Kthupi: Nëse SPAK ka kërkuar hetim financiar, një nga familja Veliaj është i pandehur (VIDEO)

Avokati dhe anëtari i kryesisë së PD, Rezart Kthupi, deklaron se kërkesa e informacionit për pasurinë e Erion Veliajt dhe familjarëve të tij, është tregues se njëri prej tyre është person nën hetim.

Duke folur për MCN Live, ai deklaroi se procedura ligjore nuk e lejon prokurorinë që të marrë informacion për persona që nuk janë pjesë e dosjes hetimit.

“SPAK duhet ta ketë të regjistruar në regjistrin e personave të pandehur dhe nën hetim dhe vetëm në këtë moment i lind e drejta për të marrë informacion për personin nën hetim.

Nëse prokuroria ka kërkuar informacion financiar jo vetëm për Veliaj por edhe familjarët e tij, kjo do të thotë minimalisht ai, ose një familjarët e tij është person nën hetim.

Gjasat janë që të jetë zoti Veliaj. Procedura e kërkon që një nga katër emrat për të cilët kërkohet informacioni është person nën hetim.

Kur fillon një hetim është faza e mbledhjes së provave dhe faza e dytë komunikimi i akuzës.

Në rastin konkret kërkohen të dhëna financiare, informacion personal, informacion i cili nuk mund të kërkohet nga SPAK nëse nuk jam person nën hetim.

Informacionin tim personal nuk e jep dot banka, se është i imi, nuk është institucional.

Një person që vihet nën hetim nuk njoftohet, njoftohet vetëm kur i komunikohet akuza, se në të kundërt asnjë person nuk do vihej para drejtësisë.”

Exit mobile version