Ligji amerikan i refuzon vizën hetuesit të torturave ministër

Enton DACI

Fatmir Xhafa si ministër i Brendshëm, në bazë të ligjeve amerikane të pajisjes me vizë për të shkelur në tokën amerikane rrezikon të mos pajiset me të sepse në bazë të formularit të aplikimit është në kundërshtim me ligjin amerikan në disa pika për shkak të së shkuarës së tij. Në pjesën e fundit të formularit, të hartuar nga zyra e emigracionit në SHBA, janë dhe pyetjet e sigurisë, si një lloj çertifikate që personi që hyn në Shtetet e Bashkuara, nuk cenon sigurinë e atij vendi atje. Fatmir Xhafa cenon të paktën tri pika të këtij formulari, që mund të thuhet se është dhe pjesa më e rëndësishme e aplikimit, që tregon se njeriu që kërkon të hyjë në SHBA nuk cenon sigurinë e shtetasve të atij vendi. Një pjesë e tyre përjashtojnë dhe aktet e dhunës apo gjenocidin për arsye politike të individëve të ndryshëm, si dhe rastet kur këta kanë qenë zyrtarë të një qeverie apo përgjegjës direkt për shkeljet e rënda fetare.

Pyetjet e sigurisë

Pjesa e sigurisë shënohet dhe me një sqarim nga ana e zyrës së emigracionit, ku thuhet se viza nuk mund të lëshohet për persona që bien në papajtueshmëri me ligjin amerikan. Natyrisht këtu nuk bëjnë përjashtim as ata persona, të cilët zotërojnë një pasaportë diplomatike. Përgjigjja “PO” për çdo çështje të ngritur do të kërkonte një sqarim apo hetim më të thelluar nga ana e zyrtarëve të shërbimit konsullor në ambasadë. Por duket se Xhafa nuk e kalon testin për të paktën tre të tilla. Për shembull, në njërën prej pyetjeve thuhet “A keni urdhëruar, nxitur, asistuar ose keni marrë pjesë në gjenocide të ndryshme” apo një tjetër pyetje “A keni kryer ndonjëherë, urdhëruar, nxitur, ndihmuar apo marrë pjesë në aktet e torturës”, ose “Ndërsa keni shërbyer si zyrtar i një qeverie, keni qenë përgjegjës direkt ose keni kryer akte të rënda që cenojnë lirinë fetare”. Janë tri pyetje direkte që kanë të bëjnë me Fatmir Xhafën dhe të shkuarën e tij. Deri më tani janë deklaruar të paktën dy dëshmitarë që identifikojnë Xhafën si torturues të tyre gjatë kohës që ka qenë hetues, në dënimin e katër të rinjve nga Kruja për shkak se kanë ngritur dolli në ditën e vdekjes së Enver Hoxhës. Një akt i pastër politik, që mban firmën e Fatmir Xhafës si hetues. Janë të paktën gjashtë persona që e kanë pësuar në këtë proces politik, ku njëri prej tyre rezulton të ketë vdekur në mënyrë të dyshimtë, bëhet fjalë për Haki Senën nga Kruja. Dëshmia publike, e bërë nga të paktën dy persona cilësohet si provë në Kodin e Procedurës Penale. Dhe në këtë pjesë pavarësisht asaj çfarë thotë Xhafa, e vërteta është si drita e diellit, që Xhafa s’mund ta kalojë testin për të tria pikat që kërkon formulari i sigurisë. Në fakt një nga pikat të mos kalosh është shumë e vështirë të pajisesh me vizë nga ana e ambasadës. Kjo jo vetëm për arsye sigurie, por sepse SHBA-të e kanë në filozofinë e tyre që mos bëhen kurrë strehë e njerëzve që i kanë shërbyer regjimeve që shkelin të drejtat e njeriut. Dhe Fatmir Xhafa ka dhënë kontributin e tij në të paktën burgosjen e tri personave për arsye politike dhe internimin e disa të tjerëve.

Revokimi i vizave si standard

Kush e mban mend, në gusht-shtatorin e vitit që shkoi një pjesë të prokurorëve dhe gjyqtarëve të këtij vendi, nga ana e ambasadës amerikane në Tiranë, iu revokua viza amerikane. Në fillim nuk u dhanë arsye, por nga ana e ambasadorit amerikan u sqarua më pas dhe me të drejtë, se ekzistojnë dyshime të forta se këta persona mund të transferonin drejt SHBA pasuritë e tyre, pas implementimit të reformës në drejtësi. Po, Fatmir Xhafa që sot do të votohet nga Parlamenti shqiptar si ministër i Brendshëm a do i kalojë këtij skaneri strikt të ambasadës? Kjo mbetet për t’u parë, por në rast se reforma për drejtësi u bë shkak që prokurorëve dhe gjyqtarëve t’u revokohet viza, nuk duhet harruar se ish-hetuesi i djeshëm është një nga hartuesit e reformës së drejtësisë. Faktet tregojnë, se ka qenë i përfshirë në tortura, gjenocid dhe pjesë e sistemit që ndalonte lirinë fetare, gjatë kohës kur ka punuar hetues (aplikimi i fesë në regjimin komunist, hynte tek veprat penale të agjitacionit dhe propagandës dhe përbënte objekt hetimi nga hetuesit e kohës), por edhe ka propaganduar kundër saj në kohën që ka qenë sekretar rinie. Ka foto, me një nga dikatorët më të egër, që ka shkelur me këmbë të drejtat dhe liritë jo vetëm të atyre që u vranë, u burgosën dhe internuar, por dhe një armik i betuar që i kish shpallur luftë të hapur Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Propaganda që bëhej atëherë kundër SHBA-ve për ata që e kanë jetuar, dihet se ka qenë e njëllojtë me ato të grupeve terroriste mos më keq dhe propagandohej pikërisht nga individë si puna e Xhafës, vetëm se kjo bëhej në emër të pushtetit popullor. Këto janë shkeljet direkte që penalizojnë Fatmir Xhafën, për të mos folur për përfshirjen e vëllait të tij Agron Xhafa në lidhje direkte me trafikun e kokainës, që kryhej nga Venezuela në Itali dhe për të cilin ka një proces të hapur penal në Itali.

Disa nga pyetjet e formularit të sigurisë

A keni urdhëruar ndonjëherë, nxitur, përkushtuar, asistuar ose marrë pjesë në gjenocide të ndryshme?
A keni kryer, urdhëruar, nxitur, ndihmuar apo keni marrë pjesë në vrasjet pa gjyq, vrasjet politike apo akteve të tjera të dhunës?
A keni kryer ndonjëherë, urdhëruar, nxitur, ndihmuar apo marrë pjesë në tortura?
Ndërsa shërbenit si një zyrtar qeveritar, keni qenë përgjegjës direkt apo kryer në çdo kohë shkelje të rënda të lirisë fetare?
A keni një çrregullim mendor ose fizik që paraqet ose ka të ngjarë të përbëjnë kërcënim për sigurinë ose mirëqenien e vetes apo të të tjerëve?
A keni qenë ndonjëherë i përfshirë në/ose ju kanë kërkuar të angazhohen në, pastrimin e parave?
A keni qenë ndonjëherë i arrestuar ose i dënuar për ndonjë vepër apo krim, edhe pse keni rezultuar subjekt i një falje, amnistie apo veprimeve të tjera të ngjashme?
SHËNIM: Siguroni informacion të plotë dhe të saktë për të gjitha pyetjet që kërkojnë një shpjegim. Viza nuk mund të lëshohet për personat që janë brenda kategorive të veçanta të përcaktuara me ligj si të papranueshme për Shtetet e Bashkuara (me përjashtim kur dorëzoni një dokument që jeni tërhequr është marrë paraprakisht). Ndërsa një përgjigje PO nuk tregon automatikisht papranueshmërinë për vizë. Nëse ju përgjigjeni “PO” mund t’ju kërkohet që të paraqiteni personalisht para një zyrtari konsullor.

Në bazë të aplikimit, shumica e Rilindjes e papranueshme në SHBA

Por në rast se do i marrim rast pas rasti dhe në rast se do i referoheshim dhe pikave të tjera të formularit do të vërejmë se e gjithë Rilindja rrezikon të mos e kalojë testin e vizave amerikane. Për shembull, në një pikë tjetër thuhet “A keni qenë ndonjëherë i arrestuar ose i dënuar për ndonjë vepër ose krim, edhe pse rezultoni subjekt i një faljeje ose amnistie për vepra të ngjashme?” në rast se do i merrnim emër për emër, këtë pikë nuk e kalojnë shumë prej deputetëve, krerëve të bashkive apo të emëruarve në krye të dikastereve, drejtorë drejtorish etj. Po t’i shtojmë kësaj dhe pikën kur kërkohet “nëse keni përdorur emra të tjerë”, atëherë lista bëhet e pafundme. Pra, në ambasadën amerikane nuk mund të shkojnë për vizë një pjesë e mirë e deputetëve apo të zgjedhurve të tjerë si Prenga, Noka, Bushi, Rroshi apo dhe drejtorë drejtorish, që përveç se në të kaluarën e tyre, është faktuar tashmë që janë marrë me trafik të qenieve njerëzore, përdhunim apo trafik narkotikësh dhe sot e kësaj dite akuzohen se kanë veshur petkun e pushtetarit për të drejtuar trafiqe nga më të ndryshmet. Me baza të forta dyshimi dhe këta njësoj si prokurorët dhe gjykatësit!

Exit mobile version