xhepat e Ramës. Është një rast unikal ku me një të rënë të lapsit kreu i qeverisë të vendosë rritjen me 30% të çmimit të gazit, duke goditur direkt shtresat më të varfëra të shoqërisë që në këto ditë të ftohta kërkojnë të ngrohen me gaz. Edhe vendimi ka ardhur pikërisht në momentin më të favorshëm për klientët e Ramës dhe në momentin më të vështirë për qytetarët.
Ministri i Financave Arben Ahmetaj dha një shpjegim idjot teksa u pyet për rritjen e akcizës së karburante me 30 për qind. Sipas tij, kjo ka të bëjë me sigurinë e mbushjes së bombulave, pasi do dekurajonte blerësin familjar që drejtohej për mbushjen e gazit drejt pikave të karburantit. Në fakt, prej kohësh pikat e karburanteve nuk tregtojnë më për familjarë dhe kjo është krejtësisht e lehtë për t’u parandaluar. Ministri Ahmetaj nuk kish si shpjegonte se mbrapa kësaj qëndronte një megaaferë korruptive, pikërisht nga klientët e Ramës që fusin gazin në vend. Ky vendim i kushton shoqërisë rreth 637 milionë lekë, por efekti mendohet të jetë tre apo katër herë më i lartë

Familjarët do e blejne 60% më shtrenjtë

Çpo ndodh me tregtimin e gazit? Ministri teksa mbronte buxhetin u shpreh se kjo rritje nuk do të prekte konsumatorin familjar. Megjithatë, harroi apo nuk desh të thoshte që konsumatori familjar e ka që tani të rritur me gati 30 për qind çmimin e gazit që ble për konsum. Pikat e licensuara, për familjarë furnizohen në të njëjtin vend ashtu si dhe karburantet, pasi tre janë kompanitë që operojnë në tregun e shumicës me gazin. Por në pikën fundore ata pretendojnë se e shesin me kilogramë dhe jo me litra, dhe çmimi i kilogramit në momentet që flasim është rreth 130 lekë. Konvertimi i litrit me kilogramin është një me dy, pra për çdo 1 kilogramë kemi dy litra gaz. Ndërkohë që çmimi i shitjes me pakicë në karburant, varion nga 43 deri në 49 lekë për litër sipas përllogaritjes i bie që çmimi për një kilogram gaz të varionte nga 86 deri në 98 lekë për litër tek pikat e licensuara. Këto janë shifrat e dhjetorit që  përkojnë me shumë se 30 për qind se çmimi real që duhet të kishte malli në treg. Ndërsa vetëm dy muaj më parë, ky çmim ishte rreth 160 lekë për litër, por dhe gazi në pikat e shitjes varionte nga 59 deri në 65 lekë. Pas një janarit, specialistët parashikojnë që çmimi të rritet dhe me 30 për qind të tjera për shkak të abuzivitetit të pikave, gjë që e çon në 55- 60 për qind rritjen e çmimit të produktit për familjarët. Pra, targeti që pretendon se mbron Ahmetaj s’ka qenë asnjëherë i mbrojtur nga çmimi i gazit, por arsyet janë të tjera…

