Moment i artë për Berishën

Ky është momenti i tyre në Serie A, Etrit Berisha dhe Tomas Strakosha po shkëlqejnë në Serie A. Pak muaj më parë largimi nga Lazio i gardianit shqiptar si për ironi ndihmoi të riun e kombëtares kuqezi të fitojë minuta të vlefshme në kampionatin italian. Largimi i Berishës nga bardhekaltërit e katapultoi Strakoshën zgjedhje të dytë të Simone Inzaghit dhe dëmtimet e vazhdueshme të Marchettit po e shtyjnë 21-vjeçarin shqiptar të marrë rolin e liderit në zonën e rreptësisë.
9 ndeshje gjatë këtij sezoni me 90 minutëshin e fundit në transfertën e Empolit, ku Lazio arriti një fitore të vështirë. Strakosha edhe një herë tregoi se është një siguri e madhe për portën bardhekaltër dhe jo pa arsye presidenti Claudio Lotito ka gati ofertën e rinovimit të kontratës me portierin e rritur në akademinë e klubit roman. 6 gola të pësuar, por paraqitjet e Strakoshës shkojnë përtej stratistikave pasi ai tregon pjekuri dhe siguri në katërkëndëshin e portës së Lazios.
Në rastin e golit të Kruniç, 21-vjeçari tentoi ta grushtonte në limit atë top që kaloi ngjitur me shtyllën, por nuk arriti të ruante të paprekur kuadratin. Gjithsesi, paraqitja e tij në transfertën toskane shton një tjetër bonus në listën e gardianit shqiptar që shpreson të zbresë në fushë edhe për ndeshjen e parë derbi ndaj Romës për Kupën e Italisë pas 10 ditësh. 47 pikë për Lazion, por në mënyrë surprizë 1 më shumë se Atalanta. Skuadra bergamaske po zhvillon një sezon spektakolar, larg çdo pritshmërie. Fitorja minimale 1-0 ndaj Crotones nuk është një rastësi sepse ekipi i Gasperinit është kthyer në një “Mace të Zezë” për çdo kundërshtar në Serie A.
Një meritë të madhe për ecurinë e jashtëzakonshme të Atalantës ka padyshim edhe Etrit Berisha që në “Atleti Azzurri” regjistroi ndeshjen e 17 sezonale. 27-vjeçari i lindur në Prishtinë ruajti të paprekur portën e tij dhe në total numëron vetëm 9 gola të pësuar gjatë këtij sezoni. Kartonin e tij e zotëron ende Lazio, por nuk do të jetë aspak e vështirë që në fund të sezonit Atalanta të kërkojë blerjen përfundimtare. Berisha ka gjetur dimensionin e vërtetë në Bergamo ku po merr minutat që në Romë nuk i pati asnjëherë. Ky është një moment i artë për portierët shqiptarë në Itali, porta e kombëtares shqiptare gjithashtu është e siguruar për vitet në vazhdim.

Exit mobile version