Manchester City ngjall frikën

Kualiteti në sulm i Manchester City-t i ngjall frikën Europës, por mbi të gjitha Anglisë. Thuajse në çdo takim, Pep Guardiola duhet të përballet me skuadra që luajnë në mbrojtje, të cilat i lënë shumë pak hapësira “magjistarëve” të tij të sulmit. Kjo u pa edhe të mërkurën mbrëma ndaj Southampton-it.
“Janë 10 lojtarë në mbrojtje dhe ne nuk kemi asnjë hapësirë për të sulmuar. Kundërshtarët tanë nuk duan të luajnë, ata vijnë vetëm për t’u mbrojtur. Këtë nuk e bëri vetëm Southampton-i, por të gjitha skuadrat e Premier League-s bëjnë të njëjtën gjë. Ky skenar përsëritet vazhdimisht dhe ato vazhdojnë të mbrohen, të mbrohen, të mbrohen”, u shpreh trajneri katalanas që është në vitin e tij të dytë të drejtimit te “Qytetarët”.
Në javën e 14-të të Premier League-s, City rrëmbeu fitoren e radhës në kampionat, 2-1 me Southampton-in, me Raheem Sterling që shënoi golin e fitores për të tijtë. Pas këtij takimi Manchester City vijon kryesimin e Premier League me 40 pikë, 8 më shumë se vendi i dytë Manchester United me 32.

Exit mobile version