Abuzimi dhe evazioni fiskal

Rritja e numrit të makinave me gaz, ka bërë që të bien shitjes e naftës dhe benzinës nga kompanitë importuese. Kjo ka qenë dhe kleçka e cila, ka sjellë lobimin e tyre pranë qeverisë dhe më pas rritjen arbitrare të çmimit, e cila dekurajon kthimin e makinës nga benzinë në gaz. Janë më shumë se 13600 automjete të regjistruara me gaz në vend, por që numri po rritet ndjeshëm. Në këtë shifër përfshihen  një pjesë e madhe e kompanive për makinat e rënda të transportin përdorin gazin e lëngshëm për shkak të çmimit. Serviset e specializuara për këtë punë, mund të vendosin edhe impiante gazi për makinat me naftë, të cilat përdoren kryesisht nga kamionët e kompanive, apo autobuzët e linjave urbane dhe interurbane. Kjo ka çuar në reduktimin e shitjes së karburanteve të tjera, dhe më pas në derën e Ramës klientët e tij që kanë monopolizuar tregun. Dhe natyrisht fitimi për një litër gaz, nuk është i njëjtë me fitimin për një litër benzin. Nga ana tjetër askush nuk siguron se rritja e çmimit në tabelën e pikave të karburantit, nuk do të sjellë një tjetër rritje abuzive të gazit që përdoret për përdorim familjar, të cilët tani paguajnë rreth 170 lekë më shumë për litër se konsumatorët e makinave. Natyrisht dhe fitimi i firmave importuese do të rritet ndjeshëm, pasi ligji kështu siç është bërë lë vend për abuzim dhe evasion fiskal. Duke qenë se janë të njëjtat pika që furnizojnë dhe karburantet dhe pikat e liçensuara, askush s’mund ta llogarisë se në çfarë sasie është shitur gaz pa akcizë për familjarë dhe në çfarë sasie është gaz me akcizë për pikat e karburanteve. Pra rritja e çmimit të gazit, do të sillte natyrshëm fitime shumë herë më të mëdha si në tregtimin e gazit ashtu dhe të naftës dhe benzinës. Perëndimi ka tjetër sistem matje, pasi janë vendosur matësa në çdo familje që masin konsumin e gazit. Pra, kemi të bëjmë me një diferencim çmimi, si në rastin e energjisë elektrike ku bizneset paguajnë më shtrenjtë, dhe tarifohen për çdo kilovat orë.  Arsyetimi i ministrit se është kriter i BE-së është banal, pasi kjo do të kërkonte gazifikimin e gjithë vendit, dhe jo mbushjen me kilogramë apo litra nëpër pika. Pra, çmimi tarifohet për çdo litër të harxhuar, dhe jo me kapërcime abuzive që përdor rilindja.

Lobimi i firmave

Por a ka dhe një arsye që rriten çmimet në mënyrë të paarsyetuar dhe me deklarata populiste sikur po i qahet halli konsumatorit familjar? Në vendet e zhvilluara të tilla rritje bëhen për shkak të lëvizjes së  mallrave në bursave, por në vendin tonë kjo bëhet me qëllim përfitimi, duke rënduar në kurriz të qytetarit. Edi Rama nuk po mbron konsumatorin familjar në këtë rast, i cili pas futjes së akcizës në janar ka rrezik t’i dyfishohet çmimi, por mbron interesat e kompanive importuese të karburanteve, ku një ndër ta është dhe Besnik Sula i Tajvanit, që operon me naftën dhe gazin e Ballshit. I njohur për ndikimin e tij tek vendimet e kryeministrit. Ahmetaj apo Gjiknuri janë vetëm vegla për të arritur qëllimin, dhe grupi parlamentar I Rilindjes i cili çertifikon me votë të gjitha vendimet abuzive që bëhen në kurriz të njerëzve. Vetëm nga rritja e paarsyetuar e akcizës, pritet të ketë një kosto konsumatori prej 647 milionë lekësh. Qeveria paraardhëse e demokratëve, enkas nuk vendosi akcizë për këtë mall, me qëllim që konsumatori ta shihte si alternativë energjie përdorimin e gazit natyror. Por me sa duket, sapo njerëzit gjetën një mënyrë për të kursyer diçka, dhe duke parë rritjen e përdorimit, doli në skenë Rama, i cili kërkon ta rëndojë akoma më shumë xhepin e tyre. Siç bëri me energjinë, çmimin e ujit apo taksat e tjera.

Kostot e impjantit dhe ndikimi në ambjent

Sa i ka kushtuar një impjant gazi, personave që e kanë menduar atë si alternativë më të lirë energjie për makinat e tyre? Në këtë lemeri varfërie ata kanë menduar të kursejnë në blerjen e karburantit,   duke shpenzuar fillimisht një sasi të konsiderueshme të buxhetit të tyre familjar. Çmimet variojnë nga 700 deri në 85 euro për një impjant për veturat, ndërsa për makinat e mëdha kanë çmime të tjera që shkojnë deri në 1500-1700 euro. Por gjithsesi për shkak të çmimit të tanishëm, është konsideruar me leverdi, pasi konsumi është i njëjtë, por çmimi është tre herë më lirë se një litër naftë apo benzinë. Pra, aktualisht një litër gazi shkon deri në 49 lekë për litër, ndërsa një litër benzinë 170 lekë dhe një litër naftë në 167-168 lekë për litër. Pra, në rast se për furnizimin e makinës me 10 litra benzinë duhen 1700 lekë, për furnizimin me të njëtën sasi duhen vetem 490 lekë. Përdorimi i gazit në fakt, ka ndikim pozitiv dhe në aspekte të tjera. Duke qenë lëndë që lëshon pak dioksid karboni nga djegia, redukton në masë ndotjen e ambjentin. Eshtë llogaritur se përdorimi i tij do të reduktonte deri në 16 ose 17 për qind ndotjen e ambjentit. Një gjë të tillë e vuri në dukje dhe ministri i Mjedisit, Lefter Koka, gjatë diskutimeve në komisione për këtë çështje. “Shqipëria në Kontributin Kombëtar të Synuar është angazhuar për reduktimin e çlirimit të gazeve. Sot, në Shqipëri vetëm 3% e automjeteve qarkullojnë me gaz.  Qeveria shqiptare po konsideron vendosjen e akcizës për gazin. Unë kërkoj të rishikohet ky qëndrim, për këtë lëndë (gazin e automjeteve), pasi në të kundërt, duke mos stimuluar përdorimin e tij, ne nuk do të jemi në gjendje të mbajmë këtë angazhim që kemi marrë”, do të shprehej ai.

Kundër rritjes së çmimit edhe LSI, por në fund bashkon votat me Rilindjen

Kundër rritjes së akcizës së gazit do të shprehej zyrtarisht dhe LSI, me anë të kreut të grupit të saj Parlamentar Petrit Vasili. Me anë të një letre drejtuar Ilir Metës, kryetar i  Kuvendit, ai arsyetonte se rritja e çmimit do të rëndonte së tepërmi buxhetin e qytetarëve, por edhe të bizneseve dhe për këtë propozoi një amendament në buxhetin e shtetit. Por nuk dihet përse, në seancën maratonë kur u miratua buxheti në parim LSI bashkoi votat me mazhorancën, ndërkohë që duhet të ishte diskutuar dhe ky amendament. “Është fakt që janë shtuar së tepërmi automjetet familjare që përdorin gaz të lëngshëm dhe ku për këtë arsye mijëra qytetarë kanë përshtatur automjetet për përdorimin e gazit, duke shpenzuar jo pak për këtë. Gjithashtu, biznese të vogla dhe të mesme, edhe të mëdhenj mes tyre, mjetet e transportit prej kohësh për efekt kostoje i kanë orientuar drejt përdorimit të gazit të lëngshëm. Rritja me 13 lek/litër ose më thjeshtë akoma një rritje me më shumë se 25% të çmimit aktual, do t’i rëndonte së tepërmi buxhetet e këtyre sipërmarrësve, të cilëve u ka kushtuar jo pak instalimi i impianteve të gazit të lëngshëm, modernë e të sigurt, duke e përllogaritur si zgjidhjen më të mirë edhe sepse gazi i lëngshëm nuk përfshihej në mallrat e akcizës”. Në fund të seancës, LSI votoi në parim së bashku me Rilindjen buxhetin i cili mori 82 vota pro.

Arben SHAHINI

Exit mobile version