Barcelona sulmon FIFA-n: Dënimi i Messit, i padrejtë

Lionel Messi u pezullua me 4 ndeshje nga FIFA me fanellën e Argjentinës dhe në teori ky mund të jetë një lajm pozitiv për Barcelonën që do të ketë në dispozicion të plotë numrin 10, por klubi katalanas mban një qëndrim të qartë duke mbrojtur lojtarin pas pezullimit të tij. “Një vendim i padrejtë” e cilëson klubi “blaugrana” atë të marrë nga FIFA. Nëpërmjet një komunikate zyrtare, Barcelona shpreh mosaprovimin për ndëshkimin e sulmuesit nga Komisioni i Disiplinës në FIFA pas frazave aspak etike të numrit 10 ndaj arbitrit anësor në ndeshjen Argjentinë-Kili. “Klubi beson se pezullimi i lojtarit të Argjentinës me 4 ndeshje është i padrejtë dhe totalisht i pabazuar.
Barcelona shpreh gjithë mbështetjen për Leo Messin, një lojtar ekzemplar në sjelljen e tij korrekte si brenda ashtu edhe jashtë fushës së blertë”, theksohet në komunikatën e klubit. Mungesa e Messit mund të ndihet shumë në radhët e Argjentinës. Numri 10 do të mungojë në tre ndeshjet eliminatore të radhës që janë edhe të fundit në grupin e Amerikës së Jugut për eliminatoret e Botërorit 2018. Aktualisht kombëtarja “Albiceleste” është në vendin e 5 që siguron përballjen play off pasi vetëm 4 vendet e para sigurojnë kualifikimin direkt për në evenimentin e vitit tjetër. Sfidën e ardhshme zyrtare Argjentina do ta luajë më 31 gusht në Uruguaj, ndërsa më 5 shtator pret Venezuelën në Buenos Aires. Fushata e kombëtares bardhekaltër mbyllet më 5 tetor ndaj Perusë po në shtëpi. Praktikisht bëhet fjalë për javët e para të sezonit të ri për Barcelonën që në këtë mënyrë do ta ketë në dispozicion yllin e saj.

Exit mobile version