Mediu: Nga dhjetë parti, vetëm Rama s’pranoi zgjidhjen SHBA-BE

Një ndër organizatorët e takimit, kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu, ka drejtuar gishtin tek kryeministri si fajtorin kryesor të mos gjetjes së një gjuhe kompromisi që do çojë vendin në zgjedhje sipas zgjidhjes së dhënë nga ndërkombëtarët. Në një dalje për mediat, menjëherë pas përfundimit të tryezës Mediu tha se, Rama është i vetmi që nuk pranon paketën McAllister Plus të propozuar nga SHBA dhe BE. “Opozita në mënyrë të qartë ka theksuar dhe një herë se ka pranuar pa asnjë kusht paketën McAllister. Po ashtu, kemi theksuar se s’kemi debat për asnjë çështje. Kemi parë një vullnet të mirë nga pjesa e partive të tjera politike, me përjashtim të zotit Rama. Opozita është e gatshme ta implementojë këtë paketë nga pika e parë tek pika e fundit. Që nesër të mblidhet Parlamenti të votohet vettingu, të bëhen ndryshimet ligjore që ta bëjnë të mundur këtë paketë. Ky është qëndrimi ynë, që t’i japim shqiptarëve të shkojnë në një proces zgjedhor që të shkojnë në një proces zgjedhor që nuk komandohet nga politika, por nga vota e tyre, ky është qëndrimi ynë. Zoti Rama shpreh një opsion dhe për një lëvizje brenda qershorit. Por unë e theksoj, ne nuk po dalim jashtë paketës, ajo është një paketë që duhej zbatuar nga opozita pa asnjë lloj ndryshimi dhe asnjë lloj mendimi. Dhe ne e kemi pranuar këtë paketë me shkrim. Dua të shpreh falenderimin për LSI, PDIU dhe Libra, të cilët e vlerësuan këtë paketë si zgjidhjen që garanton një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm në Shqipëri, megjithëse ata do të flasin vetë”, tha Mediu.

Exit mobile